Kërko

Java Laudato Si' 2022 Java Laudato Si' 2022 

Java “Laudato si”, stile të reja jetese, për t’iu përgjigjur britmës së tokës

Takimi i organizuar nga Dikasteri për Zhvillimin Njerëzor përsëritet: nga 22 deri më 29 maj, në përvjetorin e shtatë të enciklikës së Papës Françesku, do të ketë veprimtari ndërgjegjësimi, nismash dhe praktikash të mira për të kujtuar sa urgjente është mbrojtja e shtëpisë e përbashkët.

R. SH. - Vatikan

Do të kremtohet përsëri  Java Laudato si’, me ngjarje, që do të kenë jehonë globale, rajonale dhe lokale, lidhur secila me një objektiv të veçantë të enciklikës me të njëjtin titull dhe me shtatë sektorët e Platformës së Nismave të Laudato si' Iniciative. Do të sillen të gjitha rreth konceptit të ekologjisë integrale. Pritet pjesëmarrja e qindra mijëra katolikëve të mbledhur për të thelluar përpjekjet e Platformës së Nismave: është një mjet i ri që u krijon institucioneve, komuniteteve dhe familjeve mundësitë ta zbatojnë plotësisht Dokumentin e Papës.

Biodiversiteti, konfliktet, ndryshimet klimatike, mirëpritja e të varfërve

Ndër çështjet themelore, që do të hulumtohen, kujtojmë: si mund t’i kundërvihen katolikët kolapsit të biodiversitetit; çfarë roli luajnë lëndët djegëse fosile në konflikte dhe në krizën klimatike; si mund t’i mirëpresim të varfërit në jetën tonë të përditshme. Ndër bisedat e planifikuara, njëra përqendrohet mbi mundësinë për t’u dhënë forcë zërave indigjene. E ndërmjet pjesëmarrësve, do të jetë edhe motra Alessandra Smerilli, Sekretare e të njëjtit Dikaster.

Programi: fokus mbi rritjen e zërave indigjene

Tema e së hënës, 23 maj, do të jetë “Përgjigje klithmës së tokës”. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt nga Universiteti Katolik Australian i Romës. Do të flitet për mënyrën e ribalancimit të sistemeve sociale me natyrën dhe do të marrë pjesë At Joshtrom Kureethadam, i cili do të flasë për shtimin e zërave indigjene në konferencën e Kombeve të Bashkuara për biodiversitetin, që do të mbahet këtë vit. “Mbështetja e ECO-komunitetit: Mirëpritja e të varfërve” do të jetë tema e ditës në vijim. E mërkura do t’i kushtohet ekonomisë ekologjike, në rënie përsa u përket lëndëve djegëse fosile, dhunës dhe krizës klimatike. E enjtja, 26, do të prekë temën e përvetësimit të stileve të qëndrueshme të jetesës dhe të investimeve, në përkim me fenë. Të premten pasdite do të shfaqet një dokumentar kushtuar “Laudato si'”. Ndërsa të shtunën në mbrëmje do të preket tema e përshpirtërisë ekologjike. E diela, 29 maj, do të përfundojë me temën e elasticitetit dhe fuqizimit të bashkësië, parë si pjesë e rrugëtimit sinodal. Në orën 15.00 të kësaj dite të fundit, do të organizohet një takim lutjeje.

Relatorët ndërkombëtarë

Në këtë Javë do të flasin edhe: Theresa Ardler, Zyrtare Ndërlidhëse e Kërkimeve Indigjene në Universitetin Katolik Australian, drejtoreshë dhe pronare e Gweagal Cultural Connections; Vandana Shiva, themeluese e Fondacionit Kërkimor Navdanya për Shkencën, Teknologjinë dhe Ekologjinë në Indi dhe Presidente e Navdanya International; Angela Manno, artiste e vlerësuar me çmime; Greg Asner, drejtor i Qendrës ASU për Zbulimin dhe Shkencën e Konservimit Global.

Programi i plotë i Javës Laudato Si - që mund të lexohet në linkun LaudatoSiWeek.org – përfshin edhe veprimtaritë në Ugandë, Itali, Irlandë, Brazil dhe Filipine. Përveç dokumentarit, do të transmetohet në kanalet Facebook e YouTube të Lëvizjes Laudato si'.

20 maj 2022, 14:23