Kërko

Njerëz me aftësi të kufizuara: pesë protagonistë tregojnë me#IamChurch

Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën nis një fushatë, në prag të Ditës së ardhshme kushtuar kësaj teme: duke u nisur nga 6 dhjetori, për gjashtë javë, një videodëshmi nga vise të ndryshme të botës do të tregojë çfarë do të thotë të jesh me aftësi të kufizuara e t’i shërbesh Kishës.

R.SH. - Vatikan

Të kesh aftësi të kufizuara nuk do të thotë  të mos bësh pjesë  me të gjitha të drejtat, në bashkësinë kishtare. E kujtoi Papa Françesku, kur pohoi se Pagëzimi i jep secilit, pa asnjë përjashtim, as diskriminim, mundësinë  të brohorasë: “Unë jam Kisha!”. E kështu kjo brohori #IamChurch u bë parrulla  e fushatës,  organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen, Jetën që, nga 6 janari, një herë në javë, do të propozojë 5 videomesazhe nga mbarë bota, nga të cilat do të kuptohet çfarë do të thotë të jesh i gjymtuar  e t’i shërbesh Ungjillit.

Nga manastiri, në Ditët botërore të Rinisë

Çdo video - njofton një notë e dikasterit -  ka qëllimin të vërë në dukje kontributin  që njerëzit me kufizime i ofrojnë çdo ditë bashkësisë kishtare. Puna për ungjillëzimin, e çuar përpara nga disa të rinj të shurdhër në Meksikë; manastiri, ku disa murgesha me sindromën Down e jetojnë thirrjen e  tyre; grupi i të rinjve italianë me kufizime intelektive, që marrin pjesë në Ditët botërore të Rinisë, janë disa shembuj të një realiteti më të gjerë, që fushata përpiqet ta bëjë të njohur.

Gambino: shenjë e pasurisë

“Jemi të bindur - komenton Gabriella Gambino, zëvendës-sekretare e Dikasterit - se po të jemi në gjendje ta dëgjojmë me vëmendje zërin e motrave  tona e vëllezërve tanë me kufizime,  bashkësia kishtare do të dalë e pasuruar”. Edhe videot janë dëshmi e këtij angazhimi. I realizoi “Poti Picture”, grupi kinematografik i Coop Soc Çenakulli, shtëpia e parë e prodhimit kinematografik shoqëror në botë, që realizon spote, filma me metrazhe të shkurtëra e të gjata, me aktorë që vuajnë nga kufizime intelektive.

29 nëntor 2021, 14:56