Kërko

St Joseph St Joseph

Papa: shёn Jozefi na ndihmon të shohim dritën e Krishtit tek të varfrit

Nesër mbyllet viti i veçantë kushtuar Shën Jozefiti hapur nga Papa Françesku me Letrën Apostolike ‘Patris Corde’, që kremton 150 vjetorin e deklaratës me të cilën Papa Piu IX njohu atin e kujtuar tё Jezusit si Mbrojtës qiellor të Kishës universale. Papa e kujtoi sot Shën Jozefin në një postim në Twitter.

R.SH. - Vatikan

“Në këtë kohë të Ardhjes, i lutemi Zotit, me ndërmjetësimin atëror të Shën Jozefit, të qëndrojë gjithmonë si roje natën, të kujdesshëm për të parë dritën e Krishtit në vëllezërit tanë më të varfër”. Kështu pohon Papa Françesku në një postim në Twitter në pragun e mbylljes së Vitit të Shën Jozefit, shpallur më 8 dhjetorin e vitit të kaluar me botimin e Letër Apostolike ‘Patris Corde’ -'Me Zemrën e Atit', pёr të na ndihmuar tё rizbulojmё "figurën e jashtëzakonshme" të atit tokёsor të Jezusit, i cili ёshtё “aq afër gjendjes njerëzore të secilit prej nesh”, dhe t’i imitojmë virtytet e tij.

Në dokument, Papa Françesku bashkёndan "disa reflektime personale" mbi kujdestarin e familjes së Nazaretit, , për të cilin pati devocion të thellë që në rini, duke i nxitur besimtarët "të rrisin dashurinë për ndaj kёtij shenjti të madh, duke na shtyrë t’i lutemi për ndërmjetësimin e tij dhe t’i imitojmё virtytet dhe entuziazmin e tij".

Shën Jozefi, fati i Virgjërës Mari dhe ati i kujtuar i Jezusit, është Shenjti në të cilin virtytet e jetës së krishterë shkëlqejnë me një bukuri dhe një përsosuri të jashtëzakonshme.  Ati i Shenjtë na fton të ndalemi me nderim para figurës së shokut të jetës të Virgjërës Mari dhe Pajtorit qiellor të Kishës universale. Shenjti ka një rëndësi themelore në historinë e shëlbimit. Jozefi i dha Jezusit sigurinë, që i jep babai të birit e, përmes tij, Jezusi bëhej ligjërisht pasardhës i Davidit, duke vënë, kështu, në jetë, Shkrimet e Shenjta, në të cilat Mesia profetizohej si ‘Bir i Davidit’. Prandaj madhështia e Jozefit  bie edhe më shumë në sy, sepse e kreu misionin në përvujtërinë e në fshehtësinë e shtëpisë së Nazaretit. E ishte vetë Zoti, në Vetjen e Birit të vet të mishëruar, që e zgjodhi këtë jetë e këtë stil – plot përvujtëri e fshehtësi – në jetën e vet tokësore. Nga shembulli i Shën Jozefit buron edhe ftesa për ta kryer me besnikëri, thjeshtësi e modesti detyrën, që na ka caktuar Provania hyjnore.

Shën Jozefi  e shpreh konkretisht atësinë e tij, duke e  dhuruar vetevten, gjithnjë në shërbim të Mesisë. E prandaj është gjithnjë i shumëdashur nga populli i krishterë”. Në të “Jezusi pa dashurinë e Zotit Atë”, që e “mirëpret gjithnjë ligështinë tonë”, përmes së cilës realizon pjesën më të madhe të planeve të Tij hyjnore. Zoti nuk na dënon, por na mirëpret, na përqafon, na ndihmon, na fal. Jozefi është atë edhe kur i shtrohet plotësisht vullnetit të Zotit: me atë “fiat” - “u bëftë vullndesa jote”  i shpëton  Marinë e Jezusin e i mëson edhe të Birit të bëjë vullnetin e Atit qiellor, duke bashkëpunuar “në misterin e madh të shëlbimit”.

Njëkohësisht Jozefi është edhe “atë i mirëpritjes”, sepse “e mirëpret Marinë pa asnjë kusht paraprak”, “gjest i rëndësishëm edhe për sot - pohon Françesku - në një botë, ku dhuna psikologjike, verbale e fizike e gruas duket sheshit”. Por Fati i Marisë, duke besuar pa kushte në Zotin, i pranon në jetën e vet edhe ngjarjet, të cilat nuk i kupton, me një protagonizëm “guximtar e të fuqishëm”, që buron nga “forca e Shpirtit Shenjt”. Përmes Shën Jozefit na duket sikur Zoti vetë na përsërit: “Mos kini frikë! Feja i jep kuptim çdo ngjarjeje, të gëzuar a të trishtuar”. Mikpritja e atit të kujtuar të Jezusit na fton edhe t’i mirëpresim të tjerët, pa asnjë përjashtim, ashtu si janë, me një dashuri të posaçme për të ligshtit.

'Patris corde' vë pastaj në dukje edhe “guximin krijues” të Shën Jozefit, që di ta shndërrojë problemin në mundësi, duke i kundërvënë gjithnjë besimin në Provaninë hyjnore. Ai i përballon “problemet konkrete të familjes së vet, siç bëjnë të gjitha familjet e tjera  të botës, posaçërisht emigratët. Rojtar i Jezusit e i Marisë, Jozefi “nuk mund të mos jetë edhe roje besnike e Kishës”, e amësisë së saj dhe e Korpit të Krishtit: çdo nevojtar është “Foshnja” për të cilën kujdeset Jozefi. Prej tij mund të mësojmë ta duam Kishën, t’i duam edhe të varfërit”.

07 dhjetor 2021, 18:48