Imzot Peña Parra në Republikën Domenikane: mund dhe duhet të punohet së bashku
R.SH. - Vatikan
Pas çdo akti, çdo dokumenti, çdo letre, çdo vendimi, qëndron Kisha. Kёtё nënvizoi Imzot Edgar Peña Parra, zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit pёr Çështje të Përgjithshme dhe delegat i Papёs Françesku pёr kremtimet e mbylljes së Vitit Jubilar Altagracian në Republikën Domenikane.
Imzot Edgar Peña Parra kujtoi një mësim të marrë kur, si prift i ri, shkonte në Nunciaturat Apostolike: "Nëse në Nunciatur është e mundur, me punë të përkushtuar dhe të kujdesshme, për shembull, të emërohet një ipeshkëv i ri në një dioqezë, dhe ipeshkvi është shumë i mirë, ndikimi i veprimit do të jetë i jashtëzakonshëm si në Kishë ashtu edhe në vendin ku kryhet misioni”. Imzot Peña Parra nënvizoi se si emërimi i personit të duhur në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur, mund të ndryshojë historinë e një Kishe dioqezane, apo të një organizmi, çfarëdo qoftë ajo. Ai shpjegoi gjithashtu se kjo është domethënia e faktit që, për disa shërbime të Kishës, edhe pse në dukje burokratike, Papa emëron ipeshkvij që kanë pasur përvoja diplomatike, në varësi të njohurive të tyre për botën dhe situatat.
I pyetur për përvojën e tij në Republikën Domenikane, Imzot Peña Parra ndau emocionin e tij dhe nёnvizoi vlerёn e dëshmisё sё fesё të dominikanëve, veçanërisht devocionin e tyre ndaj Virgjërës Mari të Altagracias, Nënës e Pajtores qiellore të kombit. “Kthehem i kënaqur – përfundoi Imzot Peña Parra – sepse shoh se mund të punohet sё bashku, në bashkësi”.
Po kujtojmё se kryeipeshkvi Imzot Edgar Peña Parra, Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit pёr Çështje të Përgjithshme, e përfaqësoi Papën Françesku në Republikën Domenikane, nga data 13 deri më 18 gushtin e kaluar, për kremtimet e mbylljes sё Vitit Jubilar Altagracian, shpallur me rastin e njëqindvjetorit tё kurorëzimit kanonik të përkushtimit të Shenjtërores kryedioqezane të Virgjërës së Altagracias, Pajtores Qiellore tё vendit të Amerikës Qendrore.