Afrika, Ruffini: komunikimi mund të nxisë qytetarinë ekologjike
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku na ka treguar sa rëndësi ka komunikimi, kur diskutojmë dhe veprojmë së bashku për probelemet ambientale. Roli i komunikimit ndikon fuqimisht mbi edukimin ose mbi shkatërrimin e ndërgjegjeve. E mund të kontribuojë edhe mbi lulëzimin e qytetarisë globale ekologjike”. Këtë theksoi Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit për Komunikim, duke folur në seancën e 20-të plenare të Amecea (Shoqata e anëtarëve të Konferencave Episkopale të Afrikës Lindore) në Dar es Salaam, Tanzani. Në fjalën e tij, prefekti citoi disa fragmente nga enciklika Laudato si ', e theksoi: “Në origjinën e shumë vështirësive në botën e sotme ekziston mbi të gjitha prirja, jo gjithmonë e ndërgjegjshme, për t’i përdorur metodologjinë dhe objektivat e teknoshkencës sipas një paradigme, që kushtëzon jetën e njerëzve dhe funksionimin e shoqërisë”. “Duhet pranuar se produktet e teknologjisë nuk janë asnjanëse - vijon dokumenti - ato krijojnë një komplot, që përfundon duke ndikuar mbi stilin e jetesës dhe duke orientuar mundësitë sociale në drejtim të interesave të grupeve të caktuara të pushtetit. Disa zgjedhje që duken thjesht instrumentale janë në fakt zgjedhje, të cilat lidhen me tipin e jetës shoqërore, që synon ta krijojë dikush”
T’i ndjekim me vëmendje fjalët që dëgjojmë
Një aspekt qendror i komunikimit është dëgjimi. Duke kujtuar se ditët e fundit u festua Dita Botërore e 56-të e Komunikimeve Shoqërore me temë: “Të dëgjojmë me veshin e zemrës”, Ruffini theksoi se Papa na nxit gjithmonë të jemi të vëmendshëm: t’i kushtojmë vëmendje njeriut që dëgjojmë, fjalëve që dëgjojmë, mënyrës si i dëgjojmë”. Vetëm në këtë mënyrë - shkruan Françesku në mesazhin për ditën – “mund të rritemi në artin e komunikimit, qendra e të cilit nuk është teoria apo teknika, por aftësia e zemrës, që e bën të mundur afërsinë”.
Prefekti i Dikasterit për Komunikimin kujtoi gjithashtu se pas Sinodit të parë Afrikan më 1994, në rajonin e Afrikës Lindore u vërejt një lulëzim i paparë i radiove dioqezane katolike. Sot shumica e tyre transmetojnë edhe programet ditore të Radio Vatikanit. Gjatë 70 vjetëve të fundit, Radio Vatikani ka vijuar transmetimet ditore në anglisht, frëngjisht, portugalisht, ki-swahili, tigrinya, amharisht dhe, herë pas here, edhe në somalisht. Nëpërmjet këtyre transmetimeve të përditshme në Afrikë, popujt afrikanë “sigurojnë lajme të përditshme, të përditësuara dhe të verifikuara për Papën, veprimtaritë e dikasterive të Selisë së Shenjtë si dhe të Kishës në mbarë botën”. “Kështu mund ta forcojmë bashkësinë tonë”, përfundoi Paolo Ruffini.
Amecea
Asambleja Plenare e Amecea, me temë “Ndikimi i ambientit mbi zhvillimin e gjithanshëm njerëzor”, që do të vijojë deri më 18 korrik, mbahet në Qendrën Ndërkombëtare të Kongresit “Julius Nyerere”. Kujtojmë se Amecea është institucion rajonal, në të cilin bëjnë pjesë ipeshkvijtë katolikë të Afrikës Lindore. Nëntë, vendet anëtare: Eritrea, Etiopia, Kenia, Malavi, Sudani, Sudani, Tanzania, Uganda dhe Zambia. Që nga fillimi i saj në 1961, kontributi i veçantë i Amecea-s lidhet me solidaritetin baritor.