Kërko

Mesha e kardinalit Pietro Parolin në Juba, Sudani i Jugut Mesha e kardinalit Pietro Parolin në Juba, Sudani i Jugut 

Parolin në Juba: “Kurrë më luftëra vëllavrasëse, paqja nuk fitohet me dhunë e korrupsion”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi meshën në John Garang Mausoleum Park, në kryeqytetin e Sudanit të Jugut. Të pranishëm, rreth 15.000 vetë, me presidentin Salva Kiir në rreshtin e parë. “Nëse doni paqen, - theksoi prelati - nuk mund ta arrini atë me luftë”. Paradite, takimi ekumenik me Këshillin e Kishave e, edhe me deputetët e Asamblesë Kombëtare

R.SH. – Vatikan

Vijon vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në Sudanin e Jugut, ku ndodhet në vend të Papës, i cili nuk mundi ta realizojë udhëtimin e tij apostolik në këtë shtet e në Kongo, për shkak të problemeve në gju. Sot, kardinali kremtoi meshën në kryeqytetin Juba, pas vizitës së djeshme në kampin e refugjatëve të brendshëm në Bentiu. Më tej, u takua me Këshillin ekumenik të Kishave dhe me deputetet e Asamblesë Kombëtare.

Mesha në Juba

 "Të çarmatoset e keqja" përmes faljes, "të zbutet dhuna" përmes dashurisë, "t’i rezistohet shtypjes e shfrytëzimit" me butësinë aktive. Sepse “mbi të keqen e botës nuk fitojmë me armët e botës” dhe “paqja nuk arrihet me luftë”. Kështu tha kardinali Pietro Parolin gjatë meshës në Juba, nën një shi të rrëmbyeshëm, që i ka shkaktuar vendit jo pak probleme, të cilat u shtohen atyre të Luftës Civile të vitit 2013. “Jo më dhunë, jo më konflikte vëllavrasëse, jo më luftë”: bëri thirrje Sekretari i Shtetit të Vatikanit për atë tokë, që Zoti e ka bekuar me shumë pasuri dhe i ka dhënë shumë mundësi, të pashfrytëzuara, për shkak të dhunës. Ndër 15 mijë besimtarët e pranishëm në John Garang Mausoleum Park, edhe presidenti sudanez Salva Kiir. Të gjithëve, kardinali Parolin u solli përshëndetjen e Papës Françesku dhe urimin e tij për paqen e pajtimin e vendit.

Të mos i përgjigjemi së keqes me të keqe

 Gjatë homelisë, kardinali i bëri thirrje popullit sudanezojugor të mos i përgjigjet se keqes me hakmarrje, por me falje. Pas viteve të Luftës Civile, që e shkatërroi vendin, duhet pasur “guximi i dashurisë” e jo i mendësisë “sy për sy e dhëmb për dhëmb”. Kjo nuk do të thotë të shndërrohemi në viktima pasive, nënvizoi ai, por të çarmatosim të keqen e t’i rezistojmë dhunës e shtypjes. “Nëse doni paqen, - u tha kardinali të pranishmëve - nuk mund ta arrini atë përmes luftës. Nëse doni drejtësi, nuk mund ta arrini me metoda të padrejta dhe me korrupsion. Nëse doni pajtimin, nuk mund të përdorni hakmarrjen. Nëse doni t'u shërbeni vëllezërve dhe motrave tuaja, nuk mund t'i trajtoni ata si skllevër. Nëse duam të ndërtojmë një të ardhme në paqe, kemi vetëm një rrugë: ta duam njëri-tjetrin për të jetuar si vëllezër e motra”.

Takimi me Parlamentin

Të njëjtin mendim, Sekretari i Shtetit të Vatikanit e shprehu edhe në takimin e paradites me deputetët e parlamentit kombëtar, zgjedhur pas marrëveshjes për paqen në vitin 2018. Rreth 500 parlamentarë, që e ftuan kardinalin për vizitë jo më larg se dje pasdite, dëgjuan thirrjen për të ecur përpara në rrugën e demokracisë, pavarësisht nga vështirësitë. Kujtojmë se 20% e deputetëve janë gra.

Dialogu me krerët ekumenikë

Kardinali Parolin bisedoi edhe me përfaqësuesit e Këshillit ekumenik të Kishave, të cilëve u la tri këshilla të Papës Françesku, që do të vinte në Sudanin e Jugut në një udhëtim ekumenik me kryeipeshkvin anglikan të Kanterburit, Justin Welby dhe me moderatorin protestant të Asamblesë së përgjithshme të Kishës së Skocisë. Këshilla e parë: “Kumtoni Krishtin, që është përgjigja e të gjitha pritjeve, dëshirave dhe ëndrrave të njerëzve”. Pastaj “unitet e bashkim”, pavarësisht nga “dallimet”. E, së fundi, “të plotësohen kërkesat e popullsisë për drejtësi, paqe, liri dhe begati”. “Është punë e vështirë”, por duhet ta bëjmë së bashku, përfundoi kardinali Parolin.

07 korrik 2022, 14:25