Kërko

Hapet Konkursi për kompozimin e Himnit të Jubileut 2025

Me thirrjen e sotme, muzikantët nga pesë kontinente ftohen të krijojnë muzikën e himnit të titulluar “Shtegtarët e Shpresës" - që është edhe motoja e Vitit të Shenjtë - shkruar nga Pierangelo Sequeri. Partiturat mund të paraqiten deri më 25 mars 2023. Kërkohet që ato të ekzekutohen nga schola cantorum, si dhe nga asamble liturgjike.

R. SH. - Vatikan

Papa shpall Jubileun 2025. E quan shenjë e rilindjes pas vuajtjeve të pandemisë. E me ftesën drejtuar kompozitorëve nga mbarë bota, hapet edhe konkursi ndërkombëtar i organizuar nga Dikasteri për Ungjillëzimin,  të cilit Papa i besoi organizimin e Jubileut, për ta muzikuar himnin zyrtar të Jubileut 2025. Teksti, në italisht, është vepër e Pierangelo Sequeri-t. Seksioni për çështjet themelore të ungjillëzimit në botë i Dikasterit, të cilit Papa ia ka besuar organizimin e Jubileut, kërkon një kompozim muzikor që mund të shprehë identitetin e ngjarjes. Në një komunikatë, Dikasteri shpjegon se motoja e Jubileut, “Shtegtarët e shpresës”, e zgjedhur nga Françesku, do të mund t’i udhëzojë muzikantët nga kontinente të ndryshme për të kompozuar muzikë që e shndërron në këngë  këtë temë të veçantë. Sipas Rregullores, duhet pasur parasysh natyra liturgjike dhe mundësia që partitura të realizohet nga schola cantorum, si dhe nga një asamble liturgjike. Pjesa muzikore nuk duhet të jetë e botuar.

Si mund të marrësh pjesë në konkurs

Pjesëmarrja në konkursin, që u hap sot, është falas. Njoftimi mund të konsultohet në faqen e internetit www.iubilaeum2025.va/it/inno.html dhe në faqen e internetit të Dikasterit, www.pcpne.va. Nga 16 janari 2023 do të jetë e mundur të bëhet propozimi në faqen përkatëse. Afati i fundit për dorëzimin e krijimeve është 25 Mars 2023, deri në orën 20:00 (CET). Më pas do të jetë një komision specialistësh, i caktuar më vonë, për vlerësimin e kompozimeve dhe për të vendosur se cila do të jetë muzika e himnit zyrtar të Jubileut 2025.

Roli i këngës në jetën e besimtarëve

Kënga -  lexojmë në shënimin e Dikasterit - e shoqëron jetën e besimit, që është “shtegtim në dritën e Zotit të Ngjallur”. Këtë e tregojnë edhe Shkrimet e Shenjta  që “përplot me këngë dhe psalme,  janë shembull i mrekullueshëm i lartimit të besimtarëve drejt Zotit”. Lutjet e popullit të Izraelit u shkruan për t’u kënduar e, në këngë, u paraqitën ngjarjet më njerëzore përpara Zotit. Tradita e Kishës nuk bën tjetër, veçse ta zgjasë këtë bashkim, duke e bërë këngën dhe muzikën një nga mushkëritë e liturgjisë së saj.

Shtegtarët e shpresës”: Jubileu 2025, për një botë më të mirë

Jubileu, pra, një ngjarje që i nxit njerëzit të shtegtojnë drejt Portës së Shenjtë, gjen tek kënga një nga mënyrat për t'i dhënë zë motos “Shtegtarët e shpresës”. Teksti, i përgatitur nga Pierangelo Sequeri, prek temat e shumta të Vitit të Shenjtë. Që në titull, që është edhe motoja e jubileut, ndjehet, para së gjithash, jehona biblike, dalë nga versetet e profetit Isaia (Isaia 9 dhe Isaia 60), në të cilat trajtohen temat e krijimit, vëllazërisë, butësisë së Zotit dhe shpresës. Fjalët janë këngë drejtuar Zotit, që lind nga shpirti gjatë shtegtimit. “Këngë plot shpresë - shpjegon akoma nota e Vatikanit - që i jep energji hapit të popullit shtegtar”.  “Është Zoti që, si flakë e përjetshme, e mban të ndezur shpresën dhe u jep energji hapave të njerëzve që ecin”, nënvizon Dikasteri për Ungjillëzimin, duke shtuar se “profeti Isaia sheh vazhdimisht familjen e burrave dhe grave, fëmijëve dhe bijave, që mblidhen në dritën e Fjalës së Zotit. Në dritën e Birit të bërë njeri, Jezusit, i cili me Fjalën e tij mbledh çdo popull dhe komb!

Po kujtojmë edhe tekstin e himnit, propozuar muzikantëve, përkthyer lirisht në gjuhën shqipe:

Shtegtarë të shpresës

Flakë e gjallë e besimit tim,

kjo këngë der’ tek Ti ushtoftë!

Prehër i ngrohtë i jetës pambarim,

kur të jemi përudhë u këndoftë!

Çdo gjuhë, popull e komb,

në Fjalën tënde gjen hir

Bij e bija të përhumbur

I pret krahhapur yt Bir

Zoti shikon dhembshurisht:

agon ardhmëria e së Vërtetës

Kaltrojnë qiej të rinj, tokë e re

S’ njeh mure Shpirti i jetës!

Lartoji sytë, me erën flut’ro,

Shpejto ti Zotin për të gjetur

Birin e bërë njeri ti shiko

e do të gjesh udhën e tretur.

O flakë e shpresës së dëshiruar

kjo këngë arriftë në Pambarim,

Prehër i  jetës s’amshuar,

Ta besoj veten në shtegtim!

17 shtator 2022, 13:42