Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet 

Imzot Gallagher, nesër, drejt Lvivit dhe Kievit, në kërkim të dialogut e të paqes

Fillon nesër, misioni i Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet në Ukrainë. Një udhëtim, për të shprehur afërsinë me popullsinë e sprovuar nga konflikti

R.SH. – Vatikan

Të vizitojë vendet e prekura nga lufta, për t’i çuar popullsisë afërsinë e Papës Françesku dhe të Selisë së Shenjtë. Ky është misioni i Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili nesër niset për në Ukrainë. Në një tweet të Sekretarisë së Shtetit (@TerzaLoggia), njoftohet udhëtimi i kryeipeshkvit, me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit të Evropës Lindore. Një udhëtim - thuhet në tweet - për të ripohuar "rëndësinë e dialogut në rivendosjen e paqes".

Ndër qytetet, që do të vizitojë prelati vatikanas, Lvivi dhe Kievi. Të mërkurën, në orën 18, ai do të takohet me imzot Igor Vozniak, kryeipeshkëv greko-katolik i Lvivit, pasuar nga një vizitë në një strehim për refugjatët.

Të enjten, 19 maj, takimi me presidentin e rajonit të Lvivit, Maksym Kozytskyy, ndërsa më pas, biseda me Fortlumturinë e Tij Sviatoslav Shevchuk, kryeipeshkvi i madh i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, si edhe me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore Polake, imzot Stanisław Gądecki.

Imzot Gallagher pati lajmëruar për udhëtimin e tij në një intervistë televizive, realizuar javën e kaluar nga programi Rai "Tg2 post". Gjatë intervistës njëzet minutëshe, prelati preku tema të ndryshme, nga lufta në Ukrainë tek riarmatosja e tek pasojat ndërkombëtare dhe ekumenike të konfliktit. Udhëtimi, sqaroi ai, ishte parashikuar të bëhej para Pashkëve, por u shty, për arsye shëndetësore.

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet imzot Paul Richard Gallagher ka theksuar vazhdimisht se Selia e Shenjtë mbështet çdo përpjekje për dialog, që mund të ndihmojë në arritjen e zgjidhjes së konfliktit. Fjalët, pati thënë gjatë intervistës, kanë peshë të madhe në veprimtarinë diplomatike, sidomos kur prej tyre varet "jeta e njerëzve". Duhet shmangur rreziku i instrumentalizimit të tyre, duke u kthyer në fjalët “e qarta e të sinqerta”.

17 maj 2022, 15:59