Kërko

Terra Santa Terra Santa

Farrell: bashkimi i të krishterëve, themel i vëllazërimit universal

Në qendër të kremtimit të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që filloi sot e përfundon më 25 janar, përvoja e Mbretërve Dijetarë në Betlehem. Tema, e zgjedhur nga Kishat e Lindjes së Mesme, i nxit të gjitha bashkësitë të kthehen në zanafillë, tek Krishti, burimi i vetëm i jetës së tyre. Në mikrofonin tonë, sekretari i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, imzot Brian Farrell, na kujton se ndryshimet janë pasuri dhe se unitet nuk do të thotë uniformitet

R.SH. - Vatikan

Rast i jashtëzakonshëm për t’u përqendruar në dëshirën e Jezu Krishtit, pasqyruar në Ungjill: “Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, një gjë e vetme”. Kjo është Java e lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që këtë vit fillon sot, 18 janar e, përfundon më 25 janar. Në qendër të reflektimeve të nismës, verseti ungjillor: “Në Lindje pamë të dukej ylli i tij dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona”. Fjalët e shën Mateut ungjilltar u referohen Mbretërve Dijetarë, që u nisën nga larg për të shkuar drejt Foshnjës së sapolindur në Betlehem. I udhëhiqte një yll. Melkiorri, Baltasari dhe Gaspri - emrat me të cilët i paraqesin Ungjijtë apokrifë –shohin tek Jezusi një Mbret dhe, duke u gjunjëzuar para tij, e adhurojnë.

Dëshmia e bashkimit ndërmjet të krishterëve të Lindjes së Mesme

Fjalët e Mbretërve Dijetarë u propozuan si temë për kremtimin e Javës nga të krishterët e traditave të ndryshme të Lindjes së Mesme. Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve ia pati besuar këtë detyrë për vitin 2022 pikërisht Këshillit të Kishave Lindore. Në mikrofonin e Vatikan News, sekretari i dikasterit, ipeshkvi irlandez Brian Farrell, shpjegon arsyen e këtij vendimi:

Imzot Brian Farrell
Imzot Brian Farrell

Dihet se Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, në një formë a në një tjetër, ekziston që prej më se 100 vitesh e, që prej 50 vitesh ka edhe një bashkëpunim ndërmjet Këshillin Papnor për Bashkimin dhe Këshillit Ekumenik të Kishave. Prandaj, çdo vit, në mënyrë të alternuar, zgjedhim një grup ekumenik, ose një grup të krishterësh nga një vend a rajon, për të përgatitur materialet. Zgjedhja e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme na u duk tejet e vlefshme, sepse në ato zona ka shumë vuajtje, luftë, varfëri, mungesë të drejtash e njëkohësisht, edhe shumë Kisha të traditave të ndryshme që bashkëjetojnë. Pra, në ato vende, ekumenizmi jetohet natyrshëm, çdo ditë, në shoqëri e shpesh, edhe në familje.

Tema duket sikur përqendrohet më shumë tek Mbretërit Dijetarë se sa tek bashkimi ndërmjet të krishterëve. Cila është lidhja me kërkimin e unitetit?

Para së gjithash, episodi i Mbretërve Dijetarë na kujton zonën ku ka lindur Krishti e kërkimi i bashkimit ndërmjet të krishterëve sjell fryte vetëm nëse Krishti është qendra, kriteri, burimi i përpjekjeve tona. Duhet arritur bashkimi ndërmjet ndjekësve të Krishtit, për të cilin Ai vetë u lut në mbrëmjen para Mundimeve. Ekumenizëm do të thotë t’i bindemi vullnetit të Krishtit e këtu, po kujtoj fjalët e Papës Françesku kohët e fundit: Mbretërit Dijetarë udhëtojnë drejt Betlehemit, shtegtimi i tyre na flet edhe ne, të thirrur për të ecur drejt Jezusit, sepse ai është Ylli Polar, që e shndrit qiellin e jetës dhe i orienton hapat drejt gëzimit të vërtetë. Pra, ekumenizmi, kërkimi i bashkimit ndërmjet të krishterëve, bën hapa përpara vetëm kur i qëndrojmë besnikë Zotit e kjo është pika themelore, sipas meje.

Në Lindjen e Mesme, të krishterët e traditave të ndryshme bashkëjetojnë prej kohësh. Po sot, në ç’pikë është kjo bashkëjetesë?

Gjëja e parë, që duhet thënë, sipas meje, është se larmia e riteve dhe e traditave, historia e të krishterëve të Lindjes së Mesme është pasuri e jashtëzakonshme, hir i Provanisë Hyjnore, që e ka udhëhequr zhvillimin e Kishave në mes të popujve e kulturave të ndryshme, që nga fillimi. Prandaj, nuk duhet kërkuar uniformiteti, por bashkimi, pra, pjesëmarrja e të gjithëve në historinë e shëlbimit. Lëvizja ekumenike ekziston, sepse ky bashkim nuk është realizuar gjatë historisë, për shkak të mëkatit të përçarjes. Në Lindjen e Mesme shihet horizonti i të krishterëve të traditave të ndryshme, që jetojnë së bashku. Edhe para vuajtjes e luftës, të krishterët janë solidarë dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin.

Prej vitesh, ka një situatë të re, në të cilën nuk ka më rivalitet e konflikt ndërmjet Kishave, por bashkëpunim e solidaritet. Sa më shumë që të krishterët e Kishave të ndryshme të pajtohen ndërmjet tyre, aq më shumë do të jenë shenjë dhe mjet bashkimi për familjen njerëzore, për vëllazërimin universal. Kjo, na mëson Papa Françesku, është rruga e vetme drejt paqes e drejtësisë, drejt një ardhmërie më të mirë për brezat e rinj. Pra, bashkimi ndërmjet të krishterëve është faktor i domosdoshëm për ndërtimin e botës së ardhme.

18 janar 2022, 12:19