Kërko

Piazza e Basilica San Pietro Piazza e Basilica San Pietro

Papa: Sekretaria për Ekonominë mbikëqyr fondet, fondacionet e organizmat e Kuries Romake

Me një Motu Proprio të botuar sot paradite, Papa Françesku forcon kontrollin mbi të gjithë "personat juridikë instrumentalë të Kuries Romake". Kështu kjo Motu Proprio që ka të bëjë me subjektet e lindura brenda institucioneve të kuries romake të cilat deri më tani gëzonin një autonomi të caktuar administrative. Legjislacioni i ri shtrihet edhe për subjektet me bazë në Shtetin e Qytetit të Vatikanit

R.SH. - Vatikan

“Në vazhdimësi të reformës së përgjithshme të strukturës institucionale të Kuries Romake, të cilën e deshi ta zbatojë përmes Kushtetutës së fundit Apostolike Preadicate Evangelium, u pa e nevojshme të rregullohen fondet, fondacionet dhe organet e ndryshme të cilat, me kalimin e viteve, kanë lindur brenda Institucioneve të Kuries Romake e që varen drejtpërdrejt prej tyre”, shpjegon dokumenti i Papës. Me fjalë të tjera, reforma e Kuries Romake plotësohet me atë të subjekteve që varen prej saj.

Ai që është besnik në gjërat e vogla është besnik edhe në gjërat e rëndësishme”. Papa Françesku citon kapitullin 16 të Ungjillit të Lukës në prezantimin e Motu Proprio që rregullon personat juridikë instrumentalë, d.m.th. fondet, fondacionet dhe subjektet që i referohen Selisë së Shenjtë të janë të regjistruara në listën e përmendur në nenin 1 § 1 të Statutit të Këshilli për Ekonominë dhe kanë selinë me në Shtetin e Qytetit të Vatikanit.

Kontrolli dhe mbikëqyrja

“Edhe pse këto subjekte kanë një personalitet juridik formalisht të veçantë dhe një autonomi të caktuar administrative, duhet njohur – shkruan Papa – se ato janë të dobishme në realizimin e synimeve të duhura të Institucioneve të kuries romake në shërbim të misionit të Pasardhësit të Pjetrit dhe se, si rrjedhim, edhe "ata janë, përveç rasteve kur tregohet ndryshe nga legjislacioni që i themelon në një farë mënyre, entitete publike të Selisë së Shenjtë". Prandaj, duke qenë se pasuritë e tyre të përkohshme janë pjesë e trashëgimisë së Selisë Apostolike, "është e nevojshme - lexojmë - që ato t'i nënshtrohen jo vetëm mbikëqyrjes së institucioneve të kuries romake nga të cilat varen, por edhe kontrollit dhe mbikëqyrjes së Organeve ekonomike të Kuries Romake”.

Në këtë mënyrë, personat juridikë instrumentalë do të "dallohen qartë nga fondacionet, shoqatat dhe subjektet e tjera jofitimprurëse" të cilat kanë "lindur nga iniciativa e individëve privat dhe nuk shërbejnë për realizimin e qëllimeve të duhura të institucioneve kuriale". Subjektet juridike instrumentale ekzistuese do të duhet të respektojnë dispozitat e Motu Proprio brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e tij, duke u nisur nga 8 dhjetori 2022.

Roli i Sekretariatit për Ekonominë

Motu Proprio përbëhet nga tetë artikuj. Neni 3 ka të bëjë me mbikëqyrjen dhe kontrollin në çështjet ekonomiko-financiare, duke përcaktuar se Sekretaria e Selisë së Shenjtë për Ekonominë ushtron mbikëqyrje dhe kontroll mbi personat juridikë instrumentalë në përputhje me statutin e saj dhe, brenda fushës së kompetencës që ka, miraton ose rekomandon miratimin nga personat juridik instrumental të masave adekuate për parandalimin dhe kundërvënien e veprimtarive kriminale. Nenet e katërt dhe të pestë rregullojnë të dhënat e kontabilitetit dhe shkëmbimin e informacionit, duke përcaktuar ndër të tjera që personat juridikë instrumentalë duhet të paraqesin buxhetin dhe bilancin përfundimtar në Sekretarinë e Selisë së Shenjtë për Ekonominë brenda afateve të përcaktuara nga e njëjta Sekretari dhe duke parashikuar që Sekretaria për Ekonominë dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm gjithmonë mund të kenë akses në regjistrat e kontabilitetit, dokumentet mbështetëse dhe informacionin në lidhje me transaksionet financiare. Neni 6 ka të bëjë me shuarjen dhe transferimin e pasurive dhe përcakton mënyrën se si personat juridikë instrumentalë shuhen dhe vendosen në likuidim me dekret të Institucionit kurial nga i cili varen kanonikisht, kur qëllimi është arritur ose është bërë i pamundur ose në kundërshtim me ligjin, ose në rastin e shoqatave, kur ulja e numrit të anëtarëve pengon funksionimin e tyre.

Duke pasur parasysh nevojën për t'i dhënë një disiplinë organike dhe të përditësuar personave juridikë me seli e qendër në Vatikan, Komisioni Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit ka shpallur sot një ligj - në fuqi edhe ai që nga 8 dhjetori 2022 - i cili tejshtrijn zbatimin e Motu Proprio për subjektet e Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të ligjit Institucionet kuriale dhe Zyrat e Kuries Romake, Institucionet e lidhura me Selinë e Shenjtë, Guvernatoratin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe subjektet që zhvillojnë profesionalisht veprimtari të natyrës financiare. Norma është pjesë e reformave të përshkruara nga Papa me Kushtetutën Apostolike Praedicate Evangelium.

06 dhjetor 2022, 12:59