Kërko

Kardinali Parolin: kush i ka në dorë fatet e botës, të na i kursejë tmerret e luftës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, pas sulmit rus në Ukrainë pohon: "Ka ende kohë për vullnet të mirë dhe për negociata"

R. SH. - Vatikan

Në ditën kur kriza në Ukrainë kaloi në konflikt, kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, lëshoi për mediat e Vatikanit , ​​deklaratën e mëposhtme:

“Përballë zhvillimeve të sotme të krizës në Ukrainë, dalin edhe më të qarta e më të brengosura fjalët, që Ati i Shenjtë Françesku i shqiptoi dje, në përfundim të audiencës së përgjithshme. Papa përmendi "dhimbjen e thellë", "ankthin” dhe “shqetësimin". U bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira, për t’u "përmbajtur nga çdo veprim, që mund t’u shkaktojë edhe më shumë vuajtje popullsive", "të destabilizojë bashkëjetesën paqësore" dhe "të diskreditojë ligjin ndërkombëtar". Kjo thirrje ka domethënie dramatike pas fillimit të operacioneve ushtarake ruse në territorin e Ukrainës. Skenarët tragjikë, nga të cilët të gjithë kishin frikë, fatkeqësisht po bëhen realitet. Por ka ende kohë për vullnetin e mirë, ka ende mundësi për negociata, ka ende vend për ushtrimin e urtisë, që pengon mbizotërimin e interesave të njëanshme, mbron aspiratat legjitime të të gjithëve dhe  e shpëton botën nga marrëzia dhe tmerret e luftës. Ne besimtarët nuk e humbasim shpresën në atë fije ndërgjegjeje të atyre, që i kanë në dorë fatet e botës. Dhe vazhdojmë të lutemi e të agjërojmë - do ta bëjmë të Mërkurën e ardhshme të Përhime - për paqen në Ukrainë dhe në mbarë botën".

 

24 shkurt 2022, 15:28