Vizita e Atit të Shenjtë në Asizi Vizita e Atit të Shenjtë në Asizi   Editorial

Të ndryshohet modeli i zhvillimit, para se të jetë tepër vonë!

Papa Françesku nënshkroi, në Asizi, një Pakt me të rinjtë, në të cilin angazhohen ta shkrijnë jetën, që ekonomia e sotme dhe e nesërme të bëhet ekonomi e rilindur nga Fjala e Zotit!

R. SH. - Vatikan

Që nga nëntori i vitit 2013, në nxitjen Evangelii gaudium, që përfaqëson “road map” të papnisë, Françesku pati folur për një ekonomi “që vret”. “Sot - shkruante Papa - gjithçka hyn në lojën e konkurrencës dhe në ligjin e më të fortit, ku i fuqishmi e ha më të dobëtin. Si pasojë e kësaj situate, masa të mëdha popullsie përjashtohen dhe flaken në rrugë të madhe: pa punë, pa perspektivë, pa rrugëdalje. Njeriu shikohet si mall konsumi, që mund të përdoret e më pas të flaket tutje. Krijuam kështu kulturën e “hedhurinave”, e cila madje edhe promovohet… Të përjashtuarit nuk janë “të shfrytëzuar” por mbeturina, hedhurina”.

Këto fjalë, pas të cilave mbi Papninë rëndoi akuza sa e ashpër, aq edhe e pabazë e marksizmit, e nisur nga komentues që nuk e njihnin Doktrinën Shoqërore të Kishës, mbeten ende aktuale. Atëhere Françesku nisi të flasë qartë dhe pa mëdyshje nga Asizi, duke iu drejtuar të rinjve të kërkojnë ngutshëm ndryshimin e modelit të zhvillimit, nëse duam ta shpëtojmë njerëzimin e kërcënuar nga pandemitë, luftërat dhe ndryshimet klimatike.

“Ekonomia e frymëzuar nga përmasa profetike - u tha Papa të rinjve të “Ekonomisë së Françeskut” - shprehet sot në një vizion të ri të mjedisit dhe tokës. Janë të shumtë njerëzit, shoqatat dhe institucionet, që po bëjnë kthesë ekologjike. Ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë e të bëjmë edhe më shumë. Këtë “më shumë” po bëni edhe ju, e po ua kërkoni të gjithëve. Nuk mjafton të bësh makjazh, modeli i zhvillimit duhet vënë në dyshim. Situata është e tillë, që nuk mund të presim samitin e ardhshëm ndërkombëtar, i cili mund të mos ndihmojë: toka po digjet sot e pikërisht sot duhet të ndryshojmë, në të gjitha nivelet”.

Ndaj nuk mjaftojnë disa veprime të cekta, nuk mjaftojnë mjetet që u interesojnë “greenwashing”, për të vijuar gjithçka si më parë. Modeli i zhvillimit duhet vënë menjëherë në dyshim!

Kjo e Papës është thirrje, që shkon drejt e në rrënjë të problemit, por që nuk është pranuar, nuk është kuptuar as nuk është mbështetur si duhet vitet e fundit. Në krahasim me vitin 2013, situata është edhe më tragjike, për shkak të luftës që shpërtheu në zemër të Evropës me agresionin rus kundër Ukrainës,  gjë u dha qeverive shkasin t’i mbyllin ndër sirtarët e tyre politikat ekologjike, tashmë joefektive. Papa Françesku, i cili në enciklikën Laudato si' ka treguar se uria, luftërat, migrimi dhe ndryshimet klimatike janë të ndërlidhura, kujtoi nga Asizi se “klithma e të varfërve dhe klithma e tokës janë e njëjta britmë”, duke kërkuar të parapëlqente, ndërmjet rrugëzgjidhjeve ambientale, ato që “pakësojnë mjerimin dhe pabarazitë”.

Por edhe nëse e ardhmja e botës na duket sot me ngjyra të zymta për shkak të kërcënimit bërthamor dhe garës po aq të çmendur për riarmatim, ai që vjen nga Asizi është mesazh shprese: ka të rinj të vendosur të angazhohen me frymë krijuese për një ekonomi e re, ekonomi ndryshe, ekonomi më njerëzore; për një financë të re që nuk ka në qendër “zotin para”, por njeriun. Modeli i zhvillimit mund të ndryshohet vetëm me pjesëmarrje nga poshtë dhe nga qeveri të bindura për nevojën e zgjedhjeve largpamëse, që të garantohet ardhmëria për tokën dhe për kë banon në të.

24 shtator 2022, 14:30