Kërko

Papa: lutja ёshtё dёgjim e takim me Zotin

Lutja, para së gjithash, është dhuratë, fryt i pranisë së gjallë, gjallëruese të Hyjit. E kur ndjejmë që Zoti është larg nesh e nuk kemi fjalë për të komunikuar e biseduar, kjo mangësi fjalësh dhe dëshira për të hyr në komunikim me Zotin është lutje: përmes Shpirtit Shenjt dëshira bëhet kontakt i vërtetë me Të

R.SH. - Vatikan

Lutja, para së gjithash, është dhuratë, fryt i pranisë së gjallë, gjallëruese të Hyjit. E kur ndjejmë që Zoti është larg nesh e nuk kemi fjalë për të komunikuar e biseduar, kjo mangësi fjalësh dhe dëshira për të hyr në komunikim me Zotin është lutje: përmes Shpirtit Shenjt dëshira bëhet kontakt i vërtetë me Të. Prandaj Kisha na fton vazhdimisht ta jetojnë më thellësisht lutjen.

"Lutja është mbi të gjitha dëgjim dhe takim me Zotin. Problemet e çdo dite, pra, nuk bëhen pengesë, por thirrje nga vetë Zoti për të dëgjuar dhe për t'i takuar ata që kemi përballë. Sprovat e jetës kthehen kështu në raste për t'u rritur në fe dhe dashuri”. Kёshtu pohoi Papa Françesku nё mё 18 nёntor 2021, nё faqen @Pontifex.

Lutja e bërë me gjithë zemër ka forcë të madhe

Një i krishterë njihet si i tillë nëse ka një zemër që di të lutet e të falë. Kёshtu pohoi Papa Françesku në meshën e 8 tetorit 2013 duke folur pikërisht mbi rëndësinë e lutjes, e cila bën mrekulli, nëse nuk është vetëm një akt mekanik. Ungjilli i asaj dite foli për skenën e famshme në të cilën Marta gati e qorton Jezusi, me qëllim që e motra, Maria, në vend që të rrijë ulur duke dëgjuar Mësuesin, të çohet e ta ndihmojë të shërbejë.

Por Jezusi i përgjigjet: “Maria zgjodhi pjesën më të mirë”. Kjo pjesë, tha Papa, është ajo e lutjes, e kundrimit të Jezusit: “Nga pikëpamja e së motrës ishte humbje kohe, madje i dukej, ndoshta, pak ëndërrimtare: e shikon Zotin si të ishte një fëmijë e mrekulluar. Po kush e do këtë gjë? Zoti: ‘Kjo është Pjesa më e mirë’, sepse Maria e dëgjonte Zotin dhe lutej me zemër. Zoti na thotë kështu: ‘Detyra e parë në jetë është kjo: lutja’. Megjithatë, jo lutja me fjalë, si papagalli, por lutja, zemra: e shikon Zotin, e dëgjon Zotin, i kërkon Zotit. Ne e dimë se lutja bën mrekulli”.

Të mos lutesh do të thotë t’i mbyllësh derën Zotit

Lutja, nëse është formulë e thatë, pa zemër, sikurse edhe pesimizmi apo etja për një drejtësi pa falje, janë tundimet nga të cilat një i krishterë duhet të ruhet gjithmonë. I krishteri, tha Papa, duhet të arrijë të zgjedhë pjesën më të mirë: “Edhe ne, kur nuk lutemi, i mbyllim derën Zotit. Të mos lutesh do të thotë t’i mbyllësh derën Zotit, që ai të mos jetë në gjendje të bëjë asgjë. Ndërsa lutja, përballë një problemi, përballë një gjendjeje të vështirë, një fatkeqësie, i hap derën Zotit, që ai të vijë. Ai i ripërtërin gjërat, di si t’i rregullojë gjërat dhe t’i vërë në vend. Lutja është kjo: hapja e derës për Zotin, që të mund të bëjë diçka. Por nëse ia mbyllim derën, Zoti nuk mund të bëjë asgjë. Le të mbajmë mend Marinë, që ka zgjedhur pjesën më të mirë e na tregon rrugën si i hapet dera Zotit”.

Lutja është ilaçi për vuajtjen tonë

“Urata është ilaçi vërtetë për vuajtjen tonë. Edhe ne, në lutje, mund ta ndjejmë prezencën e Zotit pranë nesh. Përdëllimi dhe ëmbëlsia e vështrimit të tij na ngushëllon, forca e fjalës së tij na mbështet, duke na dhënë shpresë”. Kështu pati pohuar Papa Françesku gjatë lutjes, mё 5 maj 2016, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, “për t’i fshirë lotët” e njerëzve që vuajnë  e janë në vështirësi të ndryshme në jetë. “Kemi nevojë për këtë bindje e siguri – vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio -: Ati Qiellor na dëgjon e na vjen në ndihmë. Dashuria e Hyjit e derdhur në zemrat tona na lejon të themi se kur dashuron, asgjë e askush kurrë nuk mundet të na ndajë prej njerëzve që i kemi dashur”.

Nëse lutja nuk është e guximshme, nuk është e krishterë

Shën Monika, nëna e Shën Augustinit, kujton Papa Françesku, u lut dhe derdhi shumë lot për kthimin e birit të vet, deri sa arriti ta fitonte këtë hir nga Zoti. Ati i Shenjtë fton të ndjekim shembullin e shenjtorëve, që patën guximin e fesë. Guxim “për ta sfiduar Zotin”, guxim “për të hyrë në lojë”, pavarësisht se nuk fitohet menjëherë çfarë kërkojmë, sepse në lutje, thekson Papa, “luhet fuqishëm”, me guxim e, “nëse lutja nuk është e guximshme, nuk është e krishterë”:

Lutja e krishterë lind nga feja në Jezu Krishtin dhe ecën gjithnjë me fe, përtej vështirësive. Do të na ndihmojë, nëse mbajmë sot në zemër një frazë të atit tonë, Abrahamit, të cilit iu premtua një trashëgimtar, pra, në moshën 100-vjeçare iu tha se do të lindte një djalë. Pohon shën Pali apostull: “Besoni” e me këtë u shfajësua. Me fe “u vu për udhë”: me fe, duhet të bëj gjithçka për ta fituar atë hir, që po kërkoj. Zoti na ka thënë: “Kërkoni e do t’ju jepet”. Le ta marrim këtë Fjalë e të kemi besim, por gjithnjë me fe e në gjunjë.Ky është guximi i lutjes së krishterë. Nëse lutja nuk është e guximshme, nuk është e krishterë. 

Lutja, karburant në udhën tonë

“Lutja që purifikon, përforcon dhe shndrit rrugën, është si karburanti i udhëtimit tonë drejt bashkimit të plotë të të krishterëve”, pati pohuar në një tweet më 23 janar 2018, Papa Françesku duke e kujtuar pikërisht rëndësinë e kontaktit tonë personale me Zotin, rëndësinë e dëgjimit të Shpirtit të Tij,  që është nidhmë edhe në rrugën drejt bashkimit të të krishterëve.

Të lutesh do të thotë të dëgjosh Zotin

Kështu "lutja nuk është vetëm sa për të thënë, por na nxit ta dëgjojmë zërin e Zotit, që e purifikon zemrën dhe mendjen, duke na dhuruar një vështrim të ri mbi gjërat. Pastaj, duhet t’i bindemi vullnetit të Tij", kujton Papa Bergoglio.

16 korrik 2022, 09:41