Dikasteri Vatikanit për Zhvillimin Njerëzor, rregulla të reja për veprimtarinë misionare
R.SH. - Vatikan
Riorganizim i brendshëm, për t’i dëgjuar më shumë Kishat vendase dhe meshtarët që nxisin zhvillimin integral, kërkim përgjigjesh për sfidat e sotme, në dritën e disiplinave dhe doktrinës shoqërore të Kishës, parashtrim i dokumenteve dhe propozimeve. Prefekti i Dikasterit tё Vatikanit pёr Shërbimit të Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, Kardinali Czerny, motra Smerilli dhe At Baggio: kërkojmë mundësi për të bashkëpunuar! Dikasteri për Zhvillimin Njerëzor, rregulla të reja, për përtëritjen e veprimtarisë misionare.
Nga Covid, tek të varfërit; nga ambienti, tek ndihma humanitare; nga çarmatimi, te tregtia; nga migrantët, tek financat, tek lufta dhe drejtësia. Dikasteri i Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor i cili tashmë ka nisur riorganizimin e brendshëm pikërisht për të rinovuar dhe për të kryer misionin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, merret me shumë fusha.
Dëgjim, dialog, hulumtim, komunikim
“Dëgjim-Dialog”; “Kërkim-reflektim”; “Komunikim-freskim” janë tre seksionet programatike, në të cilat do të aktivizohen punonjësit, me mbështetjen e tre grupeve: sekretariatit të përgjithshëm, grupit të vlerësimit dhe të planifikimi, administratës dhe shërbimeve. Dëgjimi dhe dialogu - siç thuhet në faqen e internetit të Dikasterit - me kishat lokale dhe meshtarët e ndryshëm, që promovojnë zhvillimin integral njerëzor; kërkimet dhe reflektimet lidhur me sfidat e botës së sotme, parë në dritën e të gjitha disiplinave të nevojshme dhe doktrinës shoqërore të Kishës, në kërkim të përgjigjeve dhe komunikimi, janë rrugët e reja në të cilat mendohet të ecet për ta përtërirë vetë Dikasterin!
Ndihmë për Papën dhe ipeshkvijtë e botës
Në një letër, eprorët – kardinali-prefekt Michael Czerny, sekretarja Motra Alessandra Smerilli dhe nënsekretari At Fabio Baggio - kujtojnë kushtetutën apostolike Praedicate Evangelium, në fuqi që nga qershori i kaluar, me të cilën Papa reformoi Kurien Romake. Dokumenti i ngarkon Dikasterit për Zhvillim e Gjithanshëm “detyrën e mbrojtjes të njeriut dhe të dinjitetit të tij, dhuruar nga Zoti, të të drejtave të njeriut, shëndetit, drejtësisë dhe paqes”, në të gjitha fushat e jetës publike dhe shoqërore, në shtëpinë e përbashkët, që iu besua familjes sonë të vetme njerëzore. Mandati - nënvizojnë më pas drejtuesit në letër - “është të ndihmojë dhe të mbështesë Atin e Shenjtë dhe ipeshkvijtë në mbarë botën”, domethënë Konferencat Ipeshkvnore rajonale dhe kombëtare, strukturat hierarkike të Kishave Lindore, ipeshkvijtë dhe patriarkët, zyrat e kongregacioneve fetare, që merren me zhvillimin njerëzor. Por edhe lëvizjet, zyrat e komunikimit dhe të medias, qendrat sociale, organizatat dhe universitetet katolike etj. “Të dëgjuarit, të folurit dhe të reflektuarit në mënyrë sinodale” këto udhëzimet, mbi bazën e të cilave realizohet misioni i Dikasterit, që përpiqet t’i shërbejnë zhvillimit të gjithanshëm njerëzor”.
Misioni nga institucioni
I themeluar në gusht 2016 me motu proprion Humanam Progressionem, Dikasteri për Shërbimin e Gjithanshëm të Zhvillimit Njerëzor (DSSUI) nisi veprimtarinë në vitin 2017, pas bashkimit të katër Këshillave Papnore të mëparshme: ai i Migrantëve dhe Endacakëve, i Drejtësisë dhe Paqes, i Punonjësve të shëndetësisë dhe Cor Unum.
Përfaqësues i Papës në Ukrainë
Kardinali Czerny u dërgua nga Papa si përfaqësues i tij në Hungari në ditët e para të marsit të kaluar (8-11), pak ditë pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, për të shpënë ngushëllim dhe mbështetje materiale e shpirtërore për refugjatët, që iknin nga vendi i tyre, grumbulluar masivisht në kufi. Përvojë me ndikim të fortë – që u përsërit më pas në Sllovaki - e cila pasuroi misionin e vetë Dikasterit.
Sfidat e kishave lokale
Në letrën e lartpërmendur liderët shkruajnë: “Mirënjohës për lutjet dhe mbështetjen tuaj, ne jemi të etur për mundësi të reja dialogu bashkëpunimi, me besim, solidaritet dhe shpresë”.