Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Cop27, Parolin: kemi pak kohë për ta ndrequr udhën, nuk duhet të vonohemi

Në Takimin e Egjiptit për klimën, ndërhyrja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, i cili përsëriti thirrjen për zgjidhje të integruara në trajtimin e “krizës shoqëroro-ekologjike”: nuk mund të mbyllemi në blloqe vendesh të izoluara, kemi detyrën morale për t'i parandaluar dhe për t’iu përgjigjur ndikimit të ndryshimeve klimatike mbi njerëzimin

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin foli sot në Takimin ndërkombëtar mbi ndryshimet klimatike COP27, që mbahet nga dita e djeshme në Sharm al-Sheikh të Egjiptit. Në qendër të fjalimit të tij, ndikimi i ndryshimeve klimatike në furnizimin e popullsive me ujë e ushqime, në varfërimin e tyre dhe në emigracionin. Në emër të Papës Françesku, kardinali kërkoi të merren seriozisht katër shtyllat e Marrëveshjes së Parisit: zbutja e pasojave, përshtatja, financimi dhe humbjet e dëmet. Këto janë çështje “barazie e drejtësie”, nënvizoi ai, duke kujtuar impenjimin e Selisë së Shenjtë për të arritur emetime zero të gazit serë në Vatikan, brenda vitit 2050.

Shtetet të jenë më të gatshme për të pritur emigrantët e rregullt

Kardinali Parolin vuri në dukje me shqetësim “krizën shoqëroro-ekologjike”, që po kalon bota dhe nevojën e vendimeve konkrete, “që nuk mund të shtyhen më”. “Kemi detyrën morale për të ndërmarrë veprime, që parandalojnë dhe u përgjigjen pasojave humanitare gjithnjë e më të rënda, shkaktuar nga ndryshimet klimatike”, theksoi ai, duke përmendur sidomos fenomenin në rritje të migrantëve, të shpërngulur nga vendi i tyre, sepse klima e tij ka ndryshuar aq shumë, sa nuk u mundëson më jetesën. Thirrja iu drejtua qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, të cilave iu kërkua që ky fenomen të konsiderohet përgjigje e natyrshme e njerëzve për t’iu përshtatur ambientit, prandaj, duhet të bëjë pjesë në një emigracion të rregullt, të pranuar nga shtetet.

Të jemi të përgjegjshëm, të guximshëm e largpamës

 Kardinali Parolin foli edhe për pasojat e pandemisë së Covid-19 dhe për ato të konflikteve në gjithë botën. “Minojnë sigurinë globale, duke krijuar pasiguri ushqimore, duke vënë në rrezik bashkëpunimin shumëpalësh dhe përpjekje si ato, që po bëhen në Sharm el-Sheikh”, vërejti ai. Nëse vijon mendësia e blloqeve të izoluara, nënvizoi më tej, planeti do të mbetet i paqëndrueshëm. Tani është çasti për solidaritet ndërkombëtar e ndërbreznor, duke marrë përsipër zgjidhjen e problemeve me “përgjegjësi, guxim e largpamësi, jo vetëm për ne, por edhe për fëmijët tanë”, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit. Në mesazhin për COP26, që u mbajt në Glasgou, Papa Françesku i pati krahasuar pasojat e ndryshimeve klimatike me ato të konflikteve globale. Duke e përmendur, kardinali Parolin nguli këmbë që politika të jetë më se e vetëdijshme se fitojmë, ose humbasim të gjithë së bashku. Nuk ka më kohë për të ndryshuar mënyrën e jetesës, prandaj, rasti i dhënë nga konferenca aktuale nuk duhet humbur. Nuk është fjala vetëm për dëme ekonomike, vuri në dukje prelati, por edhe për humbjen e trashëgimisë e të kulturave, si ato të popujve indigjenë.

Kriza ushqimore është e lidhur me atë klimatike

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i cili foli në disa tryeza të rrumbullakëta mbi tematika të ndryshme mbi klimën, vuri në dukje se me krizën klimatike janë të lidhura edhe ndotja e ambientit dhe mungesa e ujit, që duhet të hyjnë sa më shpejt në strategjitë klimatike kombëtare. Ato prekin kryesisht popullsitë më të varfëra, duke shkaktuar kriza ushqimore, që ndikojnë negativisht sidomos në rritjen e fëmijëve. Këto kriza duhen përballuar njëkohësisht, duke i parë të ndërthurura e duke gjetur zgjidhje të integruara. Ndër to, kardinali Parolin propozoi: përmirësimin e shfrytëzimit të ujit në bujqësi; harmonizimin e ndarjes së ujit dhe të të drejtave për të, përgjatë sistemeve ndërkufitare ujore, duke i kthyer në trashëgimi të përbashkët e jo në burim konflikti; zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe të ushqimit; zgjidhjen e pabarazive shoqërore, që kanë të bëjnë me binomin ujë-ushqim; shfrytëzimin e risive teknologjike në prodhimin bujqësor etj..

08 nëntor 2022, 16:53