Parolin: Papa në Bahrein, shenjë e unitetit dhe e dialogut në një çast tragjik të historisë
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku do të shkojë në Bahrein nga 3 deri më 6 nëntor. Ai do të shkojë në qytetet Manama dhe Awali, ku do të marrë pjesë në "Forumin e Bahreinit për Dialogun: Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore". Ndër ngjarjet kryesore, mesha në "Stadiumin Kombëtar të Bahreinit" dhe takimi me të rinjtë në Shkollën e Zemrës së Krishtit. Në një intervistë për gazetën “L'Osservatore Romano” dhe për Radio Vatikanin - Vatican News, Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, thekson se "në një botë të karakterizuar nga tensione, madje, nga konflikte", vizita e Papës dhe ngjarjet në Bahrein, në të cilat ai do të marrë pjesë, janë "mesazh uniteti, kohezioni dhe paqeje". Françesku do të jetë Papa i parë që do të vizitojë Bahreinin. E pyetëm kardinalin si lindi kjo vizitë?
Vizita lindi nga ftesa që Mbreti i Bahreinit i bëri Atit të Shenjtë, fillimisht në mënyrë informale, që më pas, u konkretizua dhe u formalizua në një letër personale. Përkon edhe me këtë Forum të dialogut për bashkëjetesë paqësore. Ftesës së mbretit iu shtua edhe ajo e Kishës vendase, përmes administratorit apostolik, imzot Hinder. Dua të përfitoj nga kjo intervistë, që i paraprin vizitës së Papës për të shprehur mirënjohjen time të thellë ndaj mbretit dhe autoriteteve të Bahreinit, si dhe ndaj Kishës së Bahreinit, për këtë ftesë dhe për përgatitjet, që kanë bërë për mirëpritjen e Atit të Shenjtë.
Papa do të marrë pjesë në fazën përfundimtare të Forumit kushtuar dialogut për bashkëjetesën njerëzore ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit: cili është mesazhi, që dëshiron t’i japë botës në këtë kohë?
Mesazhi, që del nga ky Forum dhe nga pjesëmarrja e Atit të Shenjtë, më duket mjaft i qartë. Është një shenjë uniteti në një moment veçanërisht delikat, të ndërlikuar dhe, në një farë mënyre, tragjik të historisë sonë. Ftesa për dialog, ftesa për takim ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në një realitet si ai i Bahreinit, që është shumëetnik, shumëkulturor dhe shumëfetar, do të thotë aftësi për të jetuar së bashku, për të bashkëpunuar. Me këtë rast, do të mbahen edhe dy takime, një i Këshillit Mysliman të Pleqve - që është një organizatë, e cila përfaqëson liderët fetarë myslimanë, të impenjuar në dialogun dhe në respektimin e feve - e më pas, një takim ekumenik ku do të marrin pjesë përfaqësues nga vende të ndryshme. Por sinjali është po ai: në një botë të karakterizuar nga tensione, nga kundërshti, nga konflikte, të jepet një mesazh uniteti, kohezioni, paqeje.
Prania e Papës në Forum të kujton Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi. Në vazhdimësi me magjisterin e Papëve, aty thuhet se emri i Zotit nuk mund të përdoret kurrë për të justifikuar dhunën dhe luftën. Ç’rëndësi ka ky mesazh sot?
Më duket se ka aktualitet të madh dhe është disi filli i kuq, që i lidh të gjitha udhëtimet e Papës në ato vende, i fundit në Kazakistan. Por mund të përmendim edhe udhëtimin që bëri, për shembull, në Irak, vitin e kaluar, apo edhe më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Marok, Egjipt, Azerbajxhan. Dhe ky fill i kuq është thjesht thënia se ndërmjet Zotit dhe urrejtjes, ndërmjet fesë dhe dhunës, ka papajtueshmëri absolute, është i pamundur çdo kontakt dhe çdo pajtim, sepse ata që pranojnë urrejtjen e dhunën shpërfytyrojnë vetë natyrën e fesë. Sidomos në Kazakistan, Papa nguli këmbë në dy pika, që unë mendoj se janë të rëndësishme për t'u riparë: nga njëra anë purifikimi, sepse ekziston gjithnjë tundimi për ta manipuluar fenë dhe për ta përdorur për qëllime që nuk janë fetare, për qëllime pushteti, për qëllime shtypjeje. Prandaj, Papa na fton të purifikohemi thellë. E, njëkohësisht, të bashkohemi: vërtet, fetë mund të bashkëpunojnë në këtë kuptim, pikërisht për të eliminuar çdo keqkuptim, në mënyrë që feja të bëhet gjithmonë një faktor pajtimi, një faktor paqeje, një faktor kohezioni dhe harmonie.
Në Bahrein feja kryesore është Islami, katolikët janë një pakicë e vogël. Si janë marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe këtij vendi të Gjirit Persik?
Po, e drejtë, në Bahrein Islami është fe shtetërore dhe Sheriati është burimi kryesor i ligjit. Bashkësia e krishterë është 10% e kësaj popullsie, ndërsa katolikët janë nga 80 deri në 100.000 vetë. Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë u krijuan në vitin 2000 dhe më duket se janë të mira. Nga ana e autoriteteve shtetërore ka pasur gjithmonë respekt dhe bashkëpunim me katolikët, si me besimtarët, ashtu edhe me administratorin apostolik. Vizita e Papës do të shërbejë edhe për ta takuar këtë bashkësi dhe për ta inkurajuar në jetën dhe dëshminë e saj.
Papa do të shkojë në qytetet Manama dhe Awali. Këtu një vit më parë u shugurua katedralja e Zojës së Arabisë: guri i parë i kësaj kishe - një tullë e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit - u dhurua nga vetë Françesku…
Po, ekziston kjo lidhje shumë e ngushtë përmes këtij guri simbolik, në themel të kësaj kishe. Kjo kishë është e rëndësishme për komunitetin vendas, pa dyshim, sepse ai ka nevojë për vende kulti ku mund ta jetojë fenë e vet. Por është e rëndësishme edhe si shenjë e atij respekti dhe të asaj vëmendjeje, që përmenda edhe më parë, nga ana e autoriteteve të vendit. Pra, është simbol i bukur, si edhe realitet konkret, i qëndrimit të deritanishëm dhe i qëndrimit, që shpresojmë të ruhet edhe në të ardhmen ndaj bashkësisë së krishterë.