Kërko

San Paolo e San Barnaba San Paolo e San Barnaba

Shtegtimi i Françeskut, në hullinë e hapur nga Barnaba e Pali

Jetët e dy Apostujve gërshtohen me qytetet dhe etapat shtegtimit të 35-apostolik të Papës Françesku në Qipro e Greqi, në program më 2 deri më 6 dhjetor. Barnaba e Pali shtegtojnë së bashku e së bashku e predikojnë edhe Ungjillin. Miqësia e tyre, jo pa çaste kontrasti, çelnikoset gjithnjë nga besimi në Krishtin

R.SH. - Vatikan

Gjatë shtegtimit në dy vendet e Mesdheut, Papa do të  vizitojë troje, që të kujtojnë edhe shtegtime të tjera apostolike: shtegtimin e Gjon Palit II,  më 2001, në Greqi e atë të Benediktit XVI, më 2010, në Qipro. Por edhe shtegtimet, që u bënë në zanafillën e krishterimit e të historisë misionare, duke nisur nga Barnaba e Shën Pali në këtë troje të rrethuara nga deti, ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Dy apostujt shtegtonin gjithnjë bashkë, e gjithnjë duke predikuar Ungjillin!

Shën Barnaba

I lindur në Qipro e, më pas, i vendosur në Jeruzalem, Barnaba është një nga të parët që iu kushtua krishterimit pas Ngjalljes së Krishtit. Tradita -  sipas Euzebit të Çezaresë, që citon  Klementin Aleksandrin - e kujton ndërmjet 72 dishepujve të nisur nga Krishti në mision për të kumtuar Mbretërinë e Zotit, domethënë ai, që në këtë kohë, ishte njëri nga ndjekësit e Krishtit. Emri i tij i vërtetë ishte Jozef, por u mbiquajt Barnaba, që do të thotë “bir i këshillimit” a “bir i ngushëllimit”. Ky emër frymëzon moton e shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Qipro: “Na ngushëllo në fe”, Barnaba këshillon e ngushëllon e, me bujari të pashoqe, shet një arë, pronë e tij, për tua dorëzuar më pas fitimin apostujve për nevojat e misionit.

Barnaba është apostulli më autoritar i bashkësisë së parë të krishterë. Është ai - pati kujtuar Papa i nderit, Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme  të 31 janarit 2007 - që u bë garant për kthimin e Saulit pranë bashkësisë së krishterë të Jeruzalemit, e cila asokohe nuk para i besonte  persekutuesit të  përbetuar të bashkësisë së krishterë. I dërguar në Antioki e në Siri, shkoi ta merrte Palin në Tars, ku ishte tërhequr, e kaloi me të një vit të tërë, duke iu kushtuar ungjillëzimit të këtij qyteti, në Kishën e të cilit njihej si profet e doktor. Kështu Barnaba, në çastin e kthimeve të para të paganëve, e kuptoi se kjo ishte ora e Saulit, që vijonte të strehohej në qytetin e tij. Atje shkoi ta kërkonte. Kështu, në këtë çast tejet të rëndësishëm, mund të themi se fati gati-gati ia dorëzoi Palin Kishës; ia dhuroi, në këtë kuptim, edhe një herë Apostullin e Popujve. “Nga Kisha  antiokiane Barnaba - pati shtuar Papa i nderit - u dërgua në mision së bashku me Palin, duke kryer atë, që njihet si shtegtimi i parë misionar i Apostullit. Në të vërtetë, ishte shtegtimi misionar i Barnabës, me që e kryesonte ai shtegtimin, ndërsa Pali ishte thjesht bashkëpunëtor. Në këtë shtegtim të parë dy Apostujt shkelën në disa vise të Qipros e të Anatolisë qendro-jugore, në Turqinë e sotme, për të kumtuar Ngjalljen e  Zotit”.

Shenjtorë, por njerëz, si ne!

Edhe në udhët e shenjtërisë mund të ketë çaste mosmarrëveshjesh. “Të dy, Pali e Barnaba - pati kujtuar Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme   të 31 janarit 2007 - gjatë shtegtimit të dytë misionar, iu kundëvunë njëri-tjetrit, sepse Barnaba donte të merrte si shok udhe Gjon Markun, ndërsa Pali nuk e donte, mbasi ai qe ndarë prej tyre në shtegtimin e mëparshëm (krh Vap 13, 13);15,36-40). Gjë që na kujton se edhe ndërmjet shenjtorëve  ka kontraste, grindje, kundërvënie. E kjo më duket shumë ngushëlluese, ngaqë  shikojmë se shenjtorët nuk kanë rënë nga qielli. Janë njerëz, si ne, me probleme, e nganjëherë edhe tejet të ngatërruara. Shenjtëri nuk do të thotë të mos gabosh kurrë, të mos mëkatosh kurrë. Shenjtëria rritet njëherësh me kthesën, me pendimin. Në Letrat e fundit të Shën Palit drejtuar Filemonit e në Letrën e dytë Timoteut, Apostulli shënon se bashkëpunëtori i tij ishte Marku. Pra edhe ai gabon - shpjegoi Papa i nderit -  po u bë se u bë shenjt, sepse është aftësia për t’u pajtuar e për të falur që na  bën shenjtorë”.

Shën Pali

Hebre nga Tarsi, në Turqinë e sotme, Sauli ishte nënshtetas romak. Në “Veprat e Apostujve”, Sauli përshkruhet si persekutues i të krishterëve. Por në udhën e Damaskut mbështillet i tëri nga një shkulm drite. I verbuar prej saj, bie nga kali. E në rrëzim e sipër dëgjon një zë, që i thotë: “Saul, Saul, pse më persekuton?”. Gjegjet: “Kush je ti, o Zot?”. E ai: “Jam Jezusi që ti po e persekuton!”. Kështu kthehet Pali, që pak më vonë pagëzohet. Në Jeruzalem njeh Pjetrin dhe apostujt e tjerë, të cilët në fillim e shikojnë me mosbesim. Është Barnaba ai, që i siguron për kthimin e tij, duke ua davaritur çdo dyshim. Atëherë Pali pranohet në bashkësinë e të krishterëve të Jeruzalemit. E Barnaba e bind të niset për të predikuar Ungjillin.

Pali dhe shtegtimet apostolike

Pali e Barnaba arrijnë së bashku në Antioki. Gjatë shtegtimit të parë apostolik, kalojnë, gjithnjë së bashku, edhe në Qipro, në disa qytete të Anatolisë e më pas, përsëri në Antioki e në Jeruzalem. Në shtegtimin e dytë, Pali drejtohet nga jugu i Galicisë e më pas i vjen radha Maqedonisë dhe Greqisë. Ndalet në Korinth për më se një vit. Në shtegtimin e tretë, Pali ndalohet tri vjet në Efez, më pas arrin në Maqedoni, Korinth e vise të tjera, në rrethinat e tyre. Gjatë shtegtimit i hap vazhdimisht rrugë të reja Ungjillit. Posaçërisht në Athinë, ku shqipton fjalimin e tij të famshëm.

Fjala e mbajtur në Areopag

Gjatë shtegtimit të tij të dytë apostolik, Pali shkon në Athinë, djep i qytetërimit dhe i mendimit filozofik. Ngjitet në kodrinën e Areopagut, ndërmjet Akropolit e agorës, shesh kryesor ku mblidhej populli grek e ku zhvillohej jeta politike dhe tregtare e qytetit. Në këtë vend, ku qytetarët athiniotë takoheshin e debatonin, apostulli flet për Ungjillin. U flet paganëve për Zotin. Fjala e tij, siç pohon Shën Gjon Pali II, “është model inkulturimi”. Takimi i dy botëve: i mesazhit të krishterë e botës greke, në fillim duket se nuk jep fryt. “ Sapo e dëgjuan duke folur për ngjalljen  prej të vdekurve, disa nisën ta tallin, të tjerët i thanë: “Tash të dëgjojmë për këtë një herë tjetër!”. E u nisën e shkuan! Kështu doli Pali nga ky takim. Shumica u larguan pa e besuar. Por pati edhe nga ata, që u kthyen në fenë e Krishtit. Një nga athinjotët e parë, të cilët i pranuan fjalët e Palit, ishte Dionisi. Kështu fjalimi i Apostullit hyri në zemrën e historisë. Duke u nisur nga Greqia, falë edhe këtyre hapave të para për ungjillëzimin e paganëve, Krishterimi nisi shtegtimin drejt Evropës! 

29 nëntor 2021, 13:36