150 vjet më parë lindi Don Orione, drita e bamirësisë në botë
R.SH. - Vatikan
Të kujdesej “Për të mirën e të rinjve dhe gjithë të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë”. Ky, qëllimi i Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore, themeluar nga Don Luigi Orione, i lindur më 23 qershor 150 vjet më parë, në Pontecurone, në provincën e Aleksandrisë. Kujtohet posaçërisht për bamirësinë dhe kujdesin për fëmijët, që Meshtari, i shpallur shenjt nga Shën Gjon Pali II, më 2004, i përhapi nga Piemonte, në të gjithë Italinë – si dhe për ndihmën historike dhënë viktimave e tërmetit në Messina dhe Reggio Calabria në 1908. Po jo më pak, edhe për kujdesin ndaj gjithë botës, nga Palestina, në Amerikën Latine.
Një javë festash
Ka shumë nisma për këtë përvjetor. Në Sanremo, ku Don Orione vdiq në vitin 1940, nesër do të kremtohet një Meshë në kujtim të Shenjtit, kryesuar nga kardinali Angelo Bagnasco dhe nga ipeshkvi qytetit, Imzot Antionio Suetta. Mesha do të pasohet nga një konferencë e titulluar ”Vetëm bamirësia do ta shpëtojë botën” në të cilën do të marrë pjesë edhe Don Flavio Peloso, pasardhës i Don Oriones në krye të Orioninëve dhe postulator i Shenjtit. Në Pontecurone, të dielën e ardhshme, mesha për kujtim të Don Luigjit do të kremtohet nga ipeshkvi i Tortonës “së tij”, imzot Guido Marini, ndërsa pikërisht dje përfundoi në Montebello Kapitulli i Përgjithshëm i gjithë familjes fetare të Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore, e cila zgjodhi si prijës, brazilianin atë Tarcisio Gregorio Vieira:
Ta ndjekim intervistën me At Tarcizion:
At Tarcisio, çfarë ka mbetur sot nga trashëgimia e Don Orionit?
“Don Orione lindi më 23 qershor 1872. Ishte një dritë, që u ndez për Kishën dhe për botën. Mesazhi kryesor i Shenjtit është pikërisht ky: Papën dhe Kishën i duam përmes bamirësisë, sepse ky është lajmi i mirë i Ungjillit”.
Ne shpesh e kujtojmë Don Orionen për oratorinë dhe kujdesin për të rinjtë….
Don Orione e themeloi kongregatën e tij për t’i ndihmuar të rinjtë dhe fëmijët, veçanërisht në oratoret. Mesazhi i tij për vëmendjen ndaj të rinjve mbetet gjithnjë aktual. Disa vite më parë një nga eprorët tanë të përgjithshëm pati thënë: “Të rinjtë? Janë larg ata, apo ne?”. E Don Orione është pikërisht lajmëtari, që kujtoi se ne duhet të jemi pranë të rinjve. Nëse me fjalët tona, me projektet tona, me veprimtaritë tona ia dalim t’i mbledhim të rinjtë dhe të afrohemi me ta, mund të bëjmë shumë të mira, sepse ajo që u duhet të rinjve sot është mbi të gjitha prania, afërsia, mbështetja për të jetuar në të sotmen, në një botë që, siç e dimë është kaq e vështirë, për ta jetuar Ungjillin, për të qenë pranë Zotit dhe Kishës”.
Kanë kaluar 150 vjet, kujtojmë, që nga lindja e Don Oriones. Ç’mund të na thoni për kremtimet e këtij përvjetori?
“Ngjarja kryesore është kapitulli i përgjithshëm, pikërisht pranë Pontecurone, vendlindja e Don Oriones. Ne organizuam një procesion të bukur me pishtarë nëpër qytet, me famullitë dhe popullin e qytetit. Ndërsa 26 qershor do të ketë një meshë solemne për kremtimin e 150-vjetorit të lindjes së tij, kryesuar nga ipeshkvi i Tortonës, Imzot Guido Marini. Do të jetë një çast i bukur feste, ku do të marrë pjesë i gjithë qyteti. Po do të kujtohet edhe në botë, sepse Don Orione ishte dritë, e edhe lindja e tij ishte dritë për Kishën dhe për botën”.
Kremtime do të ketë edhe në Sanremo. Cila është historia e Don Oriones dhe marrëdhëniet e tij me qytetin, ku edhe vdiq?
“Nga Pontecurone kalojmë në Sanremo. I lindur në Pontecurone, jetoi dhe e themeloi kongregatën në Tortona, ku dhe vdiq. Aty do të jetë i pranishëm don Flavio Peloso, postulator i Don Oriones, epror i përgjithshëm i kongregatës dhe pasardhës i tij”.
Don Orione nuk ka punuar vetëm në Itali. Cila është trashëgimia e tij në botë?
“Kongregata është e përhapur sot dhe në rreth 30 vende anembanë botës. Herën e parë që u largua nga Italia, Don Orione shkoi në Brazil, në Amerikën Latine, duke themeluar veprat si atje, ashtu edhe në Argjentinë, ku jetoi rreth 3 vjet. Kongregata u përhap në mbarë botën me këtë mesazh: “Të ungjillëzojmë me vepra bamirësie, por jo vetëm me ato të institucionalizuara, duke përcjellë mesazhin sipas të cilit nëpërmjet bamirësisë mund t’i fitojmë njerëzit dhe të dëshmojmë amësinë e Kishës”.
“Të hidhesh në zjarrin e kohëve të reja”: si mendoni se mund të arrihet konkretisht kjo një shekull pas shqiptimit të këtyre fjalëve nga Don Orione?
“Kjo do të thotë të shkosh tek njerëzit, për t’u transmetuar dashurinë e Zotit nëpërmjet veprave të dashurisë. Ky është qëllimi ynë e edhe karizma jonë”.