Selia e Shenjtë: të bashkohen forcat kundër fenomenit të trafikimit të njerëzve
R.SH. – Vatikan
Rritja e ndjeshme e flukseve të emigrantëve, që kërkojnë paqe dhe të ardhme të sigurt, përfshirë fluksin e refugjatëve nga Ukraina, dëshmon nevojën urgjente për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe mjete mbrojtëse për ata, që mund të bien viktima të trafikimit njerëzor. Kështu pohoi këto ditë përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), imzot Janusz Urbanczyk, me rastin e Konferencës së 22-të kundër Trafikimit të Njerëzve, me temë: "Mbrojtja: të mbështeten të drejtat e viktimave dhe të përforcohet ndihma e tyre”. Sipas tij, shtetet duhet të dyfishojnë përpjekjet e përbashkëta për të identifikuar forma të reja në këtë drejtim. Sidomos gjatë kësaj lufte ruso-ukrainase, është denoncuar shpesh rreziku që gra e fëmijë, të cilët udhëtojnë vetëm, rrugë pa rrugë, për të ikur nga bombat, të bien pre e trafikantëve të paskrupullt.
Të ecim përpara në luftën kundër trafikimit
Në një fjalim tjetër, duke folur mbi të njëjtën temë, imzot Urbanczyk theksoi se në këto kohë vështirësish ekonomike dhe financiare, disa qeveri mund të kenë më pak mundësi për fonde në luftën kundër trafikimit. Megjithatë, financimi i kësaj veprimtarie është i domosdoshëm, sidomos për të mbështetur projektet publike dhe private, që synojnë mbrojtjen, ndihmën dhe integrimin e viktimave, duke mos lënë pas dore garancitë për sigurinë kombëtare dhe rajonale.
Prelati kujtoi, në veçanti, fjalët e Papës Françesku në videomesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Lutjes dhe të Reflektimit kundër Trafikimit: “Të ecim përpara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kundër të gjitha formave të skllavërisë e të shfrytëzimit. Ju ftoj të gjithëve ta mbani gjallë indinjatën - mbajeni gjallë indinjatën! - dhe çdo ditë të gjeni forcën për t'u impenjuar me vendosmëri në këtë front. Mos kini frikë përballë arrogancës së dhunës”.
Të mbrohen të miturit
Konventat ndërkombëtare, direktivat rajonale, rregulloret dhe ligjet e ndryshme kombëtare – nënvizoi imzot Urbanczyk – vënë theksin mbi nevojën për të mbrojtur sidomos të miturit. Fatkeqësisht, kjo nuk mjafton për t’i larguar fëmijët nga rrethi i gjerë i trafikimit njerëzor. Edhe në këtë fushë, Papa Françesku ka vënë në dukje disa herë “vëmendjen e veçantë, që u duhet kushtuar fëmijëve emigrantë”. Por, trafikimi i fëmijëve është në rritje. Globalisht, një ndër tre viktima është fëmijë. Në vendet me të ardhura të ulëta, të miturit përbëjnë gjysmën e viktimave. Prandaj, përfundoi imzot Urbanczyk, është themelore të përditësohen rregulloret ndërkombëtare dhe kombëtare, në mënyrë që përpjekjet kolektive për mbrojtjen e fëmijëve të jenë më të frytshme.