Është detyrë ta tregosh luftën
R. SH. - Vatikan
“Viktima e parë e luftës është e vërteta” . E pati pohuar tragjediani i madh grek Eskili, dymijë e pesëqind vjet më parë. E ne sot mund ta përsërisim për të gjitha luftërat, të cilat u luftuan që asokohe. E kjo e Ukrainës nuk bën përjashtim. Viktima e parë është e vërteta e njeriut, e bashkësisë, e bashkëjetesës paqësore, të gjitha të vrara në emër të interesave të fshehura pas justifikimeve historike identitare që, heret a vonë, koha e kryen detyrën e vet duke ua nxjerrë në shesh mashtrimet, me gjykimin e saj të akullt, të pamëshirshëm. Kështu koha! Po ndërkaq njerëzit vdesin, të pafajshmit vuajnë e terrori bëhet gjithnjë më i frikshëm.
Në këtë situatë tragjike në zemër të Evropës, ashtu, e edhe më keqas, si në luftërat e tjera të harruara tepër shpejt, sepse të luftuara në zona të konsideruara “të parëndësishme” për rregullat gjeopolitike, informimi ka detyrë themelore, siç na e pati treguar në mënyrë të bujshme vitin e kaluar Çmimi Nobel për Paqen, dorëzuar pikërisht gazetarëve të angazhuar në kërkimin e së vërtetësn në rrethana dramatikisht të vështira. Lufta (e gabimet e saj) në një farë mënyre, “nuk ekzistojnë” për një pjesë të mirë të njerëzimit, nëse nuk gjendet kush që t’ia tregojë!
Duhet, atëhere, t’u jemi mirënjohës atyre gazetarëve që, në këto ditë, duke vënë në rrezik edhe jetën, na informojnë nga trojet ukrainase kryesisht mbi vuajtjet e popullsisë, duke i dhënë zë atyre që, përndryshe, bota nuk do t’ua dëgjonte zërin, nuk do t’ua njihte dhimbjen, nuk do ta vuante bashkë me ta, frikën e vdekjes e të rrënimit. E nuk do të provonte as dëshpërimin që të shkakton një luftë sa e pakuptimtë, aq edhe e ngarkuar me pasoja të tmerrshme - nënvizon EBU, organizata, që bashkon radiot e tv-të publike evropiane - nëse gazetarët nuk do të mund të punojnë lirisht, në siguri e të tregojnë të vërtetën, pa asnjë pengesë! “Mbrojtja e mediave duhet të jetë detyrë e dorës së parë, e jo vetëm në këto rrethana të vështira, por pikërisht për shkak të tyre”.
Tejet shpesh reporterët në zona konflikti, preken thellë nga ajo që shikojnë, që dëgjojnë e nuk mund të mos i shprehin emocionet e tyre në shërbimet dhe artikujt, që shkruajnë. Kjo nuk ia cik aspak vlerën cilësisë së punës së tyre. Përkundrazi. Është empatia e njeriut i cili, ndonëse ushtron një profesion që kërkon objektivitet e edhe një farë “çinteresimi “nuk mundet, madje as nuk duhet të qëndrojë indiferent përballë vuajtjeve, përballë ngjarjeve, përballë njerëzve që vriten. Papa Françesku ua ka njohur shumë herë këtë rol, këtë “mision” - siç e quan ai vetë - gazetarëve, posaçërisht atyre që “konsumojnë shojet e këpucëve” për t’i takuar njerëzit atje ku janë e ashtu si janë. Shpesh ky mision mund të të kushtojë edhe jetën! Siç i ndodhi Anna Politkovskaja-s që, për të rrëfyer tmerret e një lufte tjetër, asaj në Çeçeni, u vra mizorisht. Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet nga kjo vrasje! Ia vranë trupin, por jo shpirtin, atë që e shtynte të thoshte (e ta dëshmonte me punën e saj) se “detyra e mjekut është të shërojë të sëmurët, ajo e gazetarit, të shkruajë çka shikon”.