Krajewski: pranë të gjithë atyre, që flenë në rrugë
R. SH. - Vatikan
“Endacaku, që u shua nën kolonadën e Sheshit të Shën Pjetrit, ndoshta për shkak të të ftohtit të dimrit, që tashmë po shkel edhe në Shesh, ishte një nga varfanjakët e shumtë, të ndihmuar nga Dikasteri i Bamirësisë. I qe ofruar një vend, ku mund të flinte në vapë e në ngricë, por ai e kishte refuzuar këtë ofertë dhe kishte zgjedhur për banesë, rrugën e madhe. Papa lutet për të dhe për ata që nuk kanë strehë”. Këto janë disa nga deklaratat e bëra për Vatican News nga lëmoshtari papnor, kardinali Konrad Krajewski, një ditë pas vdekjes së të pastrehit 61-vjeçar nën kolonadën e Berninit.
Kujtim për Burkhardin
Endacaku i ndjerë, Burkhard Scheffler, kishte lindur në vitin 1961, në Gjermani. Temperaturat e ulta dhe reshjet e shiut, që nuk e kursyen as Romën ditët e fundit, e keqësuan gjendjen e tij shëndetësore. Ishte një nga të varfërit e shumtë, kujton kardinali Krajewski, të cilët marrin ushqime të ngrohta dhe ngrohtësi njerëzore çdo ditë, falë angazhimit të vullnetarëve dhe shërbimeve bamirëse të krijuara në Romë dhe në Vatikan, duke përfshirë fjetoret, dushet dhe ndihmën mjekësore.
Dëgjoni intervistën me kardinalin Konrad Krajewski
Një i varfër vdiq nën kolonadën e Berninit, në Shën Pjetër, edhe për shkak të të ftohtit. Papa e kujton në lutje atë dhe të gjithë ata që detyrohen të jetojnë pa strehë…
“Dje isha në Asizi - vijon - ku më telefonuan sapo e gjetën. E njihja. Në Asizi u luta për të e fola edhe me Atin e Shenjtë. Rast i hidhur, por që nuk mund t’i errësojë të gjitha të mirat e qytetit. Me keqardhje më duhet të pohoj se këtë rrugë e kishte zgjedhur ai vetë, ndaj nuk mund të bënim asgjë më shumë: edhe një natë më parë, edhe para se të flinte, vullnetarët i ofruan gjithë shërbimin e mundshëm nga ana jonë. E kjo, nga që mjekët na thanë se ishte diabetik…”.
E kemi parë shpesh këtë njeri me një libër në dorë, duke lexuar…
“Pikërisht. Po, e njihnim…”.
Nga Papa dhe nga strukturat brenda qytetit të Vatikanit, mbërrijnë çdo ditë ndihma konkrete dhe ndihma e përditshme për këta të varfër, për këta tëpaplang, të pashtëpi …
“Ne i ndihmojmë gjithë të varfërit në emër të Atit të Shenjtë, pa kërkuar dokumente, pa kërkuar asgjë. I mirëpresim në strukturat tona, në ato të Vatikanit. Janë disa, duke filluar nga Palazzo Migliori, nga Via dei Penitenzieri, Motrat e Nënë Terezës në Vatikan... Le të marrim edhe shembullin e klinikës nën kolonadë, ku çdo muaj mirëpriten rreth 1050 të varfër, shumica të pastrehë. Të gjithë vizitohen nga mjekët, të gjithë marrin mjekim… Në muajin tetor ishin 1050 vetë. Gjë që ndodh pothuajse çdo muaj”.
Shërbim bamirësie, në dritën e Ungjillit…
“Ka dushe, ka berberë, është e gjithë struktura... Pastaj, në Romë, askush nuk vdes nga uria nëse nuk do, sepse ka shumë mensa famullie, në Caritas, në Sant'Egidio, në Misericordie ... Pra, shërbimi ndaj të varfërve është tërësisht ungjillor. Por ka edhe nga ata njerëz që nuk duan të trajtohen, që nuk duan të mirëpriten në ambientet tona. Njeriu është i lirë… dhe prandaj jetojnë kështu. Ne mund të ndihmojmë vetëm nëse na lejojnë t'i ndihmojmë”.
Duhet kujtuar edhe se, përveç strukturave, janë njerëzit që ndihmojnë, vullnetarët…
“Këtu në mbrëmje dalin vullnetarët tanë me thasë gjumi me pije të ngrohta, e edhe me vende dhe ua ofrojmë të gjithëve. Ofrojmë edhe dushin, berberin, mjekun për të marrë ilaçet që u nevojiten… Por jo të gjithë e dëshirojnë këtë. Nuk njoh asnjë qytet tjetër, të paktën në Evropë, ku ka kaq shumë vullnetarë që dalin çdo mbrëmje në të gjitha stacionet hekurudhore, në të gjitha vendet ku ka njerëz të varfër. E di, sepse rri me ta. Dhe ne i njohim këta njerëz. E mes tyre ka njerëz që, përveç një vakti, nuk duan asgjë. Ata fshihen dhe jetojnë të vetmuar”.
Çfarë u nevojitet saktësisht këtyre njerëzve të pastrehë, sidomos në këtë periudhë kur temperaturat bëhen më të akullta?
“Tani na duhen thasë gjumi, jo vetëm kur bën ftohtë, por edhe kur bie shi: zgjohen të lagur dhe duhet të sigurojmë një tjetër thes gjumi, se ku thahet i laguri? Kanë nevojë për çadra kur bie shi: të gjitha çadrat që turistët i harrojnë në muzetë e Vatikanit dhe nuk kthehen për t'i marrë, pas një jave ua japim të varfërve. Janë mijëra çadra, që i kemi gjetur dhe i kemi në dispozicion! Kur shohim kënd në rrugë të madhe, i çojmë një çaj, diçka të ngrohtë, madje mund të hapim derën e një ndërtese për ta ftuar brenda dhe për ta strehuar të paktën për një farë kohe. ... Janë gjëra shumë të thjeshta, sepse edhe nëse temperaturat nuk ulen gjatë kësaj periudhe, nëse dikush është diabetik, nëse dikush nuk mjekohet, rrethanat e motit të sotëm e shtyjnë drejt vdekjes”.
Për shumë njerëz të varfër që nuk kanë shtëpi, kolonada e Berninit është çati…
“Le të marrim rastin e sotëm. Dita është e pasigurt: këtu kemi, para dusheve të paktën 250 veta, me gjithë bagazhet, valixhet... Policia nuk të lejon të hysh në Sheshin e Shën Pjetrit me valixhe dhe çanta, por ata mund të vijnë dhe të qëndrojnë nën kolonadë, sepse koha është kështu: ku tjetër mund të strehohen? Ne i ndihmojmë sa të mundemi, e kjo ndihmë buron e gjitha nga Ungjilli, nga bamirësia e Papës Françesku, e lëmoshdhënësit, që ka mijëra e mijëra vullnetarë romakë me zemër të jashtëzakonshme!”.
Përballë vështirësive të një njeriu të varfër, të një vëllai që nuk ka shtëpi, nuk mund të qëndrosh indiferent…
“Duhet të na prekë gjithmonë pamja e njerëzve, që flenë jashtë: duhet të kemi lot; nëse nuk i kemi, atëherë ka diçka që nuk shkon me ne…”.
Për këta të varfër, siç thatë, ka edhe kujdes shëndetësor…
“Nën kolonadë kemi 50 mjekë, që vijnë nga spitale të ndryshme të Romës: ka kryemjekë dhe mjekë të të gjitha specializimeve. Papa Françesku, që nga fillimi i papnisës së tij, deshi që ne të mos kërkojmë kurrë dokumente apo kombësi: nuk na intereson. Në muajin tetor shpenzuam 22 mijë euro vetëm për ilaçe: por janë para të shpenzuara sipas Ungjillit. Edhe nëse duhet të shpenzojmë më shumë, do ta bëjmë. Dhe të varfërit tanë, me recetën e operacionit, shkojnë në farmacinë e Vatikanit dhe marrin ilaçet atje, pa paguar: gjithçka është falas”.
Cili është tipari, që e dallon rolin tuaj si lëmoshtar?
“Roli im është të zbraz llogarinë e Atit të Shenjtë: llogaria e bamirësisë së Atit të Shenjtë duhet të jetë bosh. Dhe bëj çdo përpjekje për ta zbrazur…”.