Kërko

Mbledhja e Task Force-ve kontinentale me Sekretarinë e Sinodit Mbledhja e Task Force-ve kontinentale me Sekretarinë e Sinodit

Sinodi për një Kishë sinodale: vijon dialogu, dëgjimi e shoshitja

Krerët e fazës kontinentale u mblodhën në Romë për dy ditë, në takimin me Sekretarinë e Sinodit, që udhëheq gjithë procesin. Vijon dialogu e diskutimi për të nxjerrë në pah çështjet më të rëndësishme, që duhet të përballojë e gjithë Kisha, së bashku

R.SH. – Vatikan

         Përfundoi sot, në Sekretarinë e Sinodit, takimi me kryetarët dhe koordinatorët e Asambleve kontinentale të Sinodit të Ipeshkvijve, të cilët qëndruan dy ditë në Vatikan për të diskutuar mbi procesin sinodal në Azi, Afrikë, Oqeani, në Amerikën e Veriut, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe në Evropë.

         Duke pasur parasysh Dokumentin e Punës për fazën kontinentale, miratuar nga Sekretaria e Sinodit më 27 tetor, delegatët paraqitën disa çështje shqetësuese për Kishat në kontinente të ndryshme si nevoja për të arritur tek ushtarët dhe familjet e tyre, domosdoshmëria për të zhvilluar një teologji, e cila të marrë parasysh dhimbjet e njerëzve në botën e sotme, duke vënë në dukje edhe se procesi sinodal u ka dhënë Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore forumin konkret për të diskutuar mbi vizionin e ri të Papës Françesku për Kishën. U vërejt se metodologjia e propozuar favorizon dialogun dhe diskutimin në nivelin famullitar e kombëtar, prandaj, pasi të përsoset më tej gjatë këshillimeve, Dokumenti për fazën kontinentale do t’i paraqitet Papës.

Shoshitja e nevojshme

         Procesi i këshillimit me Popullin e Zotit vijon, për t’iu përgjigjur pyetjes: “Si e jetojnë dhe e eksperimentojnë Kishat lokale ecjen e përbashkët e ku po i çon Shpirti Shenjt?” Pas diskutimeve e dialogut në gjithë botën, çdo Grup përgjegjës për punën sinodale kontinentale do të hartojë një dokument, për t’iu dërguar Sekretarisë së Sinodit brenda datës 31 mars 2023. Për këtë janë të nevojshme dy tipe shqyrtimesh: së pari, shoshitja e ipeshkvijve e së dyti, shoshitja e udhëhequr nga teologjia, për të dëgjuar e për të kuptuar cilat janë pyetjet, që ende duhen ngritur. Teologjia do të shërbejë më pas, edhe gjatë sesioneve sinodale, për të kuptuar vlerën e përvojave e të reflektimeve. U vu në dukje se deri tani, në procesin sinodal kanë marrë pjesë pak vetë në krahasim me numrin e madh të katolikëve në botë. Sfida të tjera për Kishën, në disa raste, janë edhe mbizotërimi i përshpirtërisë personale në krahasim me ritet komunitare; sasia e madhe e informacionit për procesin sinodal, gjë që e bën të vështirë sintezën dhe arritjen e përfundimeve; nevoja për të përkufizuar ç’do të thotë “gjithëpërfshirës” përsa u përket jo katolikëve dhe ish-katolikëve; keqkuptimi se të gjitha kërkesat mund të pranohen gjatë procesit të shoshitjes; dalja në dritë e zërit të grave, sidomos në shoqëritë më patriarkale; interpretimi i sinodit nga këndvështrimi sociologjik në vend të atij kishtar, që vihet re në disa rrethana.

29 nëntor 2022, 11:56