Imzot Peña Parra i dërguari i veçantë i Papës në Republikën Domenikane
R.SH. - Vatikan
Kryeipeshkvi Imzot Edgar Peña Parra, Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit pёr Çështje të Përgjithshme, do të përfaqësojë Papën Françesku në Republikën Domenikane nga data 13 deri më 18 gusht për mbylljen e Vitit Jubilar Altagracian, i shpallur me rastin e njëqindvjetorit tё kurorëzimit kanonik të Virgjërës së Altagracias, Pajtores Qiellore tё vendit të Amerikës Qendrore. Lajmi u bё i njohur me një postim në Twitter nga Sekretaria e Shtetit tё Vatikanit, në faqen e internetit Terza Loggia.
Programi
Të dielën, më 14 gusht, Imzot Peña Parra do të vizitojë Shenjtёriren e Virgjërës Mari të Altagracia në Higuey, më pas do të kryesojë Meshën për shtegtarët në Kishёn katedrale. Në pёrfundim do të fillojë shtegtimi drejt Santo Domingo. Të nesërmen mё 15 gusht, nё solemnitetin e Ngritjes sё Virgjrës Mari nё Qiell - Zojës sё Madhe, i dërguari i posaçëm i Papës do të takohet me autoritetet Republikës Domenikane në Puerta del Conde, më pas takimi i shumëpritur në stadiumin olimpik në Santo Domingo me bashkëkremtimin Eukaristik për njëqindvjetorin e kurorëzimit kanonik të Virgjërës së Altagracia. Në vijim, i dërguari i Papës do të takohet me ipeshkvijtë e konferencës episkopale lokale dhe do të bisedojë me presidentin e Republikës Domenikane, Luis Abinader. Në ditët në vijim, deri të enjten e 18 gushtit, janë planifikuar takime të mëtejshme me Ministrin e Jashtëm, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe një Meshë me rastin e përvjetorit tё përkushtimit të Shenjtërores kryedioqezane të Virgjërës së Altagracias.
Homazh i Papës
Në pёrfundim të këtij jubileu, Papa Françesku dëshiron të shprehë afërsinë e tij me popullin dominikan dhe, nëpërmjet Imzot Peña Parra, do të bëjë homazhe te këmbët e Nënës së Altagracias një trëndafil tё artë. Pjesë e misionit papnor janë edhe At Cristino Guerrero Mercedes, sekretar ekzekutiv i Vikariatit për Klerin e Dioqezës së "Nuestra Señora de la Altagracia", në Higüey dhe meshtari Alejandro Valera, famullitar i "Stella Maris" dhe kryeprift i zonёs sё Vilës Duarte-Las Américas, të Vikariatit territorial Lindor të kryedioqezës së Santo Domingos.