Kërko

Dëshpërimi i një gruaje në Bucha, Ukrainë Dëshpërimi i një gruaje në Bucha, Ukrainë

Parolin: të shmanget shkallëzimi i luftës në Ukrainë. Në Bucha, mizori e pashpjegueshme

Sekretari i Shtetit të Vatikanit komenton lajmet e fundit nga lufta në Ukrainë dhe konfirmon mundësinë e një udhëtimi të Papës në Kiev: “Nuk është i parealizueshëm, po vlerësojmë nëse mund të kontribuojë në fundin e luftës”. Ndërkaq, vijojnë përgatitjet për takimin me Patrikun Kirill: “Kërkohet një territor neutral”

R.SH. – Vatikan

 “Duhet bërë gjithçka për të shmangur shkallëzimin” e dhunës në Ukrainë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, bën sërish thirrje për paqen në vendin e Evropës Lindore, pa e përjashtuar një udhëtim të mundshëm të Papës në Kiev, njoftuar nga vetë Françesku. “Një udhëtim i tillë nuk është i parealizueshëm, mund të bëhet. Çështja është çfarë pasojash do të kishte ai, duhet vlerësuar nëse mund të kontribuojë vërtet në përfundimin e luftës”, pohoi kardinali para gazetarëve, që i takoi dje (7 prill) jashtë selisë së Radio Vatikanit, ku mori pjesë në paraqitjen e një projekt multimedial mbi autizmin.

Të shmanget zgjerimi i konfliktit

Kardinali - i pyetur lidhur me pohimet e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, për një “NATO globale” – theksoi “parimin e mbrojtjes së ligjshme”, por bëri sërish thirrje për ndalimin e dhunës: “Përgjigjja me armë, gjithnjë në përpjestim me sulmin, siç na mëson Katekizmi i Kishës Katolike, mund të çojë në zgjerimin e konfliktit, që mund të ketë pasoja katastrofike dhe vdekjeprurëse”. Kardinali uroi që palët “t’i kthehen arsyes dhe ta gjejnë zgjidhjen përmes bisedimeve, për ta përfunduar kështu këtë aventurë pa kthim”.

Papa: në Bucha mizori të tmerrshme, të ndalet lufta

Kardinali Parolin komentoi me dhimbje pamjet e mizorive të Bucha-s, qytet rreth 60 kilometra larg Kievit. Para fotografive të kufomave të civilëve nëpër rrugë, Papa Françesku nuk hezitoi të përdorë fjalën “masakër”. “Nuk mund të shpjegohet ky tërbim kundër popullsisë civile – vërejti kardinali. – Besoj vërtet, siç është theksuar nga të gjitha anët, se këto episode shënojnë një kthesë në këtë luftë. Dhe shpresoj që ajo të jetë pozitive, pra, t’i bëjë të gjithë të reflektojnë se duhet t’u japin fund sa më parë luftimeve dhe jo të ngulin këmbë në qëndrimet e tyre, siç kanë frikë disa”.

Udhëtimi i mundshëm i Papës në Kiev

Sekretari i Shtetit të Vatikanit iu përgjigj edhe pyetjes mbi udhëtimin e mundshëm të Papës në kryeqytetin ukrainas. “Duhet të ekzistojnë kushtet për këtë. Duket se mund të realizohet, pasi pala ukrainase na ka dhënë gjithmonë siguri të mjaftueshme se nuk do të ketë rreziqe. Mjafton të shihen udhëtimet, që kanë bërë e po bëjnë liderë të tjerë. Shkoi kryetari i Parlamentit Evropian, shkon edhe kryetarja e Komisionit”, Ursula von der Leyen.

“Besoj se në fund të fundit, një udhëtim në Kiev nuk është i parealizueshëm, mund të bëhet”, pohoi kardinali Parolin. Por, po vlerësohen pasojat. Ndër to, edhe marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Ruse, që kardinali i quajti “delikate”. “Sigurisht – sqaroi ai – Papa nuk do të shkonte për të mbajtur qëndrim në favor të njërit a të tjetrit, siç ka bërë gjithmonë në këtë situatë. Por, edhe ky aspekt duhet të merret parasysh në vlerësimin e përgjithshëm të mundësisë për realizimin e udhëtimit”.

Takimi me Patrikun ortodoks Kirill

Gjithnjë në kuadrin e marrëdhënieve me Patrikanën e Moskës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit konfirmoi se ka filluar planifikimi i një takimi të mundshëm ndërmjet Papës Françesku dhe Patrikut Kirill, pas atij të 12 shkurtit 2016 në Kubë. “Me sa kuptoj unë, kjo përgatitje vazhdon”, nënvizoi ai, duke shpjeguar se aktualisht po kërkohet një “terren neutral”. “Ky është kushti. Por akoma s’është vendosur gjë. Nga ana jonë, po punojmë, por po punon sidomos Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, i cili është Dikasteri kompetent”.

Së shpejti, imzot Gallagher në Kiev

Përsa i përket punës së diplomacisë së Vatikanit – e cila nuk është ndërprerë kurrë, siç tha Papa Françesku në avionin e kthimit nga Malta - kardinali Parolin theksoi se, tani për tani, nuk ka “nisma të veçanta”, vlen ende “gatishmëria e shprehur kohë më parë për ndërmjetësimin a për çdo formë tjetër ndërhyrjeje, që mund të çonte drejt armëpushtimit, nga njëra anë e, drejt fillimit të bisedimeve, nga ana tjetër”. “Tani – shtoi ai – po shohim nëse ka mënyra të tjera për ta kthyer këtë gatishmëri në nisma më konkrete, pasi oferta jonë duhet pranuar nga të dyja palët”. Një nga hipotezat më konkrete është një udhëtim në Kiev i Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher. Ai u ftua që para luftës, por me shpërthimin e saj, iu desh të anulonte udhëtimin. Nuk është caktuar akoma data, përfundoi kardinali Parolin, por “në të ardhmen e afërt”, imzot Gallagher ka shumë mundësi të niset për në Ukrainë.

08 prill 2022, 11:46