Kërko

Një misionar në Ruandë Një misionar në Ruandë 

Veprat Papnore Misionare kremtojnë 200-vjetorin e themelimit

Themeluar nga Pauline Jaricot, që do të shpallet e Lume më 22 maj, në Lion, Vepra Papnore Misionare (POM), ka për qëllim t’ia hapë çdo besimtari zemrën për horizontin e gjerë misionar të Kishës, përmes mbështetjes shpirtërore e matriale të kumtimit të Ungjillit

R.SH. – Vatikan

Me nismën e një gruaje, lindte 200 vite më parë, Vepra për Përhapjen e Fesë, sot, Vepra Papnore Misionare. Ajo, që e themeloi në formën e shoqatës, më 3 maj 1822, është Pauline Jaricot, franceze nga Lioni, vajzë nga një familje e pasur, bamirëse, që kishte dëshirë të bënte diçka për misionet. Më 22 maj, ajo do të shpallet e Lume nga Kisha Katolike. Qëllimi i Veprës së menduar prej saj ishte mbështetja e punës së misionarëve, duke i ndihmuar në të gjitha fushat. Pauline e filloi udhën me 10 shoqe: u kërkoi atyre të luten e, çdo javë, të dhurojnë një monedhë. Pastaj të ftojnë edhe 10 vetë të tjerë për të bërë të njëjtën gjë. Kështu, u formuan disa grupe dhe ideja e Pauline u përhap me shpejtësi. Mbledhja e fondeve u shndërrua në një lëvizje të vërtetë shpirtërore misionare, që i kaloi kufijtë e Francës.

Fëmijëria Misionare dhe Vepra e Shën Pjetrit Apostull

Rezultatet e Pauline frymëzuan imzot Charles de Forbin-Janson, ipeshkëv i Nancy, i cili më 1843 vendosi të përfshijë fëmijët në projekte misionare, që ata të ndihmonin bashkëmoshatarët në nevojë, me lutje e bashkëpunim material. U themelua kështu, Vepra e Fëmijërisë Misionare. “Një FalemiMari në ditë, një monedhë në muaj” për të kuruar një fëmijë dhe për ta shpëtuar shpirtin e tij: ky, impenjimi, që u propozohej vogëlushëve. E, sërish një grua, Jeanne Bigard, në Francën e shekullit të 19-të, i jep jetë një vepre tjetër misionare, asaj të Shën Pjetrit Apostull, që synon të mbështesë seminaristët në vendet e misionit.

Katër Veprat Papnore Misionare

Njëqind vite pas themelimit, më 3 maj 1922, Vepra e Përhapjes së Fesë u kualifikua si “papnore” nga Piu XI me Motu Proprio “Romanorum Pontificum”, së bashku me Veprën e Fëmijërisë Shenjte dhe atë të Shën Pjetrit Apostull. Kështu, këto tri Vepra u bënë mjet i Papës për të mbështetur, me lutje dhe bamirësi, misionin e misionarët e Kishës. Në vitin 1956, me Papën Piu XII, Bashkimi Misionar, i themeluar në vitin 1916 nga Át Paolo Manna i Institutit Papnor për Misionet e Huaja (PIME), bëhet “papnor”, me synimin për t’i formuar besimtarët të marrin përsipër përgjegjësitë për misionet. Sot, në krye të katër Veprave Papnore Misionare, është imzot Giampietro Dal Toso. Në çdo vend, veprimtaritë koordinohen nga zyrat kombëtare.

03 maj 2022, 13:58