Kërko

E Diela e Fjalës: Bibla i flet secilit prej nesh

Gjatë kremtimit eukaristik, tё Dielёn kushtuar Fjalës së Zotit, në Bazilikën e Shën Pjetrit, sot më 23 janar, me një rit të ri përgatitur nga Kongregata për Kultin dhe Disiplinën e Sakramenteve, Papa Françesku do t’u japë për herë të parë laikëve mandatin për shërbimin e Lektoratit dhe të Akolitatit, si edhe atë të Katekistit, burrave dhe grave të vendeve të ndryshme të botës.

R. SH. - Vatikan

E Diela kushtuar Fjalës së Zotit, themeluar nga Papa Françesku më 30 shtator 2019, pasi i dorëzoi Kishës Letrën Apostolike ‘Aperuit Illis’,  kremtohet si çdo vit, sot, në të Dielën e tretë të Kohës së Zakonshme kishtar dhe është nismë baritore e Ungjillëzimit të ri, me qëllim që të ngjallë interesimin për njohjen e Shkrimit Shenjt, përmes një reflektimi, thellimi, kremtimi dhe transmetimi aktiv, që gjen shprehjen e vet në format e ndryshme të jetës së Kishës.

Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit

Gjatë kremtimit eukaristik në Bazilikën e Shën Pjetrit, më 23 janar, me një rit të ri përgatitur nga Kongregata për Kultin dhe Disiplinën e Sakramenteve, Papa Françesku do t’u japë për herë të parë laikëve mandatin për shërbimin e Lektoratit dhe të Akolitatit, si edhe atë të Katekistit, burrave dhe grave të vendeve të ndryshme të botës.

Logo e së Dielës së Fjalës së Zotit

Në logon, krijuar për këtë ngjarje të veçantë, shikojmë dishepujt e Emmaus, të cilët kthehen në qytetin e tyre krejt të tronditur, përplot me dyshime, thellësisht të hutuar për çka sapo e kanë parë në Jeruzalem. Në mes tyre, Jezusi që ecën e kryen veprimtarinë e vërtetë të ungjillëzimit, simbolizuar me figurën e yllit, më të djathtën. Njëri nga dishepujt mbështetet, gjatë ecjes, mbi një shkop, shenjë  ligështie, ndërsa Jezusi mban në dorë rrotullën e Shkrimit Shenjt, që shpjegon misterin e shëlbimit. Duhet kujtuar se filli i kuq, që shoqëron Aperuit Illis, është pikërisht  faqja  e shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës, në të cilën rrëfehet historia e dishepujve të Emmaus. Na kujton dy përmasat e Fjalës e të bukës së thyer, që nuk mund të ndahen, sepse të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Besnik ndaj Fjalës së Zotit

Ne duhet të dëgjojmë, çdo ditë, në mes të mijëra fjalëve atë Fjalë të vetme që nuk na flet për gjërat, por na flet për jetën. Prandaj, leximi e meditimi i Biblës krijon mundësinë për të hyrë në thellësi të fjalëve të Shkrimit Shenjt, fjalë që kanë shumë përmasa.  Kёshtu Bibla na larton drejt Krishtit, në dritën e Shpirtit Shenjt e na flet si për jetën ashtu edhe për mënyrën sesi duhet ta jetojmë.

T’i qëndrosh besnik Fjalës së Zoti është rruga që na e tregon Kisha e që vlen më shumë se kurrë në këto çaste tё veçanta, tejet tё vështira e nё shumё vende dramatike, që po kalon sot bota. Në çorientimin dhe mosbesimin e shkatuar nga paqartësitë, që i ranë njerëzimit mbi kokë në një mënyrë krejt të papritur, dishepujt e Jezu Krishtit kanë përgjegjësinë t’i thonë botës një fjalë shprese. E edhe detyrën të rrinë të lidhur fort me Fjalën e jetës, me besnikëri të patundur!

Shën Jeronimi: “Mosnjohja e Shkrimeve, është mosnjohje e Krishtit”

E Diela e Fjalës së Zotit na kujton edhe Letrën Apostolike Scipturae Sacrae Affectis, përkujtuar 1600 vjet pas vdekjes së Shën Jeronimit iliras,   Doktor i madh i Kishës, njëri nga katër perëndimorët, së bashku me Gregorin, Agostinin e Ambrozin, ndihmesa e të cilit është, pa asnjë dyshim, themelore për lulëzimin e Biblës. Atij duhet t’ia dimë për nder që na la trashëgim Biblën të përkthyer në latinsht; ishte proces i mirëfilltë i inkulturimit, ky përkthim gjenial. Shenjti ilir na la trashëgim edhe një frazë, që u bë e famshme në historinë e krishterimit: “Të mos njohësh Shkrimet Shenjte, do të thotë të mos njohësh Krishtin” e “Nëse nuk kalohet përmes Shkrimeve Shenjte, shpiket një Krisht sipas shëmbëlltyrës sonë, që  na ngjet ne”.

Formimi biblik, studimi i Shkrimit Shenjt, ndonëse jo i lehtë, është themelor për çdo të krishterë, përndryshe rrezikohemi të themi për tekstin, atë që teksti nuk e thotë!

Bibla, nëse nuk lexohet, mbetet letër e vdekur

Është shkandullues fakti që shumë të krishterë nuk e kanë lexuar tërësisht, nuk po themi tërë Biblën, por së paku, Ungjillin. Prandaj Papa Françesku  i porosit të gjithë besimtarët ta mbajnë përherë me vete një Ungjill, me format xhepi. Nuk na mungon pra, mjeti. Nëse nuk e lexojmë, do të thotë se na mungon vullneti për ta shfletuar për ditë nga pak, atë që njihet si “Libri i librave” edhe për gjatësinë e tij. Por është një tekst i mrekullueshëm aq, sa po të nisësh ta shfletosh, nuk mund ta lëshosh më nga dora. Sepse në të gjen gjithë historinë e njerëzimit, që nga zanafilla. E gjen edhe vendin që të caktoi Zoti në këtë histori të pafundme, e cila nis në Parriz, me njerëzit e parë, Evën e Adamin, e vijon me ty, lexues, që kërkon zanafillën tënde e premtimin që të bëri Zoti i kryqëzuar e i ngjallur, të cilin e ke pranë në gaze e helme, në dritë e errësirë, në sëmundje e në shëndet.

Ta shfletojmë pra, Shkrimin Shenjt - Biblёn, me atë dashuri që ka për ne Jezu Krishti! Të mos e lëmë letër të vdekur! Ta hapim e t’i lutemi Shpirtit Shenjt të na ndihmojë për ta pasur gjithnjë të gjallë në jetën tonë, si gurrë e pashterrshme e dashurisë së Zotit për ne, që na ndriçon në ditë të errta, si këto që po jetojmë, kur shpirti i tronditur kërkon pakëz dritë.

23 janar 2022, 09:11