Kardinali i ardhshëm Lazarus: në botë ka shumë meshtarë-heronj
R.SH. - Vatikan
Prefekti i Dikasterit te Vatikanit për Klerin Imzot You Heung-Sik flet për aspektet e ndryshme të Kishës në Azi: klerikalizmi – pohon - mposhtet kur, meshtari e ndjen veten atë e vëlla, që i do bijtë e vëllezërit e bashkësisë, së cilës i shërben. “Ka shumë meshtarë heroikë në të gjithë botën” - pohon kardinali i ardhshëm Lazarus You Heung-Sik, prefekt i Dikasterit për Klerin: “E edhe shumë histori të bukura meshtarake për t’u treguar. Nuk janë vetëm të shëmtuarat dhe të pakëndshmet të cilat, për fat të keq, nuk mungojnë”- kujton, me rastin e emërimit kardinal, në një intervistë dhënë Vatikan News, në të cilën flet për meshtarët, thirrjet, formimin në seminare si dhe për Kishën në Azi.
Për kardinalin e ardhshëm korean, klerikalizmi në Kishë luftohet me priftërinj “etër”, “bij e vëllezër” në gjirin e bashkësive të tyre. Nëse Kisha - kujton - do të formojë meshtarë me pjekuri njerëzore, shpirtërore dhe intelektuale, “atëherë do të flitet më pak për shpërdorime dhe të këqija të tjera, të mirënjohura”.
Kardinajtë janë këshilltarët më të afërt të Papës: si mendoni se do ta kryeni këtë detyrë?
“Nuk mendoj kurrë se do ta këshilloj Atin e Shenjtë. Ndërsa më është dukur gjithnjë gjë e bukur, komunikimi me Papën. Në vend që t'i jap këshilla, do të përpiqem më tepër ta dëgjoj Atin e Shenjtë, për të kuptuar çfarë pret nga shërbimi im, duke filluar nga disa pyetje themelore: si duhet të jenë meshtarët që kërkohen nga Kisha sot? Si duhen zgjedhur? Si duhen përgatitur? Një përgjigje shumë të qartë në këtë drejtim e shikoj tek nxitja apostolike e Papës, Evangelii Gaudium. E rëndësishme është ta jetosh Fjalën e Zotit. Ne zakonisht themi se kushdo që e jeton Fjalën e Zotit, është i krishterë; kush nuk e jeton, nuk mund të quhet i tillë. Ta jetojmë Fjalën së bashku, ashtu siç dëshiron Ati i Shenjtë në Enciklikën “Fratelli tutti”, domethënë të jemi vëllezër e motra në një atmosferë ungjillore dashurie reciproke. Sot, në Kushtetutën Apostolike Praedicate Evangelium lexojmë se ungjillëzimi bëhet sidomos me dëshmi: me dëshminë e bamirësisë, të dashurisë vëllazërore. Prandaj meshtarët duhet të jenë të parët që e vënë në jetë frymën e Praedicate Evangelium, duke e jetuar, me bashkësitë që u janë besuar, realitetin e Kishës sinodale”.
Reforma e Kuries, e përshkruar në Praedicate Evangelium, hyri në fuqi që nga e diela, 5 qershor, solemniteti i Rrëshajëve. Çfarë ndikimi ka në realitetin tuaj të përditshëm?
“Papa Françesku, sapo u zgjodh, krijoi “Këshillin e Kardinajve”, duke i thirrur herë pas here. Mbledhja e fundit, me sa mbaj mend, ishte ajo e dyzetenjëta. Por puna e atij Këshilli, në një farë mënyre, kishte të bënte me të gjithë Kishën, pikërisht duke pasur parasysh kushtetutën e re apostolike Preedicate Evangelium, që nuk u përket disave, por të gjithëve. Studiuan shumë, shumë u lutën, folën e u përpoqën të gjejnë “rrugën” për Kishën e kohëve tona. Personalisht mendoj se detyra ime është ta jetoj mirë frymën e Praedicate Evangelium, në mënyrë që Kisha, falë angazhimit të secilit, të bëhet gjithnjë e më shumë ajo, që dëshiron Zoti - e gjithnjë më e besueshme në sytë e botës. E Kisha sinodale është dëshmia e fytyrës së saj më të bukur”.
Ju jeni prefekt i Dikasterit të Klerit, i cili merret me meshtarët dhe diakonët. Papa Françesku e dënon shpesh klerikalizmin. Sipas jush, cilat janë sjelljet dhe zakonet konkrete që Papa dëshiron të luftojë? Dhe si?
“Meshtari kryeson bashkësinë, kremton për të - dhe me të - Eukaristinë e Shenjtë; ai është ati dhe prijësi i bashkësisë. Jezusi e themeloi meshtarinë edhe për shërbimin e bashkësisë; prandaj meshtaria pa bashkësinë nuk mund të ekzistojë. Por prifti është edhe bir i bashkësisë, shoqërues i saj, në kuptimin se ecën bashkë me të, duke ngrënë të njëjtën Bukë. Prandaj, kur absolutizohet roli i priftit-atë, pikërisht prej andej mund të vijë edhe klerikalizmi. Nga ana tjetër, kur një meshtar i mirë është atë, por në zemër ndjehet edhe bir e vëlla, atëherë do ta dojë bashkësinë me gjithë vetveten, do t’ia kushtojë gjithë kohën, pa e humbur duke ndjekur dëshirat dhe ambiciet personale. Ka rëndësi ta jetosh këtë jetë trinitare me e për bashkësinë”.
A shqetësoheni për pakësimin e thirrjeve meshtarake në shumë vise të botës?
“Po, jam shumë i shqetësuar për këtë. Pothuajse në të gjitha vendet, thirrjet janë në rënie. Megjithatë shumë të rinj duan të imitojnë shembuj të mirë, të cilët nuk mungojnë. Prandaj duhet t’u jepen shembuj të mirë, dëshmi të besueshme nga ana e atyre, që e jetojnë plotësisht Ungjillin dhe tregojnë kështu se Perëndia është dashuri e se të jesh me Të, është e vetmja e mirë, e vetmja lumturi e vërtetë e zemrës njerëzore”.
Nga ky këndvështrim, si mund të ndihmojë përvoja formuese e seminarit?
“Seminari nuk është fabrikë, që prodhon priftërinj, por vend ku jetojnë dishepujt e Jezusit, të cilët bëhen gradualisht apostujt e Tij. Prandaj në seminar, para së gjithash, duhet ta jetosh Fjalën, si në jetën tënde, ashtu edhe në atë të bashkësisë. Është e rëndësishme që jeta e komunitetit të jetohet mirë edhe në seminare me numër të vogël. Nëse çelibati nënkupton edhe heqjen dorë nga familja njerëzore, për të formuar një familje më të madhe, kjo vetëdije duhet të lindë dhe të zhvillohet në zemrat e kandidatëve për meshtari që në vitet e para të formimit”.
Ju vini nga Koreja e Jugut. Në kontinentin tuaj, Azi, në shumë kisha po lulëzojnë thirrjet për meshtari. Sipas jush, çfarë mund t’u mësojnë viseve, në të cilat ndjehet më shumë kriza e thirrjeve?
“Historia e krishterë e Koresë është histori martirësh. E shumë prej tyre e morën dhuratën e fesë nëpërmjet dëshmisë së besimtarëve laikë. Më pas, thirrjet për meshtarë u shtuan, por aktualisht janë në rënie edhe atje, megjithëse Kisha kujdeset shumë për thirrjet meshtarake e rregulltare, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Personalisht, thirrjet në Kore i shoh si dhuratë që na e dha e vijon të na e japë Zoti përmes martirëve tanë. Prandaj duhet të rikthehemi tek shembulli i dëshmorëve, gjë që mendoj se mund të vlejë edhe për vendet e tjera”.
Në detyrën tuaj si prefekt i Dikasterit të Klerikëve, cilat janë sfidat që i shihni sot më urgjente për meshtarët dhe shërbesën e tyre? Dhe si do t’i përballoni?
“Meshtaria është dhuratë e madhe nga Zoti. Shpesh mediat e bombardojnë dëgjuesin me lajme jo gjithmonë të mira për priftërinjtë... Megjithatë shoh se ka shumë heronj, priftërinj të mirë, të mirë: famullitarë, misionarë në shërbim të popullit të Zotit e, mbi të gjitha, të të përjashtuarve nga shoqëria. Atëherë është e rëndësishme dhe e nevojshme të inkurajohen meshtarët, në mënyrë që të jenë të gëzuar: kurrë me fytyrë të ngrysur, por me gaz në buzë, të aftë për të shprehur edhe në fytyrë bukurinë e dhuratës që morën. Ka shumë histori të bukura meshtarake. Këto duhen treguar, jo vetëm ato të shëmtuarat dhe të pakëndshmet, të cilat fatkeqësisht nuk mungojnë”.
Papa Françesku ka bërë shumë përpjekje për t’ia rikthyer Kishës emrin e mirë, si institucion i denjë për besim. E gjithçka mund të bëhet, për t’i mbrojtur të miturit nga abuzimi. Çfarë roli luan Dikasteri juaj në këto përpjekje?
“Më dhemb fort, kur dëgjoj të flitet për akte, kryer nga meshtarët në dëm të të miturve, si pedofilia dhe abuzimi në përgjithësi. Besoj se po të arrijmë të formojmë priftërinj të pjekur në aspektin njerëzor, shpirtëror dhe intelektual, ata nuk do ta përdorin seksualitetin thjesht për kënaqësinë e tyre, nuk do të abuzojnë me të miturit, por përkundrazi do t’i respektojnë dhe do t’i ndihmojnë, siç bën vërtet shumica e tyre. Prandaj, çështja është të formohen meshtarë të vërtetë, të pjekur, dhe pastaj - jam i sigurt - më në fund do të dëgjojmë më pak për abuzime dhe të këqija të tjera të mirënjohura”.