Koncistori i fundverës, që shikon botën
R. SH. - Vatikan
ANDREA TORNIELLI
Me një njoftim të papritur, gati tre muaj para datës së caktuar, Papa Françesku thirri për 27 gushtin e ardhshëm, koncistorin për krijimin e 21 kardinajve të rinj, 16 prej të cilëve nën tetëdhjetë vjeç, pra zgjedhës në një konklav të mundshëm, e pesë të tjerë, që e kanë arritur tashmë atë moshë ose do ta arrijnë, përpara se të marrin kësulën e kuqe.
Koncistori i 27 gushtit, për 21 kardinaj të rinj
Fundi i gushtit nuk është datë tradicionale për koncistorët (që zakonisht mbahen në shkurt, qershor ose nëntor), por lista e kardinajve të rinj i parapriu shpalljes së një takimi, që do t’i mbledhë së bashku të gjithë kardinajtë e botës e që do t’i kushtohet Kushtetutës së re Apostolike mbi Kurien Romake “Praedicate Evangelium”, shpallur më 19 marsin e kaluar, e cila do të hyjë në fuqi nga e diela, 5 qershor, festa e Rrëshajëve. Koncistori për kardinajtë e rinj, të shtunën, më 27 gusht, do t’i paraprijë takimit të planifikuar për të hënën, 29 dhe të martën, më 30 gusht.
Mjafton t’i hedhim një shikim listës, për të vërejtur vijën e ndjekur nga Françesku gjatë gjithë papnisë së tij: shumë nga 16 emrat e kardinajve të rinj zgjedhës - pa shikuar tre kurialët e parë, mjaft të parashikueshëm, (domethënë prefektët e dikastereve të Kultit Hyjnor dhe të Klerit, së bashku me Kreun e Guvernatoratit) - janë një e papritur. Edhe një herë Papa zgjodhi në Kolegjin e Kardinajve, ipeshkvij nga të katër anët e botës, duke preferuar periferitë dhe pa marrë parasysh ato seli, që dikur konsideroheshin tradicionalisht “seli kardinajsh”.
Tre kardinaj të rinj të Kuries vijnë nga Evropa (Arthur Roche, anglez), nga Amerika Latine (Fernando Vergez, Argjentinë) dhe nga Azia (Lazzaro You, Kore).
Dy të zgjedhur të rinj drejtojnë dioqezat në Evropë (kryepeshkopi i Marsejës dhe peshkopi i Komos); pesë janë të angazhuar në kufijtë e Azisë (një prej tyre, italiani Giorgio Marengo, prefekt apostolik në Mongoli, me 48 vitet e tij, do të jetë më i riu i kolegjit). Dy janë ipeshkvij në Afrikë dhe katër në Amerikë (një në Shtetet e Bashkuara, tre në Amerikën Latine, me dy dioqeza në Brazil, titullari i të cilave do të marrë kësulën e kuqe). Domethënëse, zgjedhja e kryepeshkopit të Marsejës, lindur në Algjer, e edhe e ipeshkvit të Komos, i cili bëhet i vetmi kardinal në krye të një dioqeze ndërmjet veriperëndimit dhe verilindjes së Italisë.
Edhe një herë, Françesku zgjodhi në Kolegj pesë prelatë, dy prej të cilëve nuk janë ipeshkvij e tashmë e kanë kaluar ose janë gati ta kalojnë pragun e moshës, që të përjashton nga elektorati aktiv në rast të mbledhjes së konklavit. Në këtë minilistë, pjesa më e madhe janë italianë (tre, nga pesë). Ndërmjet tjerash, i njihen meritat atit jezuit, Gianfranco Ghirlanda, ish-rektor i Universitetit Gregorian, kanonist me vlerë dhe bashkëpunëtor i Selisë së Shenjtë.
Kolegji Kardinalor zgjerohet në numër, në krahasim me numrin 120, vendosur nga Pali VI, siç ka ndodhur tashmë disa herë. Aktualisht kolegji përbëhet nga 208 kardinaj, nga të cilët 117 janë zgjedhës dhe 91 janë jozgjedhës. Më 27 gusht numri do të arrijë në 229 kardinaj, nga të cilët 131 janë zgjedhës. Duke parë tri papnitë e fundit, Kolegji do të përbëhet nga 52 kardinaj, të krijuar nga Gjon Pali II (11 prej të cilëve janë zgjedhës); 64 krijuar nga Benedikti XVI (37 prej të cilëve, zgjedhës) dhe 113 krijuar nga Françesku (83 prej të cilëve janë zgjedhës).
Nga pikëpamja gjeografike, kardinajtë do të shpërndahen si më poshtë: Evropë, 107 kardinaj, nga të cilët 53 zgjedhës; Amerikat, 60 kardinaj, nga të cilët 38 zgjedhës; Azia, 30 kardinaj, nga të cilët 20 zgjedhës; Afrika, 27 kardinaj, nga të cilët 17 zgjedhës; Oqeania, 5 kardinaj, nga të cilët 3 janë zgjedhës.