Papa Françesku emëron imzot Andrea Ripën, sekretar të Gjykatës së Senjaturës Apostolike
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku emëroi imzot Andrea Ripën, sekretar të Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike. Deri tani, ai ka qenë zv.sekretar i Kongregatës për Klerin. Njoftimin e dha sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Imzot Ripa lindi në Rimini të Italisë, më 5 janar 1972. U shugurua meshtar në dioqezën e Riminit, më 25 shtator 2004. U diplomua në letërsi klasike në Universitetin e Urbinos “Carlo Bo”, bëri doktoraturën në të drejtën kanonike në Universiteti Papnor Lateranens dhe mori diplomën e avokatit të Sacra Rota-s (gjykatë kishtare).
Ka kryer detyra baritore në disa bashkësi famullitare të Riminit dhe ka qenë rektor i kishës së Shën Gjon Pagëzuesit të Kalorësve të Rodit, në Romë. Imzot Ripa ka qenë edhe pedagog i së drejtës kanonike në Institutin e Lartë të Shkencave Fetare “Alberto Marvelli”, në Fakultetin Teologjik të Luganos dhe në Universitetin Papnor Lateranens; mbrojtës i lidhjes martesore, gjykatës dhe vikar gjyqësor ndihmës në Gjykatën kishtare ndërdioqezane Flaminio. Nga viti 2013 është funksionar në Kongregatën për Klerin, ku nga 12 shtatori 2017 e deri më sot, ka kryer detyrën e zv.sekretarit.
Emërohet kryetari i ULSA-s
Ndërkaq, pas pesë vitesh shërbimi, ipeshkvi sicilian Giuseppe Sciacca, 66-vjeçar, që kryente deri tani detyrën e caktuar për imzot Ripën, kalon në krye të Zyrës së Punës në Selinë Apostolike (Ulsa).