Hollerich: Nuk ka Kisha kombëtare, të ecim së bashku dhe të ndihmojmë ata që vuajnë
R.SH. - Vatikan
Kontribut për sensibilizimin e besimtarëve që të jetojnë një krishterim të mishëruar, sidomos në vuajtjet dhe vështirësitë e të afërmit, veçanërisht të refugjatëve nga Ukraina si dhe nga jugu i botës. Është ky rasti i përshtatshëm për Kishat e të njëjtit kontinent, që të braktisin ‘nacionalizmat’ dhe mbylljet e rrezikshme dhe të shikojnë “të gjithë mozaikun” për të “ecur të gjithë së bashku”.
Kardinali Jean-Claude Hollerich, referues i përgjithshëm i Sinodit për sinodalitetin dhe njëkohësisht kryetar i COMECE, është i kënaqur me rezultatet e deritanishme të rrugës sinodale, që përfundoi fazën e parë dhe është për rrugë drejt së dytës. Në një intervistë për Vatican News, kardinali flet për ngjarjet aktuale, por edhe për punën e muajve të ardhshëm.
Rruga sinodale që nga fillimi i saj, në tetor, u ndërthurur me luftën në Ukrainë. E kjo kërkonte gjithashtu ndryshim në rolin dhe veprimin e Kishës. Sipas jush, si referues i Sinodit, por edhe kryetar i një organi kishtar evropian, si bashkohen të dyja gjërat, rruga sinodale dhe konteksti i luftës?
“Fillimisht dëshiroj të cek përvojën e shumë besimtarëve në Luksemburg, vendin tim, të cilët i pritën e vijojnë t’i presin refugjatët nga Ukraina në shtëpitë e tyre. Edhe unë përbuj një familje me tre anëtarë… Është gjë e bukur të jesh me ta dhe ta jetosh këtë solidaritet. E kjo tregon se misioni i Kishës është i rëndësishëm. Mision, para së gjithash, për paqen, drejtësinë, ndihmën ndaj atyre që vuajnë. Udhëtimi sinodal, në veçanti, ofron një kontribut të rëndësishëm, mbasi i sensibilizon njerëzit të kuptojnë se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm të shkosh në meshë të dielën, por se krishterimi duhet jetuar përças. Nëse ec pas Shpirtit Shenjt, ndryshoj unë,ndryshon edhe shoqëria! Refugjatët ukrainas janë pritur mrekullisht mirë, gjë që nuk ka ndodhur, për shembull, me refugjatët nga Siria etj.etj. Vetë të krishterët kanë thënë: nuk është e drejtë! E kjo nuk do të thotë t’u japësh më pak ukrainasve, por t’u japësh më shumë të tjerëve. E ky është fryt i Shpirtit Shenjt në Kishat tona”.
Në kishat e të njëjtit kontinent ka larmi dhe ndjeshmëri të ndryshme e disa udhë sinodale të nisura në dioqeza të ndryshme, po përshkohen deri tani edhe me hapa të ndryshme nga të tjerat. Si mund të arrijmë në atë “ecje së bashku” që ju e quajtët objektiv i parë i Sinodit si dhe të shmangim kalimin e disave përpara, kur dikush mbetet pas?
Unë mendoj se vetë Sinodi është përgjigja. Ne nuk kemi Kisha kombëtare, jemi një Kishë, natyrisht me kultura dhe tradita të ndryshme. Prandaj duhet të flasim me njëri-tjetrin, ta dëgjojmë njëri-tjetrin, ta kuptojmë njëri-tjetrin. Ndoshta vitet e fundit janë zhvilluar shumë konferencat ipeshkvnore kombëtare… Është një gjë e mirë! Por ka edhe nevoja, kërkesa për t'i bërë gjërat së bashku. Udhëtimi sinodal është një mundësi e mrekullueshme tani për të parë të gjithë mozaikun, jo vetëm pjesën e vogël të vendit tim”.
Çfarë u mësua pas një viti të fazës këshilluese? Dhe, mbi të gjitha, a shihni sot ndonjë ndryshim të atij, që Papa e përshkroi si “proces”?
“Është e drejtë të citohen fjalët e Papës Françesku, sepse shtegtimi sinodal është udhë e bërë së bashku, dëgjim, pa frikë nga larmitë. Ne kemi gjetur një unitet që është shumë më i madh se larmia, të cilën e jetojmë tani. Dhe jam i lumtur që kemi arritur në fazën kontinentale. Po shkruajmë historinë e Kishës”.
A parashikoni ndonjë hap të mëtejshëm në fazën kontinentale krahasuar me atë të mëparshme?
“Unë nuk shoh ndonjë ndryshim të caktuar, por mendoj se duhet t’i kushtojmë vëmendje dëgjimit të të gjithëve dhe se të gjithë duhet ta ndjejnë se po dëgjohen. Pra, jo vetëm specialistët, jo vetëm ata që duan të bëjnë luftë në kishë e kështu me radhë, por t’i dëgjojmë vërtet të gjithë dhe t’i marrin seriozisht të gjithë. T’i marrim seriozisht përgjigjet e tyre, sepse ata flasin për jetën e përditshme, për çka jetojnë, çka i lëndon, çka i bën të lumtur. E si mund të jem bari i Kishës, nëse nuk i di të gjitha këto? Mendoj se Sinodi duhet të vazhdojë në këtë drejtim edhe në nivel lokal. Nuk janë vetëm çështje të politikës kishtare, por pyetje të përditshme: si mund të kenë më shumë jetë bashkësitë tona? Si mund të ndihmojnë vërtet? Si mund ta kryejnë misionin e tyre?”.
A është informuar Papa për rezultatet e kësaj faze të parë të procesit sinodal?
“Kardinali Grech dhe unë vazhdimisht e mbajmë të informuar Atin e Shenjtë për procesin. E ai na inkurajon të vazhdojmë: ‘Ecni përpara!’”.