Kërko

Qendra e OSBE në Vjenë Qendra e OSBE në Vjenë  (AFP or licensors)

Imzot Urbańczyk, OSBE-së: lufta është dështim i së drejtës ndërkombëtare

Gjatë fjalës, mbajtur në takimin e Vjenës me temë “Bashkëpunimi ndërkombëtar për të përballuar shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të të drejtave ndërkombëtare të njeriut”, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë nënvizoi rrezikun e mosrespektimit të të drejtave të veçanta themelore të njeriut, gjatë ndeshjeve të armatosura.

R. SH. - Vatikan

“Çfarë mund të bëjmë ne, si anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, për të reduktuar rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, e sidomos të së drejtës humanitare ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur?”. Kjo, pyetja që imzot Janusz Urbańczyk, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës për Sigurimin dhe Kooperimin  në Evropë,  (OSBE) bëri në përfundim të kuvendit të Vjenës, kushtuar “Kooperimit ndërkombëtar dhe së drejtës ndërkombëtare të të drejtave njerëzore”. Lufta, pohoi imzot Urbańczyk, është, në vetvete prishje e rendit juridik ndërkombëtar dhe përfaqëson “dështimin e thellë të statusit të së drejtës ndërkombëtare”.

Paqja bazohet mbi respektimin e të drejtave

Nga Akti përfundimtar i Helsinkit, i 1975-sës - kujtoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë - të drejtat njerëzore universale dhe liritë themelore u njohën si faktorë kryesorë për paqen, drejtësinë dhe mirëqenien e nevojshme, që sigurojnë zhvillimin e lidhjeve miqësore dhe të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve. Për më tepër, çdo shkelje e të drejtave njerëzore universale dhe e  lirive themelore, nuk është gjë tjetër, veçse kërcënim për paqen. Imzot Urbańczyk kujtoi edhe fjalët, që tha Papa Françesku që në fillim të konfliktit kundër Ukrainës, të cilin e quajti krejtësisht të papranueshëm.

Papa tërhoqi vëmendjen mbi shkeljet e vazhdueshme të të drejtave themelore të njeriut, duke këmbëngulur se nuk do të pushojë s’i denoncuari “derisa  e drejta ndërkombëtare të respektohet rishtas”. “Gjaku dhe lotët e fëmijëve, vuajtjet e grave e të burrave, që mbrojnë trojet e  tyre ose ikin nga bombat, e trandin ndërgjegjen tonë. Edhe një herë njerëzimi po kërcënohet nga një abuzim pervers i pushtetit dhe interesave partiake, duke i dënuar njerëzit e pambrojtur të vuajnë të gjitha format e dhunës brutale”- kujtoi imzot Urbańczyk.

Shkelje, që vënë në dyshim ndërgjegjen tonë

Selia e Shenjtë ka qenë gjithmonë e bindur - përfundoi vëzhguesi i përhershëm - se siguria dhe paqja "varen nga përpjekjet ditë pas dite drejt krijimit të universit të rregulluar sipas dëshirës së Zotit, me drejtësinë më të përsosur ndërmjet njerëzve". Ai rend dhe ajo drejtësi nuk bazohen mbi praninë e forcës ushtarake, por mbi respektin e sinqertë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave universale të njeriut dhe të lirive themelore, shkeljet e të cilave nuk duhet ta lënë kurrë të qetë ndërgjegjen tonë.

30 mars 2022, 17:05