Papa Françesku kujton nismën artistike të mbrëmjes për Shën Pjetrin
R.SH. - Vatikan
“Sonte në fasadën e Bazilikës së Shën Pjetrit do të projektohet një vepër audiovizive kushtuar figurës së Apostullit”.
Papa Françesku, pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, kujtoi kështu shfaqjen, që do të përsëritet nga mbrëmja e sontme, deri më 16 tetor, nga ora 21:00 deri në 23:00. Duke shprehur vlerësimin e tij për nismën, nënvizoi:
“Falënderoj të gjithë ata që punuan për këtë nismë, e cila përuron itinerarin baritor kushtuar Shën Pjetrit dhe misionit të tij. Rizbulon edhe humanizmin e krishterë të Pjetrit, plot brishtësi dhe sprova, si tonat, por edhe plot dëshirë për pafundësi dhe etje për Zotin”.
Është fjala për videon e titulluar “Ndiqmë. Jeta e Pjetrit”, që të krijon idenë se Bazilika ruan kujtimin e Apostullit Shenjt dhe se, njëkohësisht, ndriçohet nga vetë jeta e Pjetrit.