Kërko

Aleancë e re, solidare, ndërmjet sportit për të gjithë dhe sportit elitar

Në Deklaratën e pjesëmarrësve të Samitit “Sporti për të gjithë: i mundshëm, i lehtë, i përshtatshëm për çdo njeri”, organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, thirrja që sporti ta rikujtojë përgjegjësinë e tij shoqërore si mjet i rëndësishëm për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

R.SH. - Vatikan

“Thirrje për ndryshim, që përgjegjësia shoqërore të fitojë pjekurinë në të gjitha nivelet, e për të gjithë”. Kjo theksohet në Deklaratën mbi rolin e sportit në botën e sotme, shkruar nga Dikasteri për Laikët, Familjen, Jetën, duke nënvizuar, kështu, rolin që luan sporti, parë si mjet për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Deklaratë “sport për të gjithë”

“Për një sport gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në një botë të paqëndrueshme dhe të pabarabartë”. Kjo theksohet në Deklaratën mbi rolin e sportit në botën e sotme, shkruar nga Dikasteri për Laikët, Familjen, Jetën, që nënvizon kështu potencialin e madh të sportit, parë si mjet për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Është, pra, “thirrje për ndryshim, që përgjegjësia shoqërore të fitojë pjekurinë në të gjitha nivelet, e për të gjithë”.

“Sporti duhet të luajë rolin e tij në shërbim të njeriut, në kohën e përgjegjësisë (sociale, mjedisore dhe personale), në vend që të punojë vetëm për interesat e veta”, theksohet në tekst. Në deklaratën, shkruar në atmosferën e shqetësimit të thellë për jetën, krijuar nga pandemia – nënvizohet: “Edhe pse është pionier dhe nxitës i zhvillimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në rrethana paqëndrueshmërie dhe pabarazie, sporti tani duhet të ripërcaktojë dhe riprojektojë vetveten”. Jo vetëm për të përmirësuar qëndrueshmërinë përballë goditjeve të ardhshme, por sidomos për të zgjeruar ndihmesën e përpjekjeve të botës për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kujtohet edhe idealizmi “kubertinian”, mishëruar në Kartën Olimpike, në të cilën nënvizohet se sporti nuk është thjesht shfaqje për publikun, por kryesisht mjet për promovimin dhe shndërrimin shoqëror dhe edukativ.

Skuadra jonë të jetë familja e madhe njerëzore

Frymëzimi i madh universal, që buron nga deklarata e Dikasterit të Vatikanit, vërehet posaçërisht ku ripohohet se ekipi ynë duhet të jetë familja e madhe njerëzore. Prej këndej, theksi, i përsëritur në disa pika, mbi një sport, i cili mundet e duhet t’i përfshijë të gjithë. E nëse është vërtet i tillë, atëherë ai lidhet ngushtë me proceset arsimore dhe nxit përkushtimin për të mirën e përbashkët. Teksti nënvizon edhe se është sporti ai, që mund t’i “ japë zë dëshirës së thellë për transcendencë, bukuri dhe lumturi në mënyrë paqësore, duke bashkuar njerëz të të gjitha racave, kulturave dhe feve”. Kohët e fundit, veçanërisht në të ashtuquajturin sport elitar, vërehet prirja për “arritjen e suksesit me çdo kusht”, për “manipulim e largim nga vlerat e mirënjohura sportive”. Rreziku që theksohet nga Dokumenti, është “ndarja e qartë e botës së sportit elitar - nga bota e sportit për të gjithë”. Por edhe thirrja që sporti të rifitojë ekuilibrin në të gjitha fushat e tij, “me dinjitet të barabartë për të gjithë”.

30 shtator 2022, 14:32