Kërko

 Cardinale Michael Czerny Cardinale Michael Czerny

Kard. Czerny: paqja kërkon drejtësi ekonomike e shoqërore dhe shfrytëzim të barabartë të burimeve

Kardinali Czerny flet në konferencën ndërkombëtare të Forumit të Veprimit Katolik: "Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe të palodhur, bazuar në vëllazërinë dhe miqësinë tonë shoqërore në rritje, mund të arrihet zhvillimi i vërtetë, i gjithanshëm njerëzor dhe, si pasojë, paqja e qëndrueshme"

R.SH. - Vatikan

“Së bashku - dhe vetëm së bashku - ne mund të luftojmë për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të individëve, bashkësive dhe kombeve". Kështu u shpreh prefekti i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, Kardinali Michael Czerny, duke folur sot në konferencën dyditore të Forumit Ndërkombëtar të Veprimit Katolik (FIAC), me temë “Veprimi Katolik. Pasioni për njerëzimin e përtërirë në Krishtin”. Veprimtaria, e cila filloi të shtunë, 26 nëntor, u mbajt online, në Domus Mariae në Romë.

Forumi Ndërkombëtar i Veprimit Katolik

Në fjalën e tij, kardinali, duke kujtuar "botën tonë shumë të plagosur", vlerëson para së gjithash angazhimin dhe përpjekjet e bëra nga Forumi,  organ që bashkon dhe koordinon shoqatat e Veprimit Katolik në botë. Czerny vlerëson përpjekjet që, shkruan ai në mesazhin e tij, "krijojnë ekuilibër ndërmjet Kishës universale dhe asaj lokale, siç tregohet nga pjesëmarrësit e ndryshëm dhe temat e ndryshme të kësaj konference". Për Prelatin e lartë, theksi i vënë mbi pjesëmarrjen e të rinjve, është shumë  inkurajues, "sepse biseda ndërmjet brezave është themelore për të krijuar dhe për të mbështetur një lëvizje të fortë”.

Rëndësia e ekuilibrit ndërmjet universales dhe lokales

Duke folur për punën e përditshme, kryer nga Dikasteri i tij, kardinali saktësoi se kërkon të gjejë ekuilibër ndërmjet përmasës universale dhe asaj lokale, që të mund "të promovojë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, të frymëzuar nga Ungjilli dhe të pasqyrojë mësimet e Kishës”.

"Veprimi konkret në përgjigje të urgjencave është pa ndryshim lokal - vëren Czerny - dhe përvojat që ushqejnë idetë tona mbi veprimin lindin gjithashtu nga realitetet lokale". Pikërisht për këtë arsye, Dikasteri u riorganizua së fundmi në tre seksione, kushtuar kryesisht dëgjimit dhe dialogut, më pas kërkimit dhe reflektimit dhe në fund komunikimit. Duke kujtuar sesi gjithçka është e lidhur, prefekti fton të shmanget “ndarja e çështjeve njëra nga tjetra”, duke dhënë shembullin e shëndetit dhe lidhjes së tij me ekonominë, ekologjinë, migracionin dhe sigurinë.

Vëllazëria dhe dialogu

Më pas Czerny vazhdon të analizojë "katër fjalët" e bashkëjetesës, të propozuara nga Forumi, për të jetuar me dinjitet si njerëz në çdo rrethanë: vëllazëri, dialog, paqe dhe miqësi shoqërore.

Para së gjithash, vëllazëri do të thotë ta respektosh tjetrin, ta dëgjosh me zemër të hapur - kujton kardinali - do të thotë ta hapësh zemrën për takimin e vërtetë, të vetëdijshëm, siç na e kujton Shën Gjoni: "Kush nuk e do vëllanë, që e sheh, nuk mund ta dojë Zotin, që nuk e sheh". Pa harruar, për më tepër, se "Jemi përgjegjës për njëri-tjetrin dhe për shtëpinë tonë të përbashkët" dhe "nëse këto marrëdhënie dhe përgjegjësi lihen në harresë, atëherë vihet në rrezik vetë jeta".

Paqja dhe miqësia sociale

Megjithatë, për të krijuar baza të përbashkëta, për të pasur shkëmbim, për të pasuruar njëri-tjetrin dhe për të kërkuar me durim të vërtetën- argumenton Czerny -  është themelor dialogu, dialog i ndjekur, thekson kardinali, nga vetë Dikasteri, për të nxitur zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, veçanërisht lidhur me punën e kryer në favor të migrantëve dhe refugjatëve, gjatë së cilës dëgjohen edhe kishat lokale si dhe njerëzit që merren me to, për të njohur nevojat, sfidat dhe për të nxitur bashkëpunimin.

Pranimi dhe integrimi i dallimeve, pra, është aspekt themelor për qëllimet e paqes, për të ndjekur objektiva në dobi të të gjithëve - nënvizon Czerny. E kjo, sepse “paqja e qëndrueshme nuk arrihet vetëm përmes marrëveshjeve institucionale apo ekonomike, por mbi të gjitha, përmes jetës së përditshme të njerëzve”. Paqja, e cila është shumë më tepër se mungesa e luftës - vazhdon kardinali - "kërkon drejtësi ekonomike dhe sociale ndërmjet popujve, ndarje të drejtë të burimeve, mundësi të barabarta dhe  ndërthurje me mbrojtjen e mjedisit lokal dhe ekologjisë botërore”.

Një hapje e vërtetë universale

Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku në dy enciklikat e tij “Fratelli tutti” dhe “Laudato si'”, sipas të cilave "mbijetesa e planetit kërkon të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët, kërkon vëllazërim dhe miqësi shoqërore brenda kësaj shtëpie të përbashkët", përfundon kardinali, duhet kujtuar se është pikërisht miqësia sociale, kjo “mënyrë e lidhjes me të tjerët që kapërcen kufijtë, kulturat, besimet fetare dhe madje edhe interesat personale”, e cila “e bën të mundur hapjen e vërtetë universale”.

Përparësi absolute, si për Dikasterin, ashtu edhe për Forumin Ndërkombëtar të Veprimit Katolik, sipas Czerny, duhet të jetë prandaj dialogu, sepse vetëm me "një dialog të vazhdueshëm dhe të palodhur, të bazuar mbi vëllazërimin dhe miqësinë tonë shoqërore në rritje, mund të  sigurojmë zhvillimin e vërtetë e të gjithanshëm njerëzor dhe, si pasojë, paqen e qëndrueshme”.

28 nëntor 2022, 13:19