Kërko

Sheshi i Shën Pjetrit Sheshi i Shën Pjetrit

Më 10 dhjetor, përurimi i Betlehemit dhe ndriçimi i Pemës së Krishtlindjes në Shën Pjetër

Kremtimi do të mbahet të premten, në orën 17.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke respektuar normat e sigurisë kundër pandemisë Covid-19

R.SH. - Vatikan

Të premten, më 10 dhjetor, në orën 17.00, kryeipeshkvi Fernando Vérgez Alzaga dhe motër Raffaella Petrini, përkatësisht kryetar dhe sekretare e Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, do të përurojnë Betlehemin dhe do të ndezin dritat e Pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit.

Të pranishëm, delegacionet zyrtare të vendeve të origjinës së Betlehemit e të Pemës, ardhur nga Rajoni Huancavelica i Perusë dhe nga Andalo i Trentinos, në Itali. Në veçanti, për Betlehemin artistik, me shtatore, që pasqyrojnë jetën e banorëve të Andeve, do të jenë të pranishëm imzot Carlos Salcedo Ojeda, ipeshkëv i dioqezës së Huancavelica, si edhe Dr. Oscar Maúrtua de Romaña, ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë peruviane.

 Për Pemën e Krishtlindjes - bredh madhështor (Picea abies), 28 metra i lartë, me peshë 8 ton, zbukuruar me sfera të veçanta prej druri – do të marrë pjesë në ceremoni imzot Lauro Tisi, kryeipeshkëv i Trentos dhe kryetari i bashkisë së Andalos, Alberto Perli. Gjithashtu, do të jetë në Shesh një delegacion nga famullia e Shën Bartolomeut në Gallio (Vicenza), që realizoi Betlehemin e Sallës Pali VI. Po atë ditë, paradite, delegacionet do të priten në audiencë nga Papa Françesku për paraqitjen zyrtare të dhuratave. Betlehemi dhe Pema në Sheshin e Shën Pjetrit do të qëndrojnë të ekspozuara deri të dielën, më 9 janar 2022, në festën e Pagëzimit të Zotit, e cila mbyll periudhën e Krishtlindjes.

08 dhjetor 2021, 12:40