Kërko

 EDITH STEIN EDITH STEIN

Edith Stein: dhurata e jetës, kundër intolerancës

“Mendimtare e grua e palëkundur, në kërkim të Zotit me ndershmëri e dashuri, martire e popullit të saj hebraik e të krishterë”. Kështu e quan Papa Françesku Shën Terezën Benedikta e Kryqit, që kremtohet sot nga Kisha katolike e që vijon ta ndriçojë rrugën e Evropës, si bashkëpajtore e Kontinentit.

R.SH. - Vatikan

Bijë e dashur nga Kisha, që e njohu si dëshmitare feje; “dritë në natën e errët”, siç e quajti Benedikti XVI, Edith Stein lindi në Slezinë gjermane më 1881 në një familje hebreje. Studioi filozofi e u kthye në fenë e krishterë, e shndritur nga jeta e Shën Terezës së Avilës, pa e mohuar kurrë zanafillën e saj hebraike.

Françesku: Edith Stein, e bashkuar me Krishtin deri në dhurimin e jetës

U bë murgeshë karmelitane me emrin Tereza Benedikta e Kryqit e, në vitet e persekutimit nazist, iku nga Gjermania në Holandë. E pikërisht këtu, në karmelin e Echt, shkroi se “kishte dëshirë të flijohej për paqen e vërtetë  dhe për fundin e mbretërisë së antikrishtit”. Dy vjet pas pushtimit nazist  të Vendeve të Ulta, më 1940, u kap së bashku me 244 hebrenj të tjerë katolikë, si akt raprezalje kundër episkopatit holandez, kundërshtar i hapur i nazizmit, dhe u internua në Auschvitz. Në kampin e përqendrimit e  priste vdekja, së bashku me të motrën, Rozën, edhe ajo e kthyer në fenë katolike.

Edith Stein e Gjon Pali II: Dashuria mjekon dhimbjen

Shën Gjon Pali II e shpalli shenjte më 11 tetor 1998, duke vënë theksin mbi “udhën në shkollën e Kryqit” që bëri Filozofja, duke dëshmuar se dashuria e bën të frytshme edhe dhimbjen më të thellë. Një vit më pas Papa Wojtyla e lartoi me titullin Pajtore e Evropës, së bashku me Shën Katerinën e Sienës e Shën Brixhidën e Suedisë. Kohët e fundit Shtëpia Botuese Città Nuova paraqiti kolanën “Vepra e plotë e Edith Stein”. Nga kjo vepër buron mesazhi shumëplanësh i Shenjtores, që na kujton, së pari,  se duhet vepruar në histori, duhet të jesh protagonist i vërtetë në  përpjekjen për t’i shërbyer së mirës, e jo vetëm për vete, por edhe, e kryesisht, për të tjerët! Prandaj e dhuroi jetën: duke zgjedhur rrugën e Krishtit e duke iu kundërvënë  çdo forme të intolerancës e të perversionit ideologjik. Mbetet figurë komplete e komplekse, e butë e guximtare, mendimtare e luftëtare, deri në fund, në Auschwitz.

Fanar ndërmjet mendimtarëve

Filozofja Angela Ales Bello, që u mor me botimin e veprës së plotë të Shenjtes, pohon se Veprat e Edith Stein janë shenjë e jashtëzakonshme e veprimtarisë intelektuale. Shenjte e dijetare, ajo mbetet një nga filozofet më të mëdha të të gjitha kohëve. Është fanar e, njëheresh edhe me filozofe të tjera, dëshmon se gratë kanë aftësi të jashtëzakonshme në fushën e  filozofisë.  Duke dhënë për shmë vjet mësim në shkollat e mesme, pohonte se nxënëset e saj kishin aftësi të rralla metafizike për të hyrë në thellësinë  e fenomeneve themelore  të lidhjes së njeriut me Zotin, njeriut me botën.

 

 

09 gusht 2022, 12:05