Populli autokton, ungjillëzimi dhe ne
R. SH. - Vatikan
Zemra e “shtegtimit pendestar” të Papës Françesku në Kanada ishte afërsia e tij me popujt indigjenë dhe kërkesa e faljes për fatkeqësitë e shkaktuara nga mendësia koloniale, që u përpoq t’i zhdukë kulturat tradicionale edhe përmes eksperimentit dramatik të shkollave rezidenciale nga qeveria, drejtuar nga kishat e krishtera. Të shumta takimet, tejet prekëse, me popujt vendas, në çdo fazë të shtegtimit. Përqendrimi i kuptueshëm mbi vuajtjet e pësuara nga vendasit dhe mbi rrugën e nisur të pajtimit, i la në hije disa tregues të çmuar të pranishëm në ndërhyrjet e Françeskut, të cilat ofrojnë shtigje të dobishme për ungjillëzimin sot, kudo e kurdo.
Pasi kujtoi se i vinte turp për atë që ndodhi, kur besimtarët zgjodhën botën, në vend që të merreshin me pajtimin, dhe imponuan modelin e tyre kulturor, Papa nënvizoi se ky qëndrim është i papranueshëm nga pikëpamja fetare, duke e zhvendosur, kështu, reflektimin e frymëzuar nga ngjarjet e së kaluarës, në të sotmen. Me fjalë të tjera, kujtoi një mendësi ende të pranishme. Do të dukej më e përshtatshme të ngulitësh Zotin te njerëzit, sesa t’i lejosh njerëzit të afrohen më shumë me Zotin - një kontradiktë kjo. Por që nuk funksionon kurrë. Sepse Zoti nuk vepron kështu: nuk detyron kënd, nuk shtyp, nuk mbyt. Ai do, gjithmonë, të liron e të lë të lirë. Ai nuk i mbështet me Shpirtin e Tij ata, që i nënshtrojnë të tjerët, ata që ngatërrojnë Ungjillin e pajtimit me prozelitizmin. Edhe sot, thotë Pasardhësi i Pjetrit, ekziston rreziku i ngatërrimit të shpalljes së Ungjillit me prozelitizmin, sepse tundimi i pushtetit, kërkimi i rëndësisë sociale dhe kulturore si dhe projektet e ungjillëzimit të bazuara në strategji dhe teknika të marketingut fetar, janë dukuri bashkëkohore, që imponuan modelin e tyre kulturor.
Tundimi i kësaj bote dëshiron ta bëjë Krishtin të zbresë nga kryqi e ta tregojë fuqinë e vet. Por Jezusi pajtohet me kryqin, nuk zbret. Ndërsa Zoti thjesht dhe me përulësi propozon vetveten, ne gjithmonë tundohemi ta imponojmë Atë dhe të imponohemi në emrin e Tij.
Edhe sot ekziston tundimi për ta shfaqur Jezusin me fuqinë dhe ndikimin e institucionit dhe strukturave të tij, me shfaqjen e projekteve që ne besojmë se mund t'i bëjmë “pa Zotin, vetëm me forcën njerëzore”.
Ndërsa rruga që propozoi Papa është të mos vendosësh për të tjerët, të mos i mbyllësh të gjithë brenda skemave të paracaktuara, por të rrish përballë Kryqit dhe përballë vëllait e të mësosh të ecësh së bashku. Është fytyra e një Kishe që kërkon t’i përmbahet gjithnjë e më shumë Ungjillit dhe që nuk ka një sërë idesh dhe parimesh për t’i ngulitur te njerëzit, por di të jetë shtëpi mikpritëse për të gjithë, duke dhënë dëshmi për Jezusin si dëshiron Ai vetë, në liri dhe në bamirësi. Të ungjllëzosh në një kohë të përshkuar nga shekullarizmi dhe indiferenca, na kujton Françesku, do të thotë të propozosh kumtimin e parë. Sepse gëzimi i fesë nuk komunikohet duke i paraqitur aspekte të dorës së dytë, kujt nuk e ka rrokur ende Zotin në jetë, ose vetëm duke përsëritur ca praktika a duke u marrë thjesht me format baritore të së kaluarës. Duhen gjetur udhë të reja, raste të reja dëgjimi, dialogu e takimi, duke i krijuar hapësirë Zotit dhe nismës së Tij, jo protagozmit tonë. E duke u kthyer kështu “tek themelorja e tek entuziazmi i Veprave të Apostujve”.