Presidenti i Qipros në audiencë te Papa Françesku
R.SH. - Vatikan
Pritja e refugjatëve, ribashkimi i ishullit të Qipros dhe problemet në Mesdhe ndër temat qё ishin në qendër të audiencës, në Vatikan, të Presidentit të Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades, i cili u prit paradite nga Papa Françesku. Pas një bisede private me Papën, Anastasiades u takua më pas me Sekretarin e Shtetit tё Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bisedimet
"Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit tё Selisё sё Shenjtё - njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit - u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy palëve dhe u shpreh vullneti për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët, përfshirë pritjen e refugjatëve". "Përveç kësaj - vijon njoftimi - u fol për procesin e ribashkimit të ishullit dhe situatën në Mesdheun lindor e në të gjithë rajonin, me shpresën qё problemet e hapura do të përballohen përmes dialogut".
Dhuratat
Gjatë shkëmbimit të dhuratave, Papa i dhuroi mysafirit të tij një mozaik që paraqet "Jezusin Bariun e Mirë, që i njeh delet e tij". Një shenjë mirënjohjeje dhe inkurajimi për të qenë pranë popullit tё tij. Më pas Papa i dhuroi vëllimet e dokumenteve të Magjisterit të tij, Mesazhin për Ditёn e Paqes 2022, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore, librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga shtёpia botuese e Vatikanit - Lev. Presidenti Anastasiades iu përgjigj me një kupë argjendi.
Papa Françesku priti për herë të parë presidentin qipriot në Vatikan në nëntor tё vitit 2019. Më 2 dhjetor 2021, të dy u takuan privatisht në pallatin presidencial në Nikosia, në kuadrin e udhëtimit të Papës në Qipro dhe Greqi.