Kujtime: portret i një të riu të panjohur, quajtur Marconi
R. SH. - Vatikan
U njohëm pak ditë më parë me një daktiloshkrim autograf, zbuluar kohët e fundit, gati rastësisht, në Bodleien Library ad Oxford, ku i riu Guglielmo Marconi derdh mendimet e tij, kujton kërkimet shkencore, idetë mbi temat e mëdha të kohës, nis të parashikojë atë, që do të ishte ardhmëria e radios. Dokumenti hyn në mendimet më intime të shkencëtarit të madh, me anekdota personale e me një venë të papritur ironike, që përbëjnë zemrën e librit, titulluar “Guglielmo Marconi, Kujtime 1895-1899. Shënimet e para autobiografike të shpikësit të ri”, botuar nën kujdesin e Gabriele Falciasecca e shtypur nga Pendragon. Ndërsa në shkrimet e tij zyrtare Marconi rrallë herë shprehu emocionet a idetë personale, në këtë tekst, që i ngjan një bisede me vetveten e që duhet të mbetej privat, zbulohen para syve të lexuesit aspekte pak të njohura, që na ndihmojnë të hyjmë në botën e tij të brendshme, krejt të panjohur nga bota e jashtme. Gjejmë episode të këndshme, ngjarje tërheqëse, hollësi teknike të kërkimeve të tij, të fshehta, që na ndihmojnë për të kuptuar gjithë udhën shkencore ku eci shkencëtari i madh, falë të cilit zëri i Papës u dëgjua për herë të parë - e vijon të dëgjohet - rreth e rreth gjithë globit tokësor. Me të, edhe zërat tonë - ngarkuar me histori nga më të ndryshmet, nga Bibla e Ungjilli - tek ky ditar i panjohur i Shkencëtarit të madh, që përmes shënimeve krejt private, na merr për dore për të na çuar në botën e zbulimeve të mëdha.
Një nga hollësitë: miqësia e tij me një të madh tjetër, poetin italian D’Annunzio, shprehur në një letër fare të shkurtër. Ja edhe teksti:
Miku im i dashur e i madh,
Ti nisesh nesër e besoj se edhe unë do të nisem, duke arritur sot me automobilin tim. E quaj fat të madh të kësaj kohe të jashtëzakonshme takimin me ty dhe lidhjen e një miqësie të pastër”.
Adresa, shkruar mbi një zarf të bardhë me dorën e Poetit, është “Tenente Guglielmo Marconi; Grand Hotel”. Kaq. Pa pulla e pa vula, gjë që tregon se nuk ishte nisur me rrugë postare. E kujtuam këtë letër nga më të shkurtërat, për të nënvizuar ndikimin mbi njëri-tjetrin të njerëzve të mëdhenj, kur kanë fatin të njihen e të bëhen miq.
Marconi është në rrënjët e historisë sonë
“Marconi është në rrënjët e historisë sonë - shpjegon Atë Federico Lombardi, ish-drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë dhe i Radio Vatikanit. Gjithë përdorimi modern i komunikimit, pas shtypit - pohon - bazohet mbi përvojën dhe nismën e shkencëtarit në zhvillimin e telegrafisë pa tela dhe përdorimit të valëve elektromagnetike për të komunikuar. Pikërisht për këtë, na duket gjë shumë interesante shfletimi i këtij libri, që na njeh me përvojën e shkencëtarit të madh e na tregon si u hodhën bazat e një mënyre të re për të komunikuar e për t’i shërbyer informimit”.