Kërko

Dita për jetën e kushtuar: të thirrur për t’u bërë Kishë sinodale

Në një letër për Ditën XXVI Botërore të jetës së kushtuar, kardinali João Braz de Aviz dhe imzot José Rodríguez Carballo nxisin për ta vlerësuar fjalën “pjesëmarrje” në udhën sinodale të saponisur

R.SH. - Vatikan

Dita për jetën e kushtuar, që do të arrijë kulmin nesër, me kremtimin eukaristik kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën  e Shën Pjetrit, do të jetë “mundësi takimi me Zotin, që pasqyrohet në ngulmimin e hareshëm të shumë burrave e grave, të cilët ia kushtojnë gjithë jetën Zotit”. Kështu shkruajnë në një letër kardinali  João Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës  për Institutet e jetës së kushtuar dhe Shoqëritë e jetës apostolike dhe sekretari i dikastetit, imzot José Rodríguez Carballo.

Pjesëmarrje në “ecjen” e Kishës udhës së sinodalitetit

Në dokument nënvizohet se udha sinodale, e saponisur, e bazuar mbi temën “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision”, i bën thirrje çdo bashkësie vokacionale “të jetë shprehje e dukshme e bashkimit të dashurisë”. Duke reflektuar mbi fjalën “pjesëmarrje”, kardinali João Braz de Aviz dhe imzot José Rodríguez Carballo ftojnë për t’i bërë vetes pyetjen: “Kush janë këto motra e këta vëllezër, që i dëgjojmë e, para së gjithash, pse i dëgjojmë?”. “Pyetje - shkruajnë - që duhet ta bëjnë të gjithë e duhet t’u bëhet të gjithëve, sepse nuk mund ta quajmë veten bashkësi njerëzish të thirrur, e aq më  tepër, bashkësi jete, nëse mungon pjesëmarrja  e ndonjërit a e ndonjërës”.

Ndaj të gjithë grishemi të ecim me Kishën në rrugën e sinodalitetit, me pasurinë e karizmave e të jetëve tona, pa i fshehur lodhjen, as plagët. Atëhere pjesëmarrja bëhet përgjegjësi: “Nuk mund të mungojmë, nuk mund të mos jemi ndërmjet tjerëve e me të tjerët  në përgjigjen për t’u bërë Kishë sinodale”. Sepse ëndrra misionare realizohet kur arrijmë tek të gjithë, kujdesemi për të gjithë, ndjehemi motra e vëllezër me të gjithë, ecim të gjithë së bashku në jetë e në histori, që është histori e shëlbimit!”.

 

 

31 janar 2022, 11:51