Kërko

Në fillimin e kohrave, universi mendohet se është zgjeruar në mënyrë eksponenciale nga një gjendje me densitet shumë të lartë Në fillimin e kohrave, universi mendohet se është zgjeruar në mënyrë eksponenciale nga një gjendje me densitet shumë të lartë 

“Specola Vaticana”, studime të reja për Big Bang

Dy meshtarë, studiues të observatorit astronomik të Vatikanit, gjetën një teknikë të re për të kuptuar si u soll forca e rëndesës në çastet e para të universit

R.SH. – Vatikan

Dy meshtarë, studiues të Observatorit astronomik të Vatikanit (Specola Vaticana), propozojnë një interpretim matematikor, rrënjësisht të ri, për çastin fillestar të Big Bang-ut. Në fillimin e kohrave, universi mendohet se është zgjeruar në mënyrë eksponenciale nga një gjendje me densitet shumë të lartë, përmes të ashtuquajturit “inflacion kozmik”. Ky fenomen mund të shpjegohet, duke supozuar se ligjet gravitacionale janë shumë më të ndërlikuara në atë fazë të hershme, në krahasim me çka përshkruhet në relativitetin e përgjithshëm të Ajnshtajnit të vitit 1915.

Teori alternative gravitacionale

 Janë propozuar teori të ndryshme alternative, sipas të cilave forca e rëndesës ndryshon në hapësirë ​​dhe në kohë. Një nga më të studiuarat është teoria Brans-Dicke, përafrim i së shumëkërkuarës “teori kuantike e rëndesës”. Graviteti kuantik do të kombinonte relativitetin e përgjithshëm të Ajnshtajnit - i cili përshkruan sjelljen e materies në nivelin makroskopik (si grupimet e galaktikave) - me mekanikën kuantike, e cila përshkruan fizikën në shkallë mikroskopike (atomike dhe nënatomike). Megjithatë, teoria Brans-Dicke është kaq e vështirë për t’u përshkruar matematikisht, saqë shkencëtarët, shpesh, i kthejnë ekuacionet e saj të ndërlikuara në të tjera, shumë më të lehta për t’u zgjidhur, duke iu referuar disa sistemeve të caktuara. Në këtë rast të veçantë, ekuacionet transformohen, duke kaluar nga sistemi i referimit më i ndërlikuar Jordan, në sistemin e referimit më të thjeshtë të Ajnshtajnit.

Një perspektivë e re

Në një artikull të botuar më 15 prill në revistën prestigjioze “Physical Review D”, Át Gabriele Gionti dhe don Matteo Galaverni (dioqeza e Reggio Emilia-Guastalla), studiues të Observatorit të Vatikanit (Specola Vaticana), tregojnë se, ndryshe nga sa besojnë shkencëtarët, sistemi i referimit Jordan dhe ai i Ajnshtajnit nuk janë gjithnjë matematikisht të barasvlershëm. Gjithashtu, vënë në dukje se ekziston një sistem tjetër referimi, që mund të jetë shumë premtues. Vërtet, shkencëtarët e Vatikanit zbuluan se ndërsa zgjidhjet në sistemin e referimit të Jordan nuk përputhen gjithmonë me ato të Ajnshtajnit, ato transformohen matematikisht nga sistemi i referimit Jordan në një sistem tjetër, që s’është marrë parasysh më parë. Në këtë të fundit, ka një limit në të cilin forca gravitacionale shkon drejt infinitit, ndërsa shpejtësia e dritës i afrohet zeros (graviteti i Carroll). Kjo perspektivë e re mund të shkaktojë një revolucion në konceptin, që kemi për universin e hershëm.

Në gjurmët e shkencëtarëve të tjerë katolikë

Këto rezultate japin një interpretim të ri për teoritë e formuluara më parë mbi fazën fillestare të zgjerimit eksponencial të universit, në veçanti, për ato të shkencëtarit rus, Alexei Starobinsky. Përveç kësaj, mund të favorizojnë kërkimin e një teorie më të përgjithshme të gravitetit kuantik. Në këtë punë kërkimore-shkencore, Át Gionti e don Galaverni ndjekin gjurmët e shumë shkencëtarëve të tjerë katolikë. Mjafton të përmendim, meshtarin e fizikanin belg, Át Georges Lemaître, që në shekullin e kaluar, duke punuar mbi idetë e Ajnshtajnit, zhvilloi teorinë, që tashmë njihet si “teoria e Big Bang-ut”. Idetë e Lemaître u konfirmuan më vonë nga vëzhgimet e astronomit amerikan Edwin Hubble: marrëdhëniet, që përshkruajnë shpejtësinë e largimit të galaktikave nga ne përshkruhen në fakt nga “ligji Hubble-Lemaître”.

02 maj 2022, 16:22