Kërko

Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin

Ukrainë, kardinali Parolin-Tg Com: Selia e Shenjtë, gati për të ndërmjetësuar

Në një intervistë dhënë transmetimit “Stanze vaticane” të Tg Com 24, Sekretari Shtetit vatikanas ripohon gatishmërinë e Selisë Apostolike për ndërmjetësim, që të marrë fund lufta në Ukrainë, e ndjekur me shqetësim nga mbarë njerëzimi.

R.SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin ripohon gatishmërinë e Selisë Apostolike për të bërë gjithçka është e mundur që të marrë fund konflikti në Ukrainë. Gatishmëri për të cilën foli edhe Papa, e që mbetet gjithnjë e vlefshme.

Hirësia e Tij pohon se këto ditë bisedoi personalisht me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov. Nga ana ruse - vijon Kardinali - ndonëse në dijeni të propozimit - “deri tani nuk ka pasur asnjë sinjal” për ta shfrytëzuar këtë mundësi. Kardinali saktëson edhe  se “nuk është aq i rëndësishëm pranimi i propozimit të Selisë së Shenjtë; e rëndësishme është që, në një farë mënyre, të marrë fund gjithçka po ndodh”, me shpresë se takimet në vijim dhe ndërmjetësimet e tjera, do të mund të përfundojnë pozitivisht.   

Nga ana tjetër - vijon - Kisha po bën shumë: thirrjet e përsëritura të Papës, nismat e lutjes e të solidaritetit, lidhjet e vazhdueshme me nuncin e Kievit…Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizon edhe rëndësinë që kanë  manifestimet e shumta, në kërkim të fundit të konfliktit në Ukrainë,  duke kujtuar se Papa, në lutjen e djeshme Engjëllit të Tënzot,  u bëri thirrje njerëzve të zakonshëm “të bashkohen për t’i dhënë fund luftës”. E kjo është shenjë shprese.

Dhimbja e Papës - dhimbje e të gjithëve

Duke vijuar të komentojë fjalët e Papës Françesku në lutjen e djeshme Engjëllit të Tënzot, sekretari i Shtetit të Vatikanit theksoi se mbeti i prekur thellë  edhe nga pamja e Papës. Jo vetëm fjalët - kujtoi - qenë tejet të forta e posaçërisht energjike, por edhe vetë Papa iu duk të gjithëve tejet i  pikëlluar. E nuk mund të ishte ndryshe. Të gjithë jemi të pikëlluar e të tronditur thellë - pohoi - përballë kësaj lufte pa kurrfarë kuptimi!

14 mars 2022, 11:38