Kërko

VATICAN-RELIGION-POPE-GOOD FRIDAY-MASS VATICAN-RELIGION-POPE-GOOD FRIDAY-MASS

Kardinali Cantalamessa: Eukaristia në historinë e shëlbimit

Atë Raniero Cantalamessa nisi, të premten e kaluar, predikimet kreshmore, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Në qendër të reflektimeve, realiteti eukaristik. Duhet folur gjithnjë për Eukaristinë, pohon Predikatari papnor, sepse nuk është temë, është Vetje, prani: është Krishti i vdekur e i ngjallur. Sidomos atje, ku derdhet gjak i pafajshëm. E shpjeguam përmbledhtas përmbajtjen e predikimit.

R.SH. - Vatikan

Kardinali Atë Raniero Cantalamessa nisi, të premten e kaluar, predikimet kreshmore, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Në qendër të reflektimeve, realiteti eukaristik. Duhet folur gjithnjë për Eukaristinë, pohon Predikatari papnor, sepse nuk është temë, është Vetje, prani: është Krishti i vdekur e i ngjallur. Sidomos atje, ku derdhet gjak i pafajshëm. E shpjeguam përmbledhtas përmbajtjen e predikimit. Sot po hyjmë në hollësitë e rolit të Eukaristisë, duke u ndaluar tek një fragment nga predikimi i parë kreshmor.

Për të shpjeguar ç’vend zë Eukaristia në historinë e shëlbimit, nisemi nga një pyetje! Përgjigjja është: “Nuk zë kurrfarë vendi, por pushton gjithçka!”.

Eukaristia shtrihet në të gjithë historinë e shëlbimit. E është e pranishme në tri mënyra të ndryshme, në tri kohë të ndryshme, a në tri faza të shëlbimit. Është e pranishme në Besëlidhjen e Vjetër si figurë; e pranishme në Besëlidhjen e Re, si ngjarje, e pranishme në kohën e Kishës, si sakrament. Figura paraprin e përgatit ngjarjen, sakramenti e “zgjat” dhe e aktualizon.

Në Testamendin e Vjetër, Eukaristia është e pranishme “në figurë”. Një nga këto figura është manna, një tjetër, flijimi i Melkisedekut, një tjetër akoma,  flijimi i Isakut. Në sekuencën Lauda Sion Salvatore, (Lavdëroje, o Sion, Shëlbuesin) kompozuar nga Shën Toma i Akuinit për festën e Korpit të Krishtit, këndohet: “I fshehur ndër figure: i flijuar në Isakun, i simbolizuar në qengjin e Pashkëve, dhënë etërve në formë mane”. (In figúris præsignátur, / cum Isaac immolátur: /agnus paschæ deputátur: /datur manna pátribus”. Me që janë figura të Eukaristisë, Shën Toma i quan këto rite “sakramente të ligjit të vjetër”.

Me ardhjen e Krishtit e me misterin e vdekjes dhe ngjalljes së Tij, Eukaristia nuk është më e pranishme si figurë, por si ngjarje, si realitet. E quajmë “ngjarje”, sepse është diçka që ndodhi historikisht, fakt i pashoq në kohë e në hapësirë, që ndodhi një herë të vetme (semel) e të papërsëritshme: Krishti “erdhi një herë të vetme, kur u përmbush koha, e u duk për ta  mundur mëkatin me flijimin e vetvetes (Heb 9, 26)

Së fundi, në kohën e Kishës, Eukaristia është e pranishme si sakrament,  domethënë, nën shenjën e bukës e të verës, themeluar nga vetë Krishti. Ka shumë rëndësi ta kuptojmë mirë ndryshimin ndërmjet ngjarjes e sakramentit.

Për ta kuptuar më mirë këtë, na ndihmon Shën Agostini. Ne - thotë doktori i shenjtë - e dimë dhe e besojmë me fe të sigurt se Krishti vdiq një herë të vetme për ne, Ai, i drejti, për mëkatarët; ai, Zotëria, për shërbëtorët. E dimë saktësisht se kjo ndodhi një herë të vetme: sipas historisë, ishte një Eukaristi e vetme, ajo e realizuara nga Jezusi me jetën e Tij e me vdekjen e Tij; sipas liturgjisë, ndërkaq, domethënë falë sakramentit, ka shumë Eukaristi (kungimi shenjt),  aq sa u kremtuan e do të kremtohen deri në fund të fundit të Botës. Ngjarja u realizua një herë të vetme (semel), sakramenti realizohet “çdo herë” (quotiescumque). Falë sakramentit të Eukaristisë ne bëhemi, misteriozisht, bashkëkohas të ngjarjes; “ngjarja bëhet e pranishme në ne, e ne në ngjarje”.

15 mars 2022, 17:54