Jubileu, formohet Komisioni për dëshmitarët e fesë
R.SH. – Vatikan
Në përgatitje të Vitit Shenjt 2025, do të themelohet një Komision për dëshmitarët e fesë, i cili është formuar edhe një herë tjetër, me dëshirën e Shën Gjon Palit II, për Jubileun 2000. Njoftimin e dha kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit vatikanas për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë konferencës “Shenjtëria sot”, që përfundoi dje (5 tetor) në Universitetin Papnor Augustinianum. Të dëgjojmë vetë kardinalin, i cili, në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News, shpjegon ç’është ky Komision…
Kjo nismë është realizuar edhe më parë, me rastin e Jubileut të Madh të vitit 2000. Shën Gjon Pali II deshi të viheshin në pah këto figura burrash dhe grash, të cilët edhe pse nuk janë kanonizuar, kanë dëshmuar fuqishëm fenë. Prandaj, me ngritjen e këtij Komisioni, u ngarkua Bashkësia e Shën Egjidit. E u hartua edhe një listë me biografitë e njerëzve, që i flasin gjithë botës së krishterë, jo vetëm katolikëve. Përvoja e këtij Komisioni u kufizua në Jubileun e Madh të vitit 2000. Kjo ide u rikthye me rastin e Vitit Shenjt 2025, që po përgatitet. Papa Françesku na tha se do ta riformojë këtë Komision, kësaj radhe pa ia bashkangjitur ndonjë rrethane të veçantë, por duke e lidhur përgjithmonë me veprimtarinë e Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Kështu, krijohet një Komision i përhershëm. Në ditët që vijnë, do ta themelojmë këtë realitet edhe si fushë studimi.
Kush janë dëshmitarët e fesë?
Po ju jap një shembull: menjëherë më vjen ndërmend Dietrich Bonhoeffer, teolog luteran gjerman dhe bari i Kishës, që u vra, sepse ishte kundër nazizmit. Kisha nuk e shpall martir, sepse nuk ishte katolik. Megjithatë, ai është figurë e rëndësishme si dëshmitar i krishterë. Ashtu si Bonhoeffer, ka edhe shumë të tjerë. Shenjtëria nuk është gjithmonë e qartë për sytë e besimtarëve. Shërbimi ynë është ta nxjerrim në dritë atë. Ne “nuk krijojmë shenjtorë”, por e ndihmojmë Papën për t’i dalluar ata. Duhet të tregojmë se shenjtëria nuk është larg nesh, por është thirrje, që u përket të gjithëve. Nuk është e nevojshme të na kanonizojë Kisha, ne vetë duhet t’i përgjigjemi thirrjes për shenjtëri.