Kardinali Piacenza: vetëm Zoti krijon dhe fal
R.SH. - Vatikan
“Në sakramentin e rrëfimit Zoti ‘sillet me ne si Krijues i mëshirshëm, i gatshëm për të na dhuruar jo vetëm ndjesën, por edhe vetveten; në çdo rrëfim, Jezusi na dhuron vetveten e na kërkon të mikpritet gjithnjë në zemrat tona e në jetët tona. Kthesa është kushti i domosdoshëm i kësaj mikpritjeje’”. Këtë theksoi Kryependestari, kardinali Mauro Piacenza, në homelinë e mbajtur gjatë Meshës, me të cilën përfundoi, në Shën Pjetër, nisma “Manastiri wi-fi”.
Mister, dashuria hyjnore
Mister i madh është pafundësia e dashurisë hyjnore, që krijon falas, shpëton falas, shenjtëron falas. Prandaj ne besojmë, me Shën Gjonin, se Zoti vetë është Dashuri: ai jo vetëm do, por është dashuri, e vetëm njohja e vërtetë e Zotit mund t’i tregojë njeriut çfarë është dashuria e vërtetë. Larg marrëdhënies jetëdhënëse me Zotin trinitar, mund të ketë vetëm “imitime të dashurisë”, që kanë të bëjnë pak e aspak me Zotin e me dëshirën e thellë të zemrës njerëzore për të dashur dhe për t’u dashur, ndaj na lënë pa dritë dhe shpresë”.
Kriza në botën e sotme, mungesë shprese
Shën Pali VI pati nënvizuar se kriza e fesë në botën bashkëkohore është thjesht mungesë shprese. E shpresa, për ne të krishterët, nuk është vetëm një nga tre virtytet teologjike: është vetë Krishti, siç thotë Shkrimi Shenjt.
“Zoti - e kjo është tema e këtij kapitulli të katërt të Manastirit Wi-Fi - “na dorëzohet” në sakramentin e pajtimit, si mëshirë hyjnore, e aftë për ta rikrijuar njeriun, duke i dhuruar jetë të re, duke e rizhytur në hirin e pagëzimit. Të mos harrojmë se në të gjithë Shkrimin Shenjt ka vetëm dy folje, që kanë të bëjnë vetëm me Hyjin; ‘krijon’ dhe ‘fal’. Vetëm Zoti krijon nga asgjëja, vetëm Zoti rikrijon, fal, duke i dhënë jetë të re krijesës së tij.
Çfarë na shtyn të gjunjëzohemi në rrëfyestore?
Kryependestari, në vijim, pyeti: “Çfarë na shtyn të dorëzohemi plotësisht në rrëfim? Si mund të kapërcehen të gjitha ngurrimet kur gjunjëzohemi në rrëfyestore për një rrëfim të plotë e të përulur, pa ngurrime a justifikime të vetvetes, duke pranuar mëkatin?”. E edhe u përgjigj, duke nënvizuar dy “forca tërheqëse të përhershme”: “Ngjarjen e jashtëzakonshme, vetëdijen e një Zoti, që u dhurohet njerëzve, për t’i shpëtuar”, dhe “gëzimin, që shoqëron sigurinë morale dhe besimin se u fale”. Nuk është ndjesi e natyrës psikologjike, por teologjike: ne nuk pretendojmë se rrëfimi do t’i zhdukë ‘ndjenjat e fajit’; përkundrazi, duhet të zgjidhë ndjenjën e mëkatit, realitet teologjik, jo psikologjik”.
Kardinali Piacenza theksoi gjithashtu “detyrën e dëmshpërblimit”. Kujtoi se “mëkati shlyhet nga mëshira e Zotit, nga Kisha, nëpërmjet shërbëtorit të saj, veçanërisht priftit, por detyra e dëmshpërblimit për të keqen e kryer mbetet detyrim serioz moral i të penduarit”. Në këtë rrugëtim “Kisha na mbështet” përmes “dhuratës së çmuar dhe të jashtëzakonshme të Ndjesave”.
Kardinali e mbylli predikimin e tij me emocion, me mendimin se kur kryqi lind me dashuri e në bashkim me Jezusin, është porta e ringjalljes. Duke na kujtuar edhe se “i dorëzohemi një Nëne shumë të butë, e cila na shoqëron, na mbështet dhe na mbron nën mantelin e saj të bardhë si dëbora”.