Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin për Ukrainën: “Të shmanget çdo shkallëzim”
R.SH. - Vatikan
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, bisedon me vatikanistin e Tg1 (Rai1), Ignazio Ingrao mbi magjisterin e paqes të të lumit të ri Gjon Pali I, luftën në vijim dhe rrezikun e katastrofës bërthamore. I uron politikës italiane një proces sinodal, domethënë më shumë aftësi për të dëgjuar popullin. Intervista, që u transmetua dje, në orën 20:00, dhe sot në edicionet e lajmeve në orën 07.00 dhe 08.00 dhe në hapësirën e Tg1 Mattina te televizionit italian Rai.
Ignazio Ingrao: Hirësi, i Lumi Gjon Pali I i flet ende botës së tronditur nga lufta e sotme. “Duam paqe” pati thënë në mesazhin e tij të parë Urbi et Orbi e, në Engjëllin e Tënzot, kërkoi lutje për paqen në Lindjen e Mesme. Kisha i thotë jo çdo dhune, ngado që të vijë!
“Do ta citoja edhe unë në fillim këtë pikë të Mesazhit Urbi et Orbi, njëri nga gjashtë mesazhet, me të cilin Gjon Pali I e nisi papninë e tij. Lexoj: ‘Të favorizohen të gjitha nismat, që mund ta mbrojnë dhe ta ruajnë paqen në mbarë botën e trazuar’. Kjo vëmendje dhe ky shqetësim për paqen ishte një nga pikat kryesore të papnisë së tij të shkurtër, e lidhur, mbi të gjitha, me ngjarjet e Camp David, pra me kërkimin e paqes ndërmjet hebrenjve dhe palestinezëve, Izraelit dhe Palestinës. Pati nisma të ndryshme Papa Luciani, ndërmjet të cilave e mbi të gjitha, nisma e Engjëllit të 10 shtatorit 1978, kur Papa kujtoi atë që kishte ndodhur në Camp David e sidomos faktin që udhëheqësit kishin bërë ftesën për t'u lutur: jo vetëm për të punuar, pra, por edhe për t'ia besuar Zotit këtë angazhim për paqen. Ishte një nga pikat cilësuese të papnisë së Tij. Për këtë kishte folur edhe para disa ditësh me Trupin Diplomatik, duke kujtuar se Kisha nuk ka zgjidhje konkrete për të propozuar, por ka një frymë që mund ta transmetojë, nën dritën e së cilës mund të zgjidhë problemet e mëdha të sotme në botë. Do të doja ta mbyllja këtë pikë duke cituar Papën Françesku në parathënien që u bëri dokumenteve të papnisë së Luçianit, ku thekson se Gjon Pali I i tregoi njerëzimit sa e shtrenjtë është paqja për Kishën”
Gjon Pali I qe bari pranë njerëzve, punëtorëve, duke nisur nga më të fundmit, si Papa Françesku. Edhe për këtë mesazhi i tij është shumë aktual: të vihen të varfrit në qendër, në një botë me pabarazi në rritje.
“Më kujtohet ajo që tha Patriarku i Venedikut, kur e pyetën nëse ka ende ndonjë kujtim për Patriarkun Luciani në Venecia. Edhe sepse ato ishin vite të tronditura nga shumë tensione: ishin vitet e pas-Koncilit, të kundërshtimeve etj etj, e Luçiani u ndodh në mes të gjithë kësaj situate, e megjithatë Patriarku tha: ‘shumica e atyre që e kujtojnë, janë njerëz të thjeshtë’. Kujtoi kështu pikërisht atë, që ishte një nga karakteristikat kryesore të Papës Luçiani: bari pranë popullit, bari i vëmendshëm ndaj nevojave konkrete të njerëzve, ndoshta edhe për shkak të së kaluarës së tij, ndoshta edhe për ambientin ku jetoi, ambient i varfër, i ngushtë, i prekur rëndë nga emigrimi. Ishte Papë, që i kushtoi vëmendje të madhe të varfërve dhe që donte një Kishë të varfër, në shërbim të të varfërve, jo vetëm një shërbim bamirësie personale, por edhe bamirësie globale. Në këtë Luciani u frymëzua mbi të gjitha nga papnia Montiniane dhe në veçanti, nga enciklika Populorum Progressio”.
A është i Lumi Gjon Pali I model përvujtërie për Barinjtë dhe për të gjithë të krishterët?
“Po, ne kemi kaq shumë nevojë për përvujtëri në botën tonë. Është virtyti kryesor. Ai thoshte: cili është virtyti i parë i një bariu? Përvujtëria. Po i dyti? Përvujtëria. E i treti? Përvujtëria! E edhe i katërti ishte gjithnjë përvujtëria. Sigurisht ky ishte tipari kryesor i Tij. Nga pikëpamja personale, ai e jetoi plotësisht këtë virtyt, e zgjodhi si moto të tij. Në moton e tij spikaste përvujtëria e Shën Augustinit dhe e Shën Karl Borromeut. Dëshiroj të citoj dy fraza në lidhje me këtë, nga kardinali i atëhershëm Ratzinger, i cili kujtoi se Luciani nuk kërkoi kurrë pozita të spikatura në Kishë e, kur ata iu ngarkuan - ai, në lidhje me papninë, tha vetëm: ‘Nuk e prisja' – dhe e jetoi gjithmonë si shërbim. Më pas Benedikti XVI shtoi se pikërisht përvujtëria është trashëgimia shpirtërore që i lë Gjon Pali I botës”.
Ne folëm për Gjon Palin I dhe paqen. Sot jemi dëshmitarë të pozitës delikate të Kishës lidhur me luftën në Ukrainë ndërmjet nevojës për të kërkuar paqen dhe nevojës për t’i dalluar përgjegjësitë. Si Sekretar Shteti, si e shihni atë që po ndodh?
“Unë e shikoj me shqetësim të jashtëzakonshëm, sepse kjo luftë ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë, tashmë kanë kaluar gjashtë muaj nga fillimi i këtij konflikti me të gjitha pasojat e tmerreve që sjell me vete: në komunikatën e fundit të Selisë së Shenjtë u përdorën epitete shumë të forta për ta cilësuar, besoj se pasqyrojnë edhe qëndrimin tim personal dhe gjithë pozicionin dhe mënyrën si e ndjen Selia e Shenjtë, duke nisur nga vetë Papa. Mbi të gjitha, shqetësimi se nuk ka perspektivë, as mundësi për zgjidhje përmes bisedimeve. E kjo na shqetëson më shumë. Ne jemi gjithnjë gati, në kuptimin që të mos ia mbyllim derën askujt, duke u përpjekur t’u ofrojmë gjithë të përfshirëve, protagonistëve, mundësinë e gjetjes së një terreni neutral ku të takohemi dhe në të cilin të kërkojmë një zgjidhje që është, siç pati thënë Gjon Pali I në lidhje me marrëveshjet e Camp David, 'e drejtë dhe e plotë'. Domethënë, zgjidhje e drejtë në kuptimin që plotëson nevojat e gjithsecilit, gjë që është shumë e vështirë për t’u bërë, por të paktën tensioni duhet të jetë dhe të jetë i plotë, domethënë që zgjidh të gjitha problemet, në mënyrë që të mos lindin probleme të reja dhe konflikte të reja”.
Këto çaste inspektorët e Aiea-s ndodhen në Zaporizhia. Mbarë botën e shqetëson rreziku i katastrofës bërthamore…
“Thirrja është që të shmanget çdo shkallëzim, veçanërisht në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore, duke ditur se çfarë pasojash do të kishte nëse do të bëhej edhe një hap i gabuar në atë drejtim. Thirrja është gjithmonë e njëjtë: drejt urtisë, thirrje për moderim, në kërkim të zgjidhjeve paqësore. Dhe do të doja të përsërisja atë që thanë papët, atë që tha Piu XII dhe atë që kanë përsëritur të gjithë. “Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka humbet me luftën, që po e provojmë”.