Kardinali Parolin: kërcënimi i armëve bërthamore në Ukrainë është i neveritshëm
R.SH. - Vatikan
Një botë "pranë humnerës së luftës bërthamore". Këtë ripohoi Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, nё fjalёn e tij, dje, në Kombet e Bashkuara mbajtur në një takim të nivelit të lartë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Armëve Bërthamore. Kërcënimi i përdorimit të këtij lloji të armëve në konfliktin në Ukrainë, i cili, tha kardinali Parolin, e ka rikthyer konfliktin në Evropë në një dimension të paparë prej breznish është "i neveritshëm".
Një imperativ moral dhe humanitar
Ai bërthamor, nënvizoi Sekretari i Shtetit tё Vatikanit kardinali Parolin, është një kërcënim qё po kanoset e qё ka implikime shkatërruese për mbarë njerëzimin dhe tregon se qëllimi i një eliminimi përfundimtar të armëve atomike, siç shkroi Papa Françesku në enciklikën ‘Fratelli tutti’, është "një sfidë dhe njё imperativ moral e humanitar”. Megjithatë, theksoi kardinali Parolin, veprimet e shteteve që kanë një arsenal bërthamor janë larg nga favorizimi i një rezultati të tillë, sepse duke zgjeruar dhe modernizuar armët e tyre atomike ata vazhdojnë të mbështeten në forcën bërthamore, duke shpërfillur detyrimet e traktateve ndërkombëtare siç është neni 6 i Traktatit të mospërhapjes bërthamore.
Ende larg një bote pa armё atomike
Gushtin e kaluar, Shtetet nënshkruese të marrëveshjes së vitit 1968 për rregullimin dhe stabilizimin e arsenaleve u takuan me rastin e Konferencës sё dhjetë të Rishikimit të Traktatit dhe nuk arritën një marrëveshje për një dokument të përbashkët. Një rrethanë që Selia e Shenjtë e ka ndjekur me shqetësim. Edhe nëse drafti do të ishte miratuar, nёnvizoi kardinali Parolin, mungesa nё tekst pёr angazhime të reja të rëndësishme mbi çarmatimin, megjithatë nuk do ta kishte afruar njerëzimin me një botë pa armë bërthamore.
Ne kemi nevojë për angazhimin e fuqive bërthamore
Është bërë përparim nё kuadrin e Traktatit të Ndalimit të Armëve Bërthamore të vitit 2017 me Shtetet anëtare që kanë miratuar së fundmi një plan veprimi në fushёn e verifikimit tё armëve, tё ndihmës e mbёshtetjes sё viktimave dhe nё ballafaqimin e pasojave mjedisore të energjisë bërthamore. Përpjekje që për Selinë e Shenjtë duhet t’i bëjnë edhe fuqitë bërthamore, pavarësisht qëndrimit të tyre ndaj këtij Traktati të cilin nuk e kanë nënshkruar.
Një sistem gjithnjë e më i brishtë
Një objektiv tjetër është përforcimi i përpjekjeve për hyrjen në fuqi të Traktatit për ndalimin e plotё të testeve bërthamore të vitit 1996, qё ende nuk ёshtё ratifikuar nga tetë vende nënshkruese, dhe rinisja e negociatave për traktatet mbi menaxhimin e materialit bёrthamor dhe mbi garancitë e mospërdorimit tё arsenaleve. Pa përparim të dukshëm drejt këtyre qëllimeve, ripohoi Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, sistemi aktual rrezikon njё kthim mbrapa. Për sa kohë ekzistojnë armët bërthamore, mundësia e përdorimit të tyre nuk mund të përjashtohet dhe kjo, siç tha Papa Françesku në Hiroshima në vitin 2019, “kërcënon çdo të ardhme të mundshme për shtëpinë tonë të përbashkët.