Kërko

Sot në Sheshin e Shën Pjetrit Sot në Sheshin e Shën Pjetrit  Editorial

Ato pyetje të Papës për paqen…

Në lutjen e Mbretëreshës qiellore Françesku preku çështjen e dëshirës së vërtetë të ndalimit të shkallëzimit ushtarak e verbal, për të arritur tek bisedimet

R. SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

“E pyes veten nëse po kërkohet me të vërtetë paqja…”. Papa Françesku  i shprehu në formë pyetjeje dyshimet, që e kapërthejnë shumëkënd e që bëhen gjithnjë më të mprehta, me thellimin e shkallëzimit ushtarak në luftën, që po e shkatërron jo vetëm Ukrainën! Shkallëzim shqetësues, për një konflikt gjithnjë më shkatrrimtar, që po i kushton tepër shtrenjt  popullsisë së pambrojtur civile e që po ecën me të njëjtin hap me shtimin  e kërcënimeve verbale, demonizimin e kundështarit e shtirjet mbi sulmet e mundshme bërthamore.

Vijimi i luftës pushtuese të ushtrisë ruse kundër Ukrainës, gara e armatimeve, mungesa e nismave të forta në nivel ndërkombëtar, bëjnë që  të afirmohet gjithnjë e më shumë mendimi i atyre, të cilët e shikojnë si të pashmangshme ndeshjen e armatosur, kthimin tek e kaluara e tek “skemat” e vjetra të luftës, që mendohej se nuk do të përdoreshin kurrë më.

“Ndërsa jemi dëshmitarë të regresit makabër të njerëzimit, e pyes veten, njëheresh me një mori njerëzish të dëshpëruar, nëse vërtet po kërkojmë paqen; nëse ekziston vullneti për të shmangur shkallëzimin e vazhdueshëm ushtarak dhe verbal e nëse po bëjmë ç’është e mundur që të heshtin armët”.

Vështirë t’i përgjegjsh në mënyrë pohuese këtyre pyetjeve të Françeskut. “Të gjithë e dëshirojmë paqen!” - përgjigjen liderët e botës. Po ky vullnet me fjalë - kur shprehet - nuk shndërrohet në vendim krijues e në vullnet  të vërtetë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Flitet për paqe, e vijon të  zbatohet ajo, që Papa e quan “skema e luftës”. Pak ditë më parë kardinali Pietro Parolin, pasi uroi mbledhjen e një konference të re të Helsinkit, theksoi: “Duke parë çfarë ngjau në dekadat e fundit, duhet të bindemi se kemi nevojë të besojmë më shumë në organizmat ndërkombëtare e në ndërtimin e tyre, duke kërkuar t’i bëjmë “shtëpi të përbashkët”, ku të gjithë ndjehen të përfaqësuar. Njëkohësisht duhet të bindemi për nevojën e ndërtimit të një sistemi të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare, që nuk bazohet më mbi parandalimin e forcave ushtarake: është hapi i parë që duhet bërë mbasi, "nëse nuk reflektojmë mbi këtë e nëse nuk punojmë për këtë,  rrezikohemi të rrokullisemi në humnerën e luftës së përgjithshme”.

Prandaj pasardhësi i Pjetrit e përsëriti lutjen, duke kërkuar “të mos i dorëzohemi logjikës së dhunës e spirales perverse të armëve, por të ecim, më në fund, në udhën e dialogut e të paqes”.

01 maj 2022, 14:56