Kërko

 La lezione di catechismo (dipinto di Jules-Alexis Muenier, 1890). La lezione di catechismo (dipinto di Jules-Alexis Muenier, 1890).

30 vjet më parë lindi Katekizmi i Kishës Katolike, "depozitë feje"

Teksti u botua nga Shën Gjon Pali II pas gjashtë vjetësh pune, kryer nga një komision i koordinuar prej kardinalit të asokoshëm Joseph Ratzinger. Papa Françesku, më 2018-tën, modifikoi dënimin me vdekje, duke e konsideruar vendim i papranueshëm

R. SH. - Vatikan

“Të paraqesë përmbajtjen e fesë, në përkim me të vërtetën biblike, me traditën e mirëfilltë të Kishës e, në veçanti, me mësimet e Koncilit II të Vatikanit”, duke bërë “përpjekjen për të nxjerrë në pah atë që është themelore”, “me angazhimin për të rishprehur, me një gjuhë më të kuptueshme ndaj nevojave të botës së sotme, të vërtetën shumëvjeçare katolike”. Kështu Shën Gjon Pali II, më 7 dhjetor 1992, paraqiti solemnisht Katekizmin e ri të Kishës Katolike, i cili sot mbush  tridhjetë vjet.

Punimet kryesoheshin nga Kardinali Ratzinger

Ishte punë, që zgjati gjashtë vjet dhe u krye nga një komision prej dymbëdhjetë kardinajsh dhe ipeshkvijsh si dhe një komitet redaktues prej shtatë ipeshkvijsh dioqezanë, specialistë në teologji dhe katekizëm, të udhëhequr nga prefekti i atëhershëm i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Jozef Ratzinger. Ipeshkvijtë hartuan kështu, duke u këshilluar me ipeshkvij, teologë dhe ekzegjetë nga e gjithë bota, atë që është teksti kryesor për transmetimin e besimit katolik, ndarë në tri pjesë: "Dëshmimi  i fesë”, “kremtimi i misterit të krishterë”, “Jeta në Krishtin” dhe “lutja e krishterë”. "Një dhuratë e vërtetë", "e rrënjosur thellë në të kaluarën" e Shkrimit të Shenjtë dhe traditës apostolike - pati kujtuar Shën Gjon Pali II, por edhe "e orientuar drejt së ardhmes", për të gjithë, "sepse vë në pikëpyetje Zotin e të gjithëve, Jezu Krishtin”.

Procesi i publikimit

Ideja e vendosjes së një “pike referimi” për shpalljen profetike dhe katektiske lindi në vitin 1985, me kërkesën e etërve sinodalë, pritur nga Papa për njëzet vjetorin e përfundimit të Koncilit II të Vatikanit. Një vit më pas, më 1986, filloi puna e Komitetit dhe Komisionit, me tekstin e miratuar nga Shën Gjon Pali II më 25 qershor 1992, shpallur në kushtetutën Fidei depozitum të datës 11 tetor  dhe botuar përfundimisht me letrën apostolike Laetamur Magnopere, më 15 gusht 1992.

Feja, si përgjigje domethënëse përvojës njerëzore

Njëzet e pesë vjet pas Fidei depositum, më 11 tetor 2017, Papa Françesku kujtoi rëndësinë e Katekizmit, fryt i Koncilit dhe i vullnetit të Gjonit XXIII duke vënë në pah aftësinë e tij për të "paraqitur me një gjuhë të përtërirë bukurinë e besimit në Jezu Krishtin”. “Mjet i rëndësishëm, jo vetëm sepse u paraqet besimtarëve mësimet e të gjitha kohërave, për t'u rritur në kuptimin e fesë, por sidomos sepse synon t'i afrojë bashkëkohësit tanë, me problemet e tyre të reja dhe të ndryshme, më pranë Kishës, që angazhohet  ta paraqesë fenë si përgjigje domethënëse për jetën njerëzore në këtë çast të veçantë historik”.

Rishikimi i dënimit me vdekje 2018

Me atë rast, Papa Françesku shprehu gatishmërinë e tij lidhur me rishikimin e nenit 2267 për dënimin me vdekje, i cili nuk qe i përjashtuar nga mësimet tradicionale të Kishës:

“Dënimi me vdekje është i papranueshëm, sepse kërcënon paprekshmërinë dhe dinjitetin e personit”, pati pohuar Papa në një pasazh, që u përfshi në tekstin e ri, rishkruar në vitin 2018.

“Për shumë kohë, pranimi i dënimit me vdekje nga autoritetet  legjitime, pas një procesi të rregullt, u konsiderua si përgjigje  e përshtatshme lidhur me disa krime si dhe mjet i pranueshëm, ndonëse ekstrem, për mbrojtjen e së mirës së përbashkët- lexohet tani në katekizëm. Por sot ‘është gjithnjë më e përhapur vetëdija sipas së cilës dinjiteti i personit nuk duhet të humbasë, edhe pasi të ketë kryer krime shumë të rënda’”.

07 dhjetor 2022, 14:54