Kërko

Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes 

Kardinali Cantalamessa: Zoti ka shumë mënyra për të shëlbuar

Në predikimin e parë të Kohës së Ardhjes, në prani të Papës, predikatari i Shtëpisë papnore i kushtoi të parin nga tre reflektimet e kësaj Kohe, që na ndan nga Krishtlindjet, duke shtuar dy fjalë edhe për dialogun ndërfetar.

R. SH. - Vatikan

Dialogu ndërfetar nuk i kundërvihet ungjillizimit, por përcakton stilin e tij. Këtë e nënvizoi kardinali Raniero Cantalamessa gjatë predikimit të parë të Kohës së Ardhjes sot, më 2 dhjetor, në Sallën Pali VI, në prani të Papës Françesku. Nuk ka dyshim se mandati i Krishtit për t’i bërë dishepuj të gjithë popujt - theksoi kardinali - "ka vlerë të përhershme, por duhet kuptuar në rrethanat e ndryshme historike". Këto fjalë lidhen me çastin kur u shkruan shprehjet "e gjithë bota" dhe "të gjithë popujt": e kjo ishte një mënyrë për të thënë se mesazhi i Jezusit nuk i kushtohej vetëm Izraelit, por edhe pjesës tjetër të botës". Prandaj – shtoi - "vlejnë përgjithmonë  e për të gjithë, pa harruar se për ata që tashmë i përkasin një feje, duhet respekt, durim,  dashuri".

Shën Françesku i Asizit e kuptoi këtë dhe e vuri në jetë. E në lidhje me këtë, kardinali kapuçin kujtoi se shenjti "propozoi dy mënyra për të shkuar tek saraçenët dhe të pafetë e tjerë ", siç shkruante në Regula non bullata. Mënyra e parë nuk ishte të grindeshin, por të merreshin vesh me "çdo krijese njerëzore, për dashurinë e Zotit", duke rrëfyer, kështu, se janë të krishterë. Mënyra tjetër ishte që,  kur "ta shikonin se kjo i pëlqen Zotit”, ta shpallnin Fjalën e Zotit, në mënyrë që ata të besonin në Zotin e gjithëpushtetshëm, Atin dhe Birin e Shpirtin Shenjt".

Kjo krijon një reflektim tepër aktual, të cilin na e shpjegoi predikatari: "Nëse feja, që shpëton, është feja në Krishtin, çka të mendojmë për të gjithë ata, që nuk kanë mundësi të besojnë në të?". Sot ne jetojmë - vuri në dukje - në një shoqëri "edhe fetarisht, pluraliste". Por teologjitë, lindore dhe perëndimore, katolike dhe protestante, "u zhvilluan në një botë ku në praktikë ekzistonte vetëm krishterimi". Njiheshin edhe fetë e tjera, por ato që në fillim u konsideruan të rreme, ose nuk u përfillën fare".

Përveç "mënyrës së ndryshme të të kuptuarit të Kishës, të gjithë të krishterët kishin mendimin tradicional: "Jashtë Kishës nuk ka shpëtim": “Extra Ecclesiam nulla salus". Por tani - theksoi - "nuk është më kështu". Prej disa kohësh "ndërmjet feve dialogohet, bazuar mbi respektin reciprok dhe njohjen e vlerave të pranishme në secilën prej tyre". Në Kishën Katolike, pikënisja ishte shpallja Nostra aetate e Koncilit II të Vatikanit, por "një orientim të ngjashëm kanë të gjitha kishat historike të krishtera". Me këtë njohje u krijua bindja “se edhe njerëzit jashtë Kishës mund të shpëtohen".

Predikimi i parë i Ardhjes në Sallën Pali VI

A është e mundur - pyeti Cantalamessa - që në këtë këndvështrim të ri, feja "e padiskutueshme" në Krishtin të ruajë rolin që kishte deri tani? Aksioma e lashtë "jashtë Kishës nuk ka shpëtim", a nuk do të përfundonte, për të mbijetuar, në këtë rast, në aksiomën "jashtë besimit nuk ka shpëtim?". Në disa qarqe të krishtera, kjo e fundit është, "doktrina mbizotëruese, ajo që motivon angazhimin misionar". Në këtë mënyrë, megjithatë, "shpëtimi kufizohet në fillim në një pakicë të vogël njerëzish". Kjo jo vetëm vë në diskutim rolin e Krishtit, duke i hequr një pjesë të madhe të njerëzimit”, por as nuk mund të besohet se "Jezusi është Zot, dhe më pas të ngushtohet rëndësia e tij në një sektor të vetëm, të kufizuar". Në lidhje me këtë, predikatari përmendi Shkrimin Shenjt, sipas të cilit "kush nuk e ka njohur Krishtin, por vepron në bazë të ndërgjegjes së tij (Rm 2, 14-15) dhe i bën mirë fqinjit – pranohet nga Zoti! (Mt, 25,3 ss). Në Veprat e Apostujve - vijoi të kujtojë kardinali kapuçin - Pjetri pohon gjithashtu se "Perëndia nuk i zgjedh njerëzit, por i mirëpret ata që ia kanë frikën dhe praktikojnë drejtësinë, cilitdo komb t’i përkasin (Veprat e Apostujve 10:34-35)".

Për më tepër, "adhuruesit e feve të tjera besojnë", në përgjithësi, se "Zoti ekziston dhe se ai i shpërblen ata që e kërkojnë" (Heb 11, 6)", duke kuptuar, pra, atë që Shkrimi "e konsideron faktin themelor dhe të përbashkët të çdo feje. Kjo vlen, natyrisht, në një mënyrë të veçantë, për vëllezërit hebrenj, që besojnë në të njëjtin Zot të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, në të cilin besojmë edhe ne, të krishterët”. Arsyeja kryesore e këtij optimizmi «nuk bazohet, megjithatë, mbi të mirën, që mund ta bëjnë  edhe adhuruesit e feve të tjera, por mbi "hirin shumëformësh të Zotit" (1 Pt 4, 10)", i cili "ka shumë më tepër mënyra për të shpëtuar, sesa mund të mendojmë. Krijoi “kanalet” e hirit të Tij, por nuk u lidh me to”. Një nga këto "mjete të jashtëzakonshme shpëtimi, është vuajtja". Pasi Krishti "e mori mbi vete dhe e shpengoi, edhe ajo është, në mënyrën e vet, një sakrament universal shpëtimi".

Në mënyrë misterioze, "të gjitha vuajtjet - jo vetëm ato të besimtarëve - përmbushin, në një farë mënyre, "atë që i mungon mundimeve të Krishtit" (Kol 1:24). Dhe pikërisht për këtë "Kisha kremton festën e Fëmijëve të Pafajshëm, ndonëse ata nuk e dinin se po vuanin për Krishtin!". Në lidhje me këtë, kardinali kujtoi: “Ne besojmë se të gjithë ata që shpëtuan, shpëtuan përmes meritave të Krishtit”. Prandaj, nuk është “e tepërt” të vazhdojmë “t’ia shpallim Ungjillin çdo krijese”. Përkundrazi! Është arsyeja që “duhet të ndryshojë, jo fakti”. Në këtë këndvështrim, njeriu duhet “të vazhdojë ta shpallë Krishtin; e jo aq për arsye negative, sepse përndryshe bota do të dënohej, sesa për arsye pozitive: “për dhuratën e pafundme, që përfaqëson Jezusi për çdo qenie njerëzore”, përfundoi predikatari papnor.

02 dhjetor 2022, 15:17